Kokëfortësia e dilemës evropiane

Dec 21, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA DEMUSH SHASHA DEMUSH SHASHA

Ndonëse qeveria mund të gjejë ngushëllim të përkohshëm në vendimin e BE-së për heqjen graduale të masave, ajo ngelet e ballafaquar me po të njëjtën dilemë të vjetër: dialog apo izolim.

Liderët e Bashkimit Evropian takuan më datën 18 dhjetor liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot do të vazhdojnë samitin e BE-së me diskutimin rreth mbështetjes së Ukrainës. Me fjalë të tjera, për dy ditë radhazi, liderët e BEsë do të diskutojnë çështjet që ndërlidhen me zgjerimin. Kësisoj, edhe ky samit është konfirmim i radhës për rritjen e vëmendjes së BE-së për procesin e zgjerimit. Këtë e pamë edhe në kuadër të konkluzioneve të kësaj jave të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BEsë për procesin e zgjerimit. Ka kohë që nuk ka pasur konkluzione më optimiste për procesin e zgjerimit. Së paku për dy “front runners” të ri: Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Në rastin e Malit të Zi, Këshilli foli me ton superlativ për reformat e ndjekura nga Podgorica. Mali i Zi ka bërë progres të mirë në gjithë procesin negociator me hapjen e gjithë tridhjetë e tri kapitujve dhe mbylljen e përkohshme të gjashtë kapitujve. Kjo është edhe arsyeja përse Këshilli ka bërë të qartë se është i gatshëm të nisë përgatitjet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi, natyrisht nëse Podgorica ruan këtë kurs të reformave. Kjo është hera e parë në historinë e procesit të zgjerimit të rajonit tonë që BE-ja ka njohur faktin se një vend i rajonit është afër “finish linë-it” të anëtarësimit. Ndonëse edhe shumë kohë mbetet që Mali i Zi të përmbushë të gjitha reformat e kërkuara në procesin integrues, thjesht hapja në horizont e perspektives reale të anëtarësimit të Malit të Zi në BE do të ishte motivim i jashtëzakonshëm për gjithë rajonin tonë.

Po kështu, edhe Shqipëria pati arsyet për festë. Kjo ishte hera e parë në kuadër të konkluzioneve të Këshillit që Shqipëria është renditur para Maqedonisë së Veriut. Ky ishte reflektim i progresit të ndjeshëm të Shqipërisë në kuadër të rrugës së saj integruese. Vetëm këtë vit Shqipëria hapi dy grup-kapitujsh brenda një muaji: grup-kapitullin një: themeloret dhe grup-kapitullin gjashtë: punët e jashtme. Ky progres i Shqipërisë në kuadër të rrugës së saj integruese u bë i mundur falë progresit të Shqipërisë në tri dimensione të ndara: (1) zbatimi i reformës gjyqësore, (2) rolit të saj thelbësor në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe (3) rolin e saj aktiv në përafrim me politikën e jashtme të BE-së dhe misionet e sigurisë së NATO-s. Me këtë trend të avancimit të Shqipërisë drejt BE-së nuk do të ishte fare befasi, nëse Shqipëria tejkalon Serbinë dhe i bashkohet Malit të Zi si vendet e para të rajonit që do anëtarësoheshin në BE. Për të katërta vendet e tjera situata është pak më e zymtë.

Ndonëse për secilën prej tyre përmendet progresi i arritur është e qartë se këto katër vende i përkasin ligës së dytë të procesit të anëtarësimit. Le të fokusohemi tek Serbia dhe Kosova. Në rastin e Serbisë është një listë e gjatë e detyrave, ku BE-ja pret që Serbia të bëjë progres, duke filluar nga mediat dhe liria e shprehjes e deri tek reforma zgjedhore dhe të drejtat e minoriteteve. Këshilli në veçanti ka përdorur një gjuhë të vendosur për të kërkuar “urgjentisht” dënimin e të gjithë personave të përfshirë në rastin Banjska, duke shprehur njëkohësisht “keqardhje” se Serbia nuk ka marrë masa të mjaftueshme në këtë drejtim. Kjo ishte edhe arsyeja përse BE-ja nuk pranoi të hapë grup-kapitullin tre me Serbinë.

Sa i përket Kosovës, lajmi kryesor është se BE-ja është dakorduar që të fillojë gradualisht të heqë masat ndaj vendit tonë, paralelisht me depërshkallëzimin e vazhdueshëm në veriun e vendit. Njëkohësisht, sikur në rastin e Serbisë, Këshilli ka bërë përsëri për të njëmijtën herë të qartë se progresi drejt BE-së është i kushtëzuar me progresin në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim, Këshilli pret që të gjithë përfaqësuesit e dorëhequr nga institucionet e Kosovës të kthehen në institucione pa asnjë parakusht nga ana e Serbisë. Njëkohësisht, Këshilli pret që Kosova do të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, në përputhje me propozimin e BE-së, ndërsa Serbia do të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Me fjalë të tjera, Këshilli konfirmoi status quon që është vendosur tash e një kohë në kuadër të dialogut. Kjo status quo është reflektuar edhe në kuadër të procesit integrues të dy vendeve. Kosova nuk ka avancuar në rrugën e saj integruese drejt BE-së qysh nga viti 2016. Serbia nuk ka avancuar asnjë hap qysh nga viti 2021. Dhe është vështirë të shihet se si kjo do të ndryshojë në një të ardhme të parashikueshme. Në Kosovë e gjithë pjesa e parë e vitit tjetër do të fokusohet në zgjedhjet parlamentare dhe rezultatin e tyre. Në Serbi protestat e vazhdueshme kanë potencialin e krijimit të një mjedisi të ri politik. Kësisoj, gjatë vitit 2025 Kosova dhe Serbia rrezikojnë që të ngecin edhe më mbrapa vendeve sikur Mali i Zi dhe Shqipëria. Ndoshta edhe nuk do të jetë kështu – thonë se shpresa vdes e fundit. Viti tjetër do të jetë test i këtij epigrami.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura