PROF. ASOC. DR. JORDAN DACI
Përtej dallimeve të lehta, fjalët kombi, etnia dhe nacionalizmi përdoren pothuajse në të gjithë botën dhe kuptimi i tyre është pak a shumë i njëjtë në shumicën e rajoneve me disa përjashtime të vogla. Këtu mund të përmend rastin e SHBA-ve, ku këto fjalë kanë kuptime të ndryshme në krahasim me vende të tjera si: Gjermania, Polonia dhe vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë dhe vendet fqinje. Origjina e fjalës ‘komb’ mendohet të jetë e prejardhur nga gjuha latine dhe që rrjedh nga paskajorja e foljes ‘nasci’, që do të thotë ‘për të lindur’ ose ‘me lind’, ose pjesorja ‘lindur’ dhe prej këtej emri latin ‘nationem’, që do të thotë ‘racë’. Këto fjalë u futën në fjalorin e gjuhës angleze në fund të shekullit të trembëdhjetë, duke pasur si domethënie “një grup me lidhje gjaku”, por nga fillimi i shekullit të shtatëmbëdhjetë u përdor për të përshkruar banorët e një vendi.
Mënyrat e ndryshme të të kuptuarit të këtyre fjalëve dhe kuptimet e tyre është në një farë mënyre një nga arsyet kryesore që shpjegon ekzistencën e shumë teorive mbi këto çështje, përveç arsyes kryesore që janë emocionet që ngjall përdorimi i këtyre fjalëve. Kuptimi i ndryshëm i këtyre fjalëve për amerikanët i bën ata të aftë ta quajnë veten si amerikanë që i përkasin ‘Kombit amerikan’, por ndjenjat e tyre të përkatësisë ndaj kombit amerikan nuk janë të njëjta me ndjenjat e gjermanëve për të qenë pjesë e kombit gjerman.
Walker Conner thoshte se kombi amerikan është ‘një komb emigrantësh’ dhe jo një komb amerikanësh. Ka shumë përkufizime për konceptin e kombit dhe një prej tyre jepet si më i plotë nga Stalini, i cili e përkufizonte atë si vijon: “Një komb është një bashkësi njerëzish e krijuar për gjatë historisë, e cila është e qëndrueshme, e formuar mbi bazën e një gjuhe të përbashkët, territori të përbashkët, jetës ekonomike dhe psikologjike të përbashkët dhe të gjitha këto të shfaqura në një kulturë të përbashkët”. Ndërsa, Max Weber e përkufizon kombin si ‘një bashkësi e prejardhur’ ose ‘bashkësi pasardhësish’, por e dallon atë nga komunitetet etnike bazuar në shkallën e vetëndërgjegjjes; ndërsa një grup etnik duhet të përkufizohet ose të përcaktohet, një komb duhet të jetë i vetëpërkufizueshëm ose i vetëpërcaktuar. Nga ana tjetër, fjala ‘Etni’ është fjala greke sinonim i fjalës latine ‘komb’ dhe në të fakt në Ballkan, ‘Etni’ do të thotë domosdoshmërish ‘Kombësi’.
Megjithatë, disa sociologë amerikanë me grupin etnik nënkuptojnë “një grup me një traditë të përbashkët kulturore dhe një ndjenjë solidariteti që ekziston si një nëngrup i një shoqërie më të madhe”. Në të vërtetë, ky koncept për përkatësinë etnike cenon kuptimin e tij origjinal. Nacionalizmi është në vetvete një krijim shumë i kohëve të fundit. G. de Berter de Sauvigny beson se ai u shfaq për herë të parë në letërsi në 1798 dhe nuk u rishfaq deri në vitin 1830. (Walker Conner) Në një nga fjalorët e marrëdhënieve ndërkombëtare, thuhet se nacionalizmi është “një emocion masiv, është forca politike më e fuqishme vepruese në botë” ose për disa autorë të tjerë nacionalizmi është “një formë e besnikërisë ndaj një shteti”.
Doktrina kryesore e nacionalizmit mbron nevojën për një shtetkomb për çdo komb. Mazzini në shkrimin e tij mbi “Mbretërimi dhe Republikanizmi në Itali 1848”, thoshte se: “Italia dëshiron të jetë një komb dhe autonomia e shteteve të ndara sikurse ishte Italia në atë kohë ishte një gabim historik”. Këto ide janë ende baza kryesore e ideologjisë së sotme nacionaliste në përgjithësi duke përfshirë atë ballkanike. Megjithatë, për shumë nacionalistë bashkëkohorë, të jesh nacionalist do të thotë dashuri dhe punë për kombin tënd dhe të pranosh të tjerët. Nisur nga këto qasje botërore dhe rajonale, Kombi shqiptar është një komb tërësisht i vetëpërkufizuar dhe i vetëpërcaktuar, që nënkupton që nuk ka nevojë që dikush të përpiqet të japë një përkufizim se çdo të thotë Komb shqiptar, pasi kjo gjë është lehtësisht dhe menjëherë e kuptueshme nga kushdo pa pasur nevojë për asnjë përpjekje të posaçme, pasi tiparet e tij janë të dukshme dhe të pranishme, që nga kur është krijuar njerëzimi e në vijim.
