Konfiskohen pasuritë e “Zotit të drogës”, kush është Alket Hatija i dënuar në Itali me 20 vite burg

Dec 18, 2024 | 12:21
SHPËRNDAJE

Janë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme të Alket Hatijas, i cilësuar edhe me pseudonimin “Zoti i drogës” në Itali.

alket-hatija-500x283

Policia e Durrësit njoftoi sot (18 Dhjetor) se ka ekzekutuar vendimin e GJKKO-së për konfiskimin e këtyre pasurive.

“Zoti i drogës” i dënuar me 20 vjet burgim nga autoritetet gjyqësore italiane për trafikim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë gati dy dekada më parë.

“Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Konfiskimi”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij, konkretisht: 1 sipërfaqe toke truall, 1 garazh dhe 1 apartament në Durrës, si dhe 1 apartament në Kavajë”.

Shtetasi Alket Hatija, gjatë periudhës 2003-2004, ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali.

Ai ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).

Hatija u arrestua në 2021 me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Ai ka vuajtur 16 vite burg në Shqipëri për trafik droge, por nuk i njihen në Itali, pasi nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura