Komploti i Blushit përballë realitetit që po përjetojmë me emigrantët deri te profecia e tij për Luftën e Tretë Botërore

Oct 20, 2024 | 10:45
SHPËRNDAJE

komplotiNGA ARANIT MURAÇI

Profecitë e (Michel de Nostredame) Nostradamusit, profeti francez i cili jetoi në Mesjetë, janë ndoshta më të famshmet dhe më të përhapurat sot në botë.

Prej mijëra vitesh dhe sot e kësaj dite miliona njerëz anembanë botës u besojnë profecive dhe profetëve fetarë.

Vështirë se mund të haset ndonjë profet shqiptar që të ketë bërë parashikime të bujshme, për të lënë gjurmë në periudhën kur ka jetuar ose jeton.

Janë po aq të shumtë ata të cilët besojnë më pak ose aspak te profecitë.

Libri i fundit i Ben Blushit, “Komploti” ngjan me një profeci, aq sa lexuesit lehtësisht i jep një mundësi të vërtetojë para syve të tij ngjarjet që tregohen me mjeshtëri në një kohë tjetër nga autori.

Janë dy ngjarjet e fundit me emigrantët në Lezhë që e bëjnë Komplotin e Ben Blushit, përveç se një ndër romanet më të lexuar të vitit të fundit, edhe një libër gati profetik.

Ngjarja e parë është e freskët. Në Shëngjin sapo kanë mbërritur emigrantët e parë nga vendet e botës së tretë, pjesë e marrëveshjes me Italinë. Shqipëria dhe Italia arritën një marrëveshje të bujshme nëntorin e kaluar për strehimin e migrantëve.

Marrëveshja, edhe pse është kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut dhe intelektualë, parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë të huaj në vit. Në Lezhë mbërritën 16 emigrantët e parë një ditë më parë, të cilët, ndonëse u rikthyen, i hapën zyrtarisht rrugën mbërritjes së një numri rekord emigrantësh.

Në ngjarjen tjetër, siç dihet prej tre vitesh një komunitet prej afro 3.000 afganësh u strehuan në Shëngjin ku një pjesë prej tyre po jetojnë akoma, edhe pse kur mbërritën, autoritetet pretenduan se nuk do të qëndronin më gjatë se dy vite. Ndërkaq, popullsia afgane në Shëngjin në dy dekadat e ardhshme është parashikuar në romanin “Komploti” të Ben Blushit të jetë shumicë. Aq sa do të organizohet politikisht dhe do të zgjedhë kryebashkiakun e ri.

Shqipëria e vitit 2044 do ketë më shumë se 200 mijë afganë dhe afro 1 milion shqiptarë. Kurse një projeksion i OKB-së e nxjerr popullsinë e Shqipërisë në vitin 2050, në një shifër të parafërt me atë që parashikon Blushi në librin e tij, tkurrja e së cilës për nga zhvillimet e fundit shihet si e pashmangshme.

Nga ngjarjet e fundit me emigrantët, lindjet e regjistruara në maternitetin e Lezhës si dhe largimet masive të shqiptarëve, duket sikur llogaria e Blushit në romanin e tij është aq e saktë sa shumë kritikë e kanë konsideruar me të drejtë gati edhe profetike.

“Komploti” përshkruan raportet mes shqiptareve dhe afganëve 20 vjet më vonë, kur afganët do të mund të qeverisin bashkinë e Shëngjinit, raporte të cilat kanë nisur të vërtetohen nga ngjarjet e fundit.

Nuk është çudi që profecia e Ben Blushit tek Komploti të realizohet dhe disa dekada më vonë një nga foshnjet afgane të lindura në maternitetin e Lezhës të drejtojë këtë qytet. Është më shumë e mundur që një i ri me origjinë afgane, ose i një vendi tjetër nga Lindja e Largët, të drejtojë Shqipërinë. Si shembull por në dy mjedise dhe realitete krejt të ndryshme, Rishi Shunak një ish-fëmijë emigrantësh indianë në Britaninë e Madhe, aty ku britanikët janë shumicë, u emërua kryeministër vetëm pak kohë më parë.

Gjatë 2023, në Qarkun e Lezhës kanë ardhur në jetë vetëm 881 foshnja, 100 bebe më pak se në vitin 2022. Por kjo shifër do ishte shumë më e ulët, nëse nuk do ishin gratë afgane që jetojnë në Shëngjin që nga viti 2021.
Marrëveshja e fundit historike mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për të sjellë në Shëngjin disa mijëra refugjatë ilegalë, si dhe marrëveshjet e bizneseve për të afruar të rinj në të ardhmen nga nevoja për fuqi punëtore, mund ta afrojë edhe më shumë këtë realitet që Blushi e përshkruan në mënyrë jo vetëm letrare dhe profetike por edhe artistike.

Ngjarjet e romanit që zhvillohen dy dekada më vonë, në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh i huaj, i dominuar nga afganët, duket sikur kanë nisur të realizohen, teksa në Lezhë aktualisht po përqëndrohen dy grupimet më të mëdha të emigrantëve nga Lindja e Largët, që janë vendosur brenda 3 viteve të fundit në vendin tonë, përmes dy marrëveshjeve me vendet e tjera partnere.

Ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar dhe do të vazhdojë të pakësohet ndjeshëm në dy dekadat e fundit, afganët pasi marrin Shëngjinin, kërkojnë të “pushtojnë” territore të tjera shqiptare duke shënjestruar Kosovën për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Europës.

Një plan që shqiptarëve vendas edhe pse nuk u pëlqen, nuk kanë forcë politike ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore. Në lojë futen tre hebrenj të krisur që, për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën. Tre hebrenjtë sipas rrëfimit të jashtëzakonshëm të Ben Blushit do të luajnë deri në fund gjithë fijet e një konspiracioni, fundi i të cilit do të jetë befasues dhe i paimagjinueshëm për të gjithë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura