Këshillat nga Budapesti

Sep 27, 2024 | 7:48
SHPËRNDAJE

DEMUSH SHASHADEMUSH SHASHA

Diplomatët perëndimorë këshillojnë se duhet të injorojmë se çfarë flet Vuçiçi publikisht dhe se duhet të shikojmë veprat e tij, jo fjalimet e tij. Fjalimet mund t’i këtë ruse, por veprimet i ka perëndimore. Problemi me këtë qasje, siç e ka përshkruar bukur ambasadori amerikan në Hungari, është se dikur do të kuptojmë se fjalimet e Vuçiçit, ndonëse “vetëm fjalë”, janë duke e ndryshuar Serbinë përgjithmonë.

Kjo javë është më e rëndësishmja në diplomacinë ndërkombëtare, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork për sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ngjarja është një lloj olimpiade diplomatike po deshët. Nga këpuca e Khrushchevit deri te “rocket man” i Trumpit, UNGA është forum global, i cili i lejon çdo vendi, të madh apo të vogël, që të promovojë interesat e tij në podiumin më të rëndësishëm global. Kësisoj, fjalimet në UNGA janë një balancë delikate në mes mesazheve politike të destinuara për audiencën e brendshme dhe mesazheve të jashtme, që komunikojnë pozicionimin e vendit tënd karshi zhvillimeve kryesore globale. Kjo është edhe arsyeja përse kancelaritë e botës analizojnë çdo fjalim të liderëve për të kuptuar se kush qëndron në cilën anë të ndarjes Perëndim vs Lindje. Dhe, përderisa një pjesë e madhe e botës ka të drejtë të qëndrojë neutrale, në veçanti ajo që e quajmë “Jugu Global”, pjesa tjetër pritet që të vendoset qartazi në njërën anë të kampit – Perëndim apo Lindje.

Dhe në gjithë këtë mes Presidenti i Serbisë, Vuçiç, nuk lejoi që të ikë kjo mundësi për të bërë të qartë se ai nuk qëndron me Perëndimin. Fjalimi i tij dhe temat e përzgjedhura ishin shembull i bukur i funksionimit të mekanikës së propagandës ruse kundër Perëndimit.

Tema 1 ruse: Perëndimi si sulm mbi vlerat tradicionale. Kjo është temë, e cila shfaqet rregullisht në epiqendër të fjalimeve të Putinit. Putini ka shkuar aq larg, saqë e ka quajtur këtë sulm “satanik” duke i dhënë kështu edhe konotacion fetar. Kjo fushatë është intensifikuar në veçanti në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës. Përdorimi i saj ka për qëllim ta pikturojë Rusinë si mbrojtëse e fesë krishtere dhe e vlerave konservatore. Për shembull, më 21 shkurt 2022, në drejtimin vjetor para Parlamentit rus, Putini e akuzoi Perëndimin se është “duke e sulmuar kulturën tonë, Kishën Ortodokse ruse dhe organizatat e tjera fetare të vendit tonë. Shikoni çfarë është Perëndimi duke i bërë popullit të vet: shkatërrimi i familjes, identitetit kulturor dhe nacional, abuzimi me fëmijë, madje edhe pedofilia është bërë normë”.

Në fjalimin e 24 shkurtit 2022 mbi pushtimin e Ukrainës, Putini përsëri iu kthye temës së sulmit të Perëndimit mbi vlerat tradicionale. Ai tha: “Ata kanë tentuar të shkatërrojnë vlerat tona tradicionale dhe të imponojnë mbi ne pseudovlerat e tyre, të cilat shpien drejt degradimit dhe degjenerimit, sepse janë në kundërshtim me vetë natyrën e njeriut”.

Dhe përsëri, më 30 shtator 2022, në ceremoninë e aneksimit të katër rajoneve ukrainase, Putini iu kthye sulmit të Perëndimit mbi vlerat tradicionale duke thënë se, “ata tani kanë lëvizur drejt mohimit radikal të normave morale, fetare dhe familjare… Le të tentojmë t’iu përgjigjemi disa pyetjeve të thjeshta për vete… A dëshirojmë që ne këtu në vendin tonë, në Rusi, të kemi prindër numër një dhe prindër numër dy, në vend të nënës dhe babait? A kanë luajtur nga mendtë ata atje…? A dëshirojmë t’u ofrojmë fëmijëve tanë operacionet për ndryshimin e gjinisë?”.