Në të vërtetë, as nga radhët armiqve me të mëdhenj të shqiptarëve, kurrë nuk ka pasur ndonjëherë paqartësi të asaj se çfarë është dhe si duket një Shqiptar dhe çfarë është dhe si shfaqet Kombi shqiptar. Ndërkohë, që shtetësia ose thjesht marrëdhënia juridike midis një personi me një shtet midis shqiptarëve, është e shumëfishtë duke filluar nga vendet fqinje për shqiptarët që banojnë aty apo sipas shteteve ku jetojnë të tjerët nëpër botë. Megjithatë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovë, nevoja për simbole individuale shtetërore për shtetin më të ri të shqiptarëve, çoi domosdoshmërish në krijimin e flamurit dhe konceptit të shtetësisë së Kosovës, por kurrsesi nuk mund të kuptojë krijimin e një ‘Kombi Kosovar’ sikurse mendojnë në rastin më të mirë ca matufë akademik dhe në rastin me të keq, por më të zakonshëm, argatët e shteteve dhe interesave antishqiptare.
E thënë kështu, duket se gjithë diskutimi mbi ‘Kombin Kosovar’ është një diskutim rutinë i disa personave, por në fakt, qëllimet dhe objektivat e largëta të një diskutimit të tillë artificial janë me pasoja tepër të rënda për të ardhmen e shqiptarëve, Shqiptarisë dhe Kombit shqiptar në botën e nesërme. Këto individë, shpeshherë qesharak, sharlatanë dhe pa asnjë tipar për t’u lavdëruar, janë plotësisht të vetëdijshëm për dëmin që shkakton retorika e tyre dhe provokimet e vazhdueshme që iu bëjnë shqiptarëve dhe nuk duan as më shumë as më pak se atë çfarë antishqiptarët në Ballkan e me gjerë kanë dashur të ndodhi me ne. Në fakt, për disa që flasin edhe serbisht, këtë dallim e kanë bërë fqinjët tanë tashmë me kohë, ku shqiptarët e Shqipërisë i cilësojnë si ‘Albanski’ dhe ato të Kosovës si ‘Shkiptari’ (një formë fyese). E pra, edhe përpjekja krejtësisht e çmendur, por plot dashakeqësi për krijimin e Kombit inekzistent Kosovar, është fiks një paralelizëm i plotë i qëllimit të përbashkët për të copëzuar shqiptarët në sa më shumë grupime dhe aq më mirë në disa “kombësi” pasi në këtë mënyrë, çështja e shqiptarëve dhe e shqiptarisë në Ballkan është me e lehtë për t’u zgjidhur në kurriz të shqiptarëve, sikurse ka ndodhur prej kur janë krijuar shtetet e deri më tani.
Duhet nënvizuar që kjo sërë e keqe nuk vepron e vetme, por është pjesë e një fronti të gjerë dhe gjithëpërfshirës për një dëmtim sistematik të interesave shqiptare, sot dhe në të ardhmen, duke synuar zhbërjen e mundësisë që shqiptarët të diktojnë zgjidhje dhe qasje në përputhje me interesat e veta. Që ne shqiptarët të jemi të aftë të diktojmë, duhet që të jemi të bashkuar më shumë se kurrë në histori, kjo pasi viti 2024 dhe në vijim paraqitet të jetë një periudhë kyçe e kapërcimit në një erë të re të aleancave dhe të rikonfigurimeve gjeografike të aleancave dhe kufijve ekzistues të tyre. Nuk duhet harruar, që për Kosovën u deshën disa shekuj shtypje dhe gjenocid për të rifituar lirinë nga fqinjët tanë, ndërsa për humbjet e reja që shqiptarët dhe Shqiptaria mund të pësojnë mund të duhet dyfish kohë për t’u zhbërë, apo disa mund të jenë edhe të pazhbëshme në një botë të re që pritet të krijohet për gjeneratat e ardhshme.
Kjo pasi, ndërkohë që antishqiptarët dhe argatët e tyre punojnë ditë e natë kundër interesave tona, midis shqiptarët disa janë të zënë me përfitimet që u krijon pushtetit, pushtetarëve, një pjesë tjetër e ka pllakosur analfabetizmi, një pjesë tjetër ngatërron besimin me kombësinë dhe një pjesë tjetër janë të humbur në mjerimin që i na ka pllakosur njësoj si në kohën para rilindjes kombëtare. Gjithë këto probleme që po përjetojnë shqiptarët kudo që ndodhen në Ballkan dhe pengesat për forcimin e të gjitha kapaciteteve tona, janë receta e duhur për të zhbërë çfarë është arritur me kaq shumë sakrifica dhe për të përmbushur në të ardhmen ëndrrat e antishqiptarëve dhe argatëve të shumtë të tyre. Prandaj, i duhet thënë “jo” çdo fantazie keqadashëse për krijimin e kombeve midis shqiptarëve, pasi shqiptarët kanë vetëm një komb dhe ai është Kombi shqiptar./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al