Mësimi i gërshetuar me praktikën është kthyer tashmë në moton e Universitetit “Luarasi”, i cili në këtë vit akademik ka siguruar disa partnerë dhe bashkëpunëtorë që ndihmojnë studentët në arritjet e tyre akademike.
Një prej tyre është Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kjo drejtori së bashku me Fakultetin e Drejtësisë te “Luarasi” kanë hapur “Klinikën e Ligjit”.
Universiteti “Luarasi”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë kanë ngritur klinikën ligjore, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që u duhet të përballen me drejtësinë, por që nuk kanë mundësi financiare dhe që u përkasin grupeve të margjinalizuara, por nga ana tjetër shërben për t’u ofruar studentëve të drejtësisë praktikën reale pranë universitetit.
“Është në vazhdën e shumë marrëveshjeve që kemi bërë për ta afruar shkollën me realitetin, praktikën. Ne kemi dëshirë që juve t’ju afrojmë sa më shumë me profesionin. Keni nevojë që ta prekni sistemin e drejtësisë nga afër, përtej leksionit. Mendoj që Klinika Ligjore është një mjet shumë i rëndësishëm që ju jep mundësi juve të ushtroni profesionin tuaj praktikisht në shërbim të njerëzve në nevojë, të cilët nuk kanë mundësi të marrin ndihmë juridike për shkak se nuk kanë mundësi financiare”, tha rektori i universitetit “Luarasi”, profesor Ethem Ruka.
Për dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, prof. asoc. dr. Rezana Konomi, ky projekt rëndësishëm sjell përfitim të dyfishtë: shtresat në nevojë marrin ndihmë juridike falas, ndërsa studentët e drejtësisë kanë një mundësi shumë të mirë për të përfituar njohur praktike.
“Ky projekt ka si qëllim ndihmesën e shtresave në nevojë, të cilët nuk kanë mundësi financiare të ndjekin të drejtat e tyre. Studentët tanë të vitit të tretë do asistojnë me pedagogun mbikëqyrës rast pas rasti të gjitha ankesat që vijnë qoftë nga Zyra e Ndihmës Juridike Falas, qoftë edhe nga vetë qytetarët në nevojë pranë klinikës sonë.
Në semestrin e dytë, studentët do të kenë mundësi të japin këshillim ligjor falas, pse jo të jenë edhe në “rolin” e avokatit nën mbikëqyrjen e pedagogëve. Kështu, ata marrin dhe ekspertizën e duhur profesionale për të qenë nesër juristët e ardhshëm të tregut të punës”, u shpreh dekania Konomi.
Klinika Ligjore është urë ku gërshetohet teoria me praktikën. Me ndihmesën e pedagogëve, studentët do arrijnë të materializojnë lëndën teorike me praktikën, por njëkohësisht të prekin nga afër rastin, duke i dhënë dhe ndihmën konkrete.
Ergys Qirici, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, u shpreh se listës së institucionit që drejton i është shtuar dhe “Klinika e Ligjit Luarasi”.
“Unë mendoj që kjo do shërbejë mjaft për studentët e këtij fakulteti, pasi do t’i afrojë me tregun e punës duke dhënë ndihmë juridike. Ajo do të jetë falas, pasi janë subjekte të parashikuara nga ligji. Kemi ndoshta pesëfishim të vendimeve gjyqësore të subjekteve që kanë përfituar tashmë ndihmë juridike gjyqësore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al