Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi dje, në 139-vjetorin e ndarjes nga jeta, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe penës arbëreshe, poetin Gavril Dara (i riu).
Gavril Dara i Riu lindi më 1826 në Pallaci të Sicilisë në një familje të trashëguar bujarësh shqiptarë, që kishin kaluar përtej Adriatikut pas vdekjes së Skënderbeut. Po kështu Dara i Riu bëhet poeti trashëgimtar, pra brezi i tretë i një familjeje me kulturë kombëtare, ku kishin bërë emër gjyshi i tij Gavril Dara Plaku, dhe i ati Andrea, veçanërisht në mbledhjen e folklorit arbëresh. Kjo trashëgimi kulturore familjare ashtu dhe talenti i tij do të përbëjnë shtratin krijues që prodhoi poezinë e tij të madhe. Dara mbaroi seminarin shqiptar të Palermos dhe përfundoi studimet për drejtësi dhe punoi si avokat. Si njeri i zoti në fjalë e në veprime, mori pozita administrative në disa qytete. Botoi një fletore letrare me emër Paligenesi, që merrej me letërsi italiane.
Në Romë, në vitet 1871-1874, drejtoi të përkohshmen La riforma. Fundin e jetës e kaloi në qytetin Xhirxhenti, në të cilin vdiq më 1885. Dara u mor me drejtësi, gazetari e poezi, duke pasur interes të veçantë për filozofi e arkeologji. Ai u mor me jetën e me kulturën italiane. Po si trashëgimtar i brezave të kulturuar të familjes, ai u mor me folklor dhe letërsi shqipe. Veprat i mbetën në dorëshkrim. Në dorëshkrim mbeti edhe kryevepra Kënga e sprasme e Balës, që u botua e plotë më 1906 në Katancaro. Më parë Zef Skiroi kishte nisur botimin e poemës më 1887, mirëpo një botim në vazhdime u bë në La Nazione Albanese gjatë viteve 1900-1902. Dara kishte shkruar edhe “Alcune Poesie” (1848) dhe “I nostri mali” (1870). Kënga e sprasme e Balës është pandan i Milosaos të De Radës : ka figurën poetike të freskët si ajo, por ka një strukturë artistike më të lidhur. Është një kryevepër e poezisë romantike shqipe.
Mbledhja e dorëshkrimeve
Pasioni i Gavril Dara i Riu ishin poezia dhe folklori, të ushtruara në vazhdim të traditës të gjyshit Gavrilit Plakut dhe të atit Andrea Dara. Gavril Dara i Riu ka rrëfyer para se të ndërronte jetë se: “Prindët tanë, që kur ikën nga Arbëria, erdhën në vitin 1485 dhe stisën katundin Palazzo Adriano. Ata ruajtën ndezur në zemër kujtimin dhe dashurinë për atdheun. Gjyshi im mblodhi së pari “Këngët e pleqërisë”, të cilat më pas u botuan pjesërisht nga peshkopi Krispi dhe nga Dhimtër Kamarda, që kuptonin sa vlen nderi i kombit. Në mes të dorëshkrimeve të gjyshit, Ati im Andrea gjeti të fshehura, ato më të shtrenjtat, këngën “Rënkimet e Nik Petës dhe të Pal Golemit” dhe në fund të fletës kishte vënë shënimin: Këto duhet të quhen Kënga e sprasme e Balës”.
Sipas Gavrilit të Ri, Andrea, “zuri të endej lart e poshtë, a thua se kish dalë për gjah, duke pyetur pleqtë dhe plakat nëse i dinin këngët e Balës; ca këtu e ca atje mblodhi gojë më gojë pjesën më të madhe që mungonte në shkrimet e të atit (Gavril Dara Plaku) dhe i shtoi ato. Pas zbulimit të dorëshkrimeve të Gavril Darës Plakut dhe zbulimit të këngëve të reja, i hyri shkrimit të një vepre, i shtyrë nga fakti se këto vargje ishin fragmente pak a shumë të arrira, por duke i lexuar kuptoi se mungonin disa pjesë.
Në fakt, dorëshkrimi përmbante vetëm gjashtëdhjetë vargje në pjesën e parë, po aq në pjesën e dytë dhe diçka më shumë në të tretën, gjithsej 280 vargje. Albansk Samling, Theca. II.17, fashikulli VIII (A-3). Në vazhdim të kontributeve të gjysh Gavrilit dhe të babait Andrea, Gavril Dara i Riu këto dorëshkrime i sistemoi, i renditi së bashku dhe fillimisht i botoi pjesë – pjesë në periodikun “Arbëri i Ri” i Giuseppe Schirò- Plaku, ndërsa duke filluar nga viti 1900, pjesë më të plota u botuan në italisht dhe në shqip në revistën “La Nazione Albanese”. Si libër më vete, poema epiko – lirike “Kënga e sprasme e Balës”, e ndarë në katër pjesë me 1640 vargje, u botua e plotë në vitin 1906. Kjo vepër u shqipërua nga Razi Brahimi dhe është ribotuar disa herë në Shqipëri./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al