Pra, sulmi i Perëndimit mbi vlerat tradicionale është temë e rregullt e propagandës ruse, e cila shërben për të degraduar Perëndimin dhe për të pikturuar shoqëritë perëndimore si moralisht të korruptuara dhe politikisht dekadente. Dhe pikërisht këtë temë Presidenti Vuçiç zgjodhi ta bëjë epiqendër të fjalimit të tij. Kësisoj, Vuçiç tha: “Serbia është shtet modern, por nuk është e gatshme që të sakrifikojë vlerat e saj tradicionale. Serbia do të arrijë t’iu rezistojë të gjitha imponimeve që vijnë nga jashtë nga lëvizja e ashtuquajtur ‘Woke’”. Të nesërmen titulli në gazetën “Danas” përmblodhi bukur habinë e popullit serb: “Çfarë është ‘Woke’ kundër të cilit lufton Vuçiçi në Kombet e Bashkuara?”. Pra, qartazi propagandimi i kësaj teme nga Vuçiçi nuk ka të bëjë asgjë me brengat reale të popullit serb dhe ka të bëjë gjithçka me sforcimin e propagandës ruse kundër Perëndimit nga ana e Vuçiçit.

Tema 2 ruse: Lufta bërthamore është afër. Një nga temat kryesore të Putinit është kërcënimi i Perëndimit me përshkallëzimin e luftës në Ukrainë me përdorimin e armeve bërthamore. Kësisoj, disa herë Putini personalisht ka përsëritur këtë kërcënim. Qëllimi i tij është që të përmbajë liderët perëndimorë nga ndihma që janë duke i ofruar Ukrainës, por edhe të mbajë qytetarët e vendeve perëndimore në një presion psikik, me qëllim të lodhjes së tyre nga lufta në Ukrainë. Kështu, Vuçiç mori edhe këtë temë të propagandës ruse dhe e bëri pjesë të fjalimit të tij. Ai tha: “Bota është në pragun e fatkeqësisë bërthamore dhe të holokaustit bërthamor”. Ai e tha këtë në një kohë kur nuk ka asnjë shenjë serioze për një gjë të tillë dhe kur e vetmja adresë që propagandon një gjë të tillë është Moska.

Tema 3 ruse: Hipokrizia e Perëndimit. Putini rregullisht e akuzon Perëndimin për hipokrizi. Kjo është një temë e propagandës ruse, e cila është në veçanti e suksesshme, sepse vetë Perëndimi në raste të caktuara ka përdorur forcën në kundërshtim me ligjin. Ajo është e suksesshme, sepse ka grimcat e së vërtetës. Por gjysma e së vërtetës është më e keqe se gënjeshtra. Kjo është edhe arsyeja përse përdorimi i kësaj propagande ruse nga Vuçiçi është në veçanti e dëmshme. Në fjalimin e tij, Vuçiçi relativizoi pushtimin rus të Ukrainës, duke e cilësuar atë si vetëm një “ngjarje tragjike”. Më tutje, ai relativizoi pushtimin rus të Ukrainës, duke e barazuar atë me sulmin e NATO-s mbi Serbinë. Ai vendosi shenjën e barazimit në mes Perëndimit dhe Rusisë duke thënë: “Askush më nuk dëgjon askënd… Secili ka parimet e tij dhe askush nuk pranon gabimet e veta”. Ai e akuzoi Perëndimin për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik dhe e cilësoi Perëndimin si “mekanizëm i gënjeshtareve dhe mashtrimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Ka zëra që thonë se duhen injoruar fjalimet publike të Vuçiçit. Ato janë vetëm fjalë. Në veçanti diplomatët perëndimorë këshillojnë se duhet të injorojmë se çfarë flet Vuçiçi publikisht dhe se duhet të shikojmë veprat e tij, jo fjalimet e tij. Fjalimet mund t’i këtë ruse, por veprimet i ka perëndimore – nga mbështetja e Ukrainës me armë deri te mbështetja e Perëndimit me litium. Problemi me këtë qasje, siç e ka përshkruar bukur ambasadori amerikan në Hungari, z. David Pressman, është se dikur do të kuptojmë se, “strategjia jonë që të trajtojmë komunikimin publik të Qeverise hungareze si ‘vetëm fjalë’ ka qenë e gabuar. Këto fjalë janë politikë. Dhe ato janë duke e ndryshuar Hungarinë”. Kësisoj edhe fjalimet e Vuçiçit, ndonëse “vetëm fjalë”, janë duke e ndryshuar Serbinë përgjithmonë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura