Konflikti në Lindjen e Mesme, ambasadori libanez: Udhëheqësi i Hezbollahut ra dakord për armëpushim pak para vrasjes

Oct 6, 2024 | 17:04
SHPËRNDAJE

Ambasadori i Libanit në Mbretërinë e Bashkuar, ka deklaruar se udhëheqësi i vrarë i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, kishte rënë dakord për një armëpushim tre-javor pak para se të vritej.

Hassan Nasrallah

I pyetur nga SkyNews nëse thashethemet se lideri i ndjerë i Hezbollahut kishte mbështetur një armëpushim ishin të vërteta, Rami Mortada tha “po” dhe se qeveria libaneze, e cila nuk drejtohet nga grupi militant,  kishte rënë dakord për skemat.

“Po, ne shprehëm dakordësinë tonë për këtë skemë që u parashtrua nga SHBA, Britania e Madhe dhe 15 vende të tjera. Fatkeqësisht Netanyahu hodhi poshtë gjithë këtë plan paqeje dhe ende po e bën këtë,” tha ai.

I pyetur nëse mendon se mund të kishte pasur një armëpushim dhe se ai u prish nga vrasja e Nasrallah, ai tha se “kjo është një deklaratë që dihet për të gjithë. Ata zgjodhën dhunën”.

Ai e përshkroi Izraelin si një vend që “di vetëm të vrasë dhe që nuk është në gjendje të sigurojë paqen”.

Ndërsa ofensiva e Izraelit kundër objektivave të Hezbollahut në Liban filloi muajin e kaluar, kishte shpresa për një armëpushim të shpejtë.

Por izraelitët u duk se refuzuan çdo përpjekje disa orë më vonë dhe sulmet ajrore kanë vazhduar në Liban që nga ajo kohë dhe Hezbollahu gjithashtu që gjuan rregullisht raketa në Izrael.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura