Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të lirohet sërish përkohësisht nga qelia ditën e sotme për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up.
Ndonëse u paraqit që prej orës 10:20 të paradites së djeshme në Komision ish Beqaj, nuk mundi të dëshmojë prej 9 orësh.
Shkak u bënë debatet nëse duhet të zgjatet mandati i Komisionit, i cili përfundon ditën e sotme më 13 nëntorit. Në këtë mënyrë dështoi dhënia e dëshmisë së ish-ministrit Ilir Beqaj në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi. Që në nisje të seancës Beqaj kërkoi që të gjithë deklaratën e tij, që ia lejon Rregullorja e Kuvendit, por dhe anëtarët e komisionit, ta prezantonte me tabela në “Power Point”.
Çka u kundërshtua nga kryetarja demokrate e komisionit e që çoi në një debat që vazhdoi për 3 orë. Albana Vokshi theksoi se sipas procedurës ai duhet të bëjë një deklaratë dhe jo prezantim. Vokshi tha se komisioni hetimor nuk është as gjykatë as prokurori. Ndërkohë që Plarent Ndreeca u shpreh se kjo që po bën Vokshi, duke mos lejuar Beqajn të mos bëj prezantim dhe video është heqje e fjalës së lirë.
Në replikën e saj për Ndrecën, Albana Vokshi, tha se “nëse Beqaj do të bëjë prezantim të shkojë në Surrel”, duke nënkuptuar këtu kryeministrin Rama, i cili banon në Surrel. Seanca e djeshme u mbyll me propozim të nënkryetarit të komisionit, Plarent Ndreca, i cili tha se “nuk po i japim dot drejtim”.
Seanca e pyetjeve me ish ministrin Ilir Beqaj do të zhvillohet sot rreth orës 10:30.
“Këtu e mbyllim, me propozim të nënkryetarit e mbyllim sot për të vijuar nesër në 10:30 me të njëjtin rend dite”, tha Albana Vokshi.
Gjatë seancës maratonë, opozita kërkon me ngulm që në Komisionin e Sterilizimit dhe Check Up të marrë pjesë dhe të dëshmojë kryeministri Edi Rama. Anëtarja e Komisionit Zheni Gjergji tha se mazhoranca nuk gjen dot guximin që të thërrasë kryeministrin në Komision. Ajo tha se dëshmitë po vërtetojnë se urdhrat janë dhënë nga lart nga kryeministri Edi Rama dhe se paratë janë marrë nga Vilma Nushi.
“Mazhoranca nuk gjen dot guximin… Koncesioni i Sterilizmit dhe Check Up ishte sukses i jashtëzakonshëm i xhepave të Vilma Nushit dhe Rrapajt që dëshmoi dje. Gjeni guximin t’i çoni haber kryeministrit tuaj që të vij sepse ka për të dëshmuar shumë në këtë komision. Gjeni guximin dhe harroni alibitë e opozitës për të prishur këtë komision. Ne jemi të përgjegjshëm jemi këtu për të dëgjuar dëshmitarë. Por dëshmitë e tyre ditët e fundit ju kanë vendosur në siklet. Dëshmitë po vërtetojnë se urdhrat janë dhënë nga lart nga kryeministri dhe paratë janë marrë nga Vilma Nushi”, tha ajo.
PJESË NGA DEBATET NË KOMISIONIN HETIMOR
Albana Vokshi: Ju lutem gjeneralitetet tuaja!
Ilir Beqaj: Ilir Hamit Beqaj, datëlindja 18,02,1968
Albana Vokshi: Profesioni?
Ilir Beqaj: I papunë.
Albana Vokshi: Keni një deklaratë të kontekstualizuar?
Ilir Beqaj: Do të bëj një deklaratë, por do të shtroj dy kërkesa. Në statusin juridik, ligji përcakton se kur ju merrni leje në gjykatë për dëshminë time, dua të di nëse gjykata ka një kornizë për dëshminë. Prej 7-8 muajsh më keni akuzuar për hajdut
Alban Vokshi: SPAK jo ne
Ilir Beqaj: Jo, jo ju më keni akuzuar. Sot u morët me jam apo jo më pak a më shumë i mençur. Kam ardhur të përgjigjem si dëshmitar. Ligji më njeh të drejtën e një deklarate të kontekstualizuar. Dua ta demonstroj me zë dhe figurë. Është vetëm një foto. Ngjarjet nisin në tetor 2009 kur një anëtar komisioni ishte ministër e bleu centralin dhe për tre vjet e la në qese. Për këtë arsye në bazë të nenit 2 pika 7 thotë vendim i ndërmjetëm, vendim i komisionit të marrë në çdo fazë të hetimit për pyetjen e dëshmitarëve.
Albana Vokshi: E ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese. Do të flasësh për të drejtat e tua apo komisionit?
Ilir Beqaj: Neni 13 pika 2 tregon mënyrën se si merret vendimi, nuk parashikohet askund që vendimin e merr kryetarja. Më jepni një vendim për kërkesën që të vijojmë.
Albana Vokshi: Mbase ke qenë në arrest dhe nuk e di që Kushtetuesja i ka rrëzuar ato nene, ia ka lënë në tagër pakicës. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se hetimi parlamentar nuk ka mbivendosje nga hetimi penal. Sikur kemi vepruar edhe me dëshmitarë të tjerë, duke siguruar që kemi marrë të gjitha hapat e duhura, do ju ftoja të vijmë me deklaratën të kontekstualizuar.
Plarent Ndreca: Ne nuk kemi kufizim nga shkresa e ardhur nga prokuroria e posaçme.
Ilir Beqaj: Së dyti, edhe nga ajo që kam ndjekur nga seanca, shpesh është thënë për të informuar publikun. Prandaj dua të ilustroj me zë, figurë dhe numra.
Albana Vokshi: Unë i lexova të drejtat që jep ligji dhe respektojmë çdo të drejtë. Kodi i procedurës penale ka pasur të drejtën për një deklaratë të kontekstualizuar. Nuk jemi në konferencë, brenda të drejtave që përcakton ligji, do ju lutesha të kalojmë te deklarata dhe sa më koncize do të ishte akoma më mirë. Është dëshmi që e kemi kërkuar që në krye të herës dhe pyetjet janë të shumta nga ana e deputetëve.
Plarent Ndreca: E kuptova si një merak që ju keni për çështjen që keni në gjykatë, Nuk kemi kufizuar të ardhur nga shkresa e SPAK, nuk është shoqëruar me kufizim të caktuar.
Ilir Beqaj: Dua që këtë dëshmi për të informuar publikun dua të kem mundësinë të bëj një prezantim të ilustroj me zë, video, figurë numra ato që do të them në deklaratë. Kam marrë përgjigje negative.
Albana Vokshi: Keni të drejtën për një deklaratë të kontestualizuar paraprake, nuk thotë as prezantim as powerpoint, nuk jemi as në konferenca shkencore. Brenda të drejtave që ju jep ligji, sepse kemi shumë pyetje, pa humbur kohë të kaloni tek deklarata e kontestualizuar, të jetë sa më koncize.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al