Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar për dënimin e deputeti të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, me një vit burg.
Lapaj argumenton se deputeti Salianji akuzohet për “Kallëzim të rremë” sipas nenit 305 të Kodit Penal, dhe referuar përmbajtjes së dispozitës, dënimi që ajo parashikon është me gjobë ose burg deri në 5 vite.
Sipas avokatit Lapaj, ligjvënësi ka parashikuar se ndëshkimi për këtë vepër nis nga gjoba pikërisht në ato raste kur nga rrethanat e veprës nuk del rrezik i lartë për shoqërinë.
Ai thekson se nisur nga faktet, rezulton se deputeti denoncoi publikisht një fakt i cili u provua, pasi vëllai i ministrit, Geron Xhafaj, përfundoi në burg për llogari të drejtësisë italiane.
“Nga eksperienca ime profesionale për këtë lloj vepre kam vërejtur se gjykatat tona nuk e kanë aplikuar dënimin me burg. Atëherë pse dënim me burg për një deputet që denoncoi një fakt të vërtetë kur praktika për këtë vepër nuk ka aplikuar burgun?”, shkruan ai.
Ndër të tjera, Lapaj shkruan se Salinjin e ka kundërshtar politik, por kjo situatë ndaj tij mban erë e kutërbon.
Reagimi i Adriatik Lapajt
Pra, deputeti Salianji akuzohej për “Kallëzim të rremë” sipas nenit 305 të Kodit Penal. Referuar përmbajtjes së dispozitës dënimi që ajo parashikon është me gjobë ose burg deri në 5 vite.
Ligjvënësi ka parashikuar se ndëshkimi për këtë vepër nis nga gjoba pikërisht në ato raste kur nga rrethanat e veprës nuk del rrezik i lartë për shoqërinë.
Nisur nga faktet rezulton se deputeti denoncoi publikisht një fakt i cili u provua pasi vëllai i ministrit përfundoi në burg. Thënë ndryshe edhe pse denoncimi brenda mund të ketë pasur shkelje ligji (në disa nga aspektet e veta) në thelb ka qenë i provuar sa kohë subjekti i denoncimit shkoi në burg për llogari të drejtësisë italiane.
Nga eksperienca ime profesionale për këtë lloj vepre kam vërejtur se gjykatat tona nuk e kanë aplikuar dënimin me burg. Atëherë pse dënim me burg për një deputet që denoncoi një fakt të vërtetë kur praktika për këtë vepër nuk ka aplikuar burgun?
Unë me subjektin politik që Ervin Salianji përfaqëson jam përballë, por kjo situatë mban erë e kutërbon, kur pikërisht sot Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjyaktës së Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën e “arrestit me burg” për 2 nga drejtorat e 5D që akuzohen se kanë përlarë dhjetëra milionë euro nga taksat tona.
Mban erë kur dënohet me burg një njeri që akuzoi një fakt dhe nuk shkojnë në burg ata që vodhën 400 milion euro të incineratorëve e me radhë.
Shkon në burg një njeri që denoncoi një fakt, por as nuk nis hetim fare ndaj atyre që nga arroganca i shkaktuan Shqipërisë 110 milion euro dëm ndaj Beketit.
Mban shumë erë!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al