Kërcënimet djallëzore të Vuçiçit nuk i trembin shqiptarët

Sep 19, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA SHPENDI TOPOLLAJ shpendi-topollaj

Nga mediat u njohëm me paralajmërimin hipokrit të Kryeministrit serb Millosh Vuçeviç, për fjalimin programatik që do të mbante Presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiç, ku sipas tij do të vihej theksi se, “Duke mbrojtur serbët në Kosovë, ne po mbrojmë të gjithë Serbinë në aspektin e paqes dhe stabilitetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit”.

Nga pala serbe u mor takim edhe me ambasadorin e BE në Serbi, zotin Emanuele Giaufret, të cilit pa pikën e turpit i kërkuan që të mbajë qëndrim ndaj politikës arbitrare ndaj pakicave serbe, nga ana e qeverisë së zotit Kurti. Pastaj doli në tribunën e Purgatorit, ku besohet se zakonisht bëhet pastrimi nga mëkatet, kokoshi Vuçiç, i cili duke përfituar nga taktika e ndërkombëtarëve “Na bubi, na!”, trashi zërin, duke fshehur pas një përgjërimi “pacifist”, një kërcënim ndaj shqiptarëve, që nuk deshën ta kuptojnë vetëm ata që nuk kanë jo vetëm sy e veshë, por edhe mendjen në kokë. Parashtroi ato shtatë pikat, që mesa duket, në të ardhmen do vijojnë të shtohen, pasi nuk janë tjetër, veçse pretekste për ta shpënë deri në fund qëllimin e vërtetë, atë të rimarrjes së Kosovës, shpirtit të atij populli, (ose të paktën Veriun e saj), që sipas atij dhe interesave të tij elektorale, ia kanë hequr nga duart padrejtësisht e forcërisht Serbisë.

Thënë më qartë, ai kërkon ato asociacionet e famshme që më tej t’i përdorin si placdarme për të aneksuar përsëri Kosovën. E pandarë kjo nga ato fjalimet e Milorad Dodikut se gjysmën e Bosnjës do t’ia aneksojnë Serbisë. Në gjithë këtë fushatë, ky Gebels i ri, pasi glorifikon “heroin” kriminel Sllobodan Millosheviç, se ai paska dashur Serbinë e Madhe, pavarësisht se ata perëndimorët e çuan për gjykim në Hagë, e mban vrapin edhe te shkolla ushtarake, ku deklaron: “Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as do ta bëjmë, por duam t’i sprapsim ata që na kërcënojnë çdo ditë”. E gjithë kjo nuk mbetet vetëm te fjalët, por materializohet me ligjin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Këto mendime ogurzeza i pamë edhe te blerja e 12 avionëve “Rafale” nga një vend i NATO-s si Franca, e të tjera veprime që diplomacia e atij vendi agresor ka ndërmarrë tash së fundi, me rusë e kinezë. Madje, qeveria me urgjencë përpiloi vendimin që kërkon masa për ta shpallur Kosovën “Zonë nën mbrojtje të posaçme sociale”.

Edhe njeriu më apatik dhe më pak i interesuar për këto zhvillime, po të pyetet se për çfarë kërcënimesh e ka fjalën ky Vuçiçi, do të thotë “O për ndonjë sulm nga alienët, ose nga shqiptarët (hë për hë), e Kosovës”. Dikush e ka thënë më së miri se “Lufta nuk evitohet, në qoftë se nuk evitohen mendimet për luftën”. Ajo që është shqetësuese për ne, dhe që më duket sa e çuditshme aq dhe e papranueshme, është qëndrimi i qeverisë sonë, që bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Patjetër që ajo ka plot probleme, rend ku krimi është gjallëruar, rrugë me kosto marramendëse, korrupsionin që s’ka shejtan ta frenojë, pallate që nuk dihet me se ndërtohen, mjekësi që për pak do të ishte falas, pensione që do të rriten kur gjysma të kenë shkuar në botën tjetër, e deri dhënia përgjigje opozitës së përçarë, që lehka si qeni (e thotë edhe ai posteri i “Krishtit” në një lokal të Elbasanit), duke e stigmatizuar për anëtarë të ekipit qeverisës që hanë fruta pas krahëve të saj (të shpresojmë të mos jetë mes tyre “fruti i ndaluar” i Kopshtit të Edenit), shumë prej të cilëve janë prangosur, por që askush nuk mban përgjegjësi, qoftë edhe morale.

Nuk e di se çfarë duhet pritur tjetër për të reaguar!? Justifikimi se jemi anëtar të NATO – qëndron pjesërisht. Po ne për veten tonë, për atdheun tonë, për Kombin tonë, duarkryq do të rrimë? Tani që kemi një ushtri fare të cunguar, duhet të jemi më shumë se kurrë të preokupuar. E bëmë gabimin trashanik dhe tragjik, duke e shkatërruar ushtrinë, duke harruar atë thënien e famshme të Napoleonit më duket, se “Ishte më shumë se një krim, ishte një gabim”, por ky gabim nuk duhet thelluar më tej. Qeverisë shqiptare, prej dekadash ia kanë mbyllur gojën ndërkombëtarët, sikur të mos ekzistojë as Kosova e as Çamëria, por tani që jemi para një rreziku real, para zgjerimit të sulmit provë në Banjskë, ç`duhet të bëjmë? Detyrat dalin dhe vendimet merren në raport me ngjarjet e reja dhe ato nuk janë aspak në favor të paqes e mirëkuptimit. Bisedimet mes Vuçiçit dhe Kurtit janë të rrahësh ujë në havan.

Stërzgjatja e tyre i shërben më shumë amplifikimit të mosmarrëveshjeve dhe sherreve. Si mund të besohet se do të merren vesh viktima me kriminelët që jo nuk ndiejnë pendesë, por mburren me masakrat që bënë ndaj popullsisë kosovare? Para stepjes së qeverisë sonë, ne popullit të thjeshtë, nuk na mbetet tjetër, veçse t’u kujtojmë Vuçiçërve sot dhe atyre që do të vinë pas tyre: “Provojeni një herë dhe do të shihni sesa u vlen lëkura”. Ne kurrë nuk kemi provokuar apo sulmuar të tjerët, por referojuni historisë dhe nxirrni mësime prej saj. Sido që të paraqiten situatat politike, ne do të dimë t’i japim kujtdo përgjigjen e duhur, pa u turpëruar para brezave dhe para historisë. Ne shqiptarët durojmë shumë, por vjen një çast, kur ashtu sikurse thosh Burke “…ekziston kufiri, kur durimi pushon së qënuri virtyt”.

Kurse Virgjili tek “Eneida” ka një shprehje shumë domethënëse “Jam proximus ardet Ucalegon” që do të thotë “Tashmë po digjen shtëpitë e afërta të Ukalegonit” dhe që kishte parasysh se rreziku që na kërcënohet është shumë afër. Vëllezërit tanë në Kosovë, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë për përkrahjen tonë. Si mund t’i lëmë ata në fatin e tyre, duke u bashkuar me ata që u kanë kthyer krahët dhe ndërmarrin sanksione ndaj saj, vetëm e vetëm pse mbrojnë pavarësinë, sovranitetin dhe dinjitetin e atdheut?

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura