FILIP GURAZIU
I vetmi argument, e vetmja mbrojtje për mosrishikimin e standardit gjuhësor, të vendosun politikisht prej komunistave enveristë në vitin 1972, që sot po përdoret prej të ashtuquejtunve atdhetar të cilët në plan të parë vendosin (gjoja) bashkimin e shqiptarëve ka mbetë akuza e “ndasisë kombëtare të shqiptarëve” me të cilën anatemojnë të tanë ato persona që e çojnë zanin në mbrojtje të gjuhës së nanës, gegnishtes.
Kjo lloj sjellje a asht lajthitje apo demagogji?
Tue u nisë prej mungesës së arsyes me të cilën ndërtohet argumentimi i anatemës kundër ithtarëve të gegnishtes, të shkon mendja se janë “të thartuem” në psiken e tyne, por po të “gërmojmë pak ma thellë” mundemi me konstatue se realisht asht nji numer jo i vogël akuzatorësh të cilët përdorin të njajten akuzë (ndasinë kombëtare…) e në këtë rast, arsyeja na thotë se nuk munden me qenë të tanë të lajthitun psiqikisht, ç’ka randon anën e peshores ku qëndron demogogjia, sepse e vërteta asht ndryshe…, por si e spjegon Fjalori i Gjuhës Shqipe fjalën demagogji:
“Mashtrimi i masave punonjëse, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t’i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike; qëndrim i politikanëve me dy faqe, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë; fjalë të bukura e të zbrazëta që kanë për qëllim të mbulojnë e të shtrembërojnë të vërtetën. Demagogji politike (borgjeze, revizioniste). Demagogji e stërholluar, Demagogjia e kishës (e klerit)” E shifni ku jemi të nderuem lexues? Me këto bindje komuniste po edukohet brezi i ri, me këto bindje komuniste duem të bahemi pjesë e B.E.!
Mos të harrojmë se janë pikërisht ato “intelektualë” që dënuen gegnishten në vjetin 1972 dhe që ndërtuen “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” mbi parimin ideologjik komunist të luftës së klasave (si ma nalt) me vetëm 40.000 fjalë(!), që sot bërtasin”, çirren e anatemojnë këdo që kërkon të drejtën e tij legjitime për ruejtjen e identitetit kombëtar shqiptar, për ruejtjen e gjuhës së nanës, gegnishtes.
Pse ju o “pseudo patriotë të bashkimit kombëtar shqiptar”, kurrë nuk e keni thanë nji fjalë, kurrë nuk keni demonstrua shqetësim për ndasinë e thellë kombëtare shqiptare që shkaktoi kongresi famëkeq komunist i drejtëshkrimit i vitit 1972 tue eleminue gegnishten që e flasin 2/3 e shqiptarve? Simbas jush, gegnishtja nuk asht pasuni kulturore shqiptare? Shqipja e maleve Arbnore, që simbolikisht përfaqëson “Identitetin Shqiptar” ka dy krahë; gegnishten e tosknishten, plagosja e nji krahu, “Shqipen” e rrëxon përtokë. Pse nuk doni me kuptue se vetem me tosknishten muk mundet me pasë “Identitet Shqiptar”, pra bashkim shpirtnor të vertetë. Kaq thellë paska pasë qenë ngul në shpirtin tuej parimi i internacionalizmit proletar, sa nuk ju lejon me kuptue se nji popull pa “Identiteti Kombtar” shbahet, nuk mundet me ekzistue?
Po si ju shkon ndërmend o “të bekuem” se me vendime politike të nji komunisti pervers si Enver Hoxha do të ndrroni identitetin kombtar shqiptar?! A ju kujtohet vendimi enverist për zhdukjen e besimeve fetare në Shqipni në vjetin 1967? Çka ndodhi mbas 1990-tës? Shqiptarët sot janë shumë herë ma besimtar se para 1967-tës. Kët fat ka me pasë edhe vendimi tjetër absurd komunist i 1972 për shbamjen e gegnishtes. Faktet flasin vetë; Doni apo s’doni, sot me qindra e qindra persona shkruejnë prozë e poezi në gegnisht dhe miliona të tjerë e flasin në shoqni e në familje…
Mblidheni mendjen o “Don Kishotë” me seli në Akademi, s’paku futeni në punë, atë pjesë të trunit që mund të ju ketë mbetë e pa ideologjizueme, largohuni prej fanatizmit ideologjik e arsyetoni; “Identiteti Kombtar e Shqiptarizmi” peshojnë shumë herë ma tepër se formimi i juej ideologjik i cili ju frymëzon urrejte për çdo vlerë të gegëve.
Vllazen shqiptarë prej kado që të jeni; kuptojeni nji herë e mirë se askush prej nesh nuk kërkon ndamjen e shqiptarëve, por bashkimin e vertetë; bashkimin shpirtnor të tyne. Tue vlerësue gegnishten, vlerësojmë e konsolidojmë “Identitetin shqiptar” e çimentojmë atë çamje te thellë të shqiptarëve që krijoi ai kongres politik.
Ç’do herë para se të reagoni duhet të kujtoni se:
1. Flasin gegnisht 70% e shqiptarëve.
2. Gegnisht foli edhe Homeri (Kryeveprat e Homerit legjendar të shkrueme rreth 2600 vjetë ma parë përmbajnë ma tepër fjalë gegnishte se të greqishtes se sotme!)
3. Gegë asht themeluesi i “Identitetit Kombtar Shqiptar”, Heroi Kombtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
4. Me gegnishten dokumentohet shkrimi i parë shqip “ Formula e pagëzimit” (Imzot Pal Engjelli, 1467)
5. Me gegnishten fillon historia e shkrimit të librit shqip ( Dom.Gjon Buzuku, 1555)
6. Gegnisht u shkrue romani i parë në gjuhën shqipe “ Çeta e profetëve” (Pjeter Bogdani, shekulli XVII-të)
7. Prej shkrimtarëve gegë që shkruen historinë e Gjergj Kastriotit legjendar e të rrethimit të Shkodrës prej turqve etj. (Marin Barleti, Marin Beçikemi, Frang Bardhi), bota mësoi për vlerat e kombit shqiptar.
8. Gegnisht asht e shkrueme “ Lahuta e malcisë”, kryevepra epike e letersise shqiptare dhe europiane prej poetit kombtar At Gjergj Fishta.
9. Bylbyli i poezisë shqipe Dom Ndre Mjeda, gegnisht i këndoi natyrës arbnore.
10. Gegnisht ishin perkthimet e para të kryeveprave letrare botnore prej përkthyesve; Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Gulielm Deda, Henrik Lacaj.
11. Gegnisht kanë shkrue Pashko Vasa, Filip Shiroka, Kostandin Kristofotidhi, Dom. Anton Zanoni, Dom Ndoc Nikaj, At Shtjefen Gjeçovi, Imz. Vinçens Prendushi, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi, Pader Justin Rrota, Pader Anton Harapi, Migjeni, Pader Benardin Palaj, Zef Curani, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Et’hem Haxhiademi, Murat Toptani, Josif Bageri, Risto Siliqi, Haki Sharofi, Haxhi Ibrahim Dalliu, Mustafa Greblleshi, Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Zef Pali, Sami Repishti, Pader Donat Kurti, Injac Zamputi, Kolë Ashta, Kolë Kamsi, Arshi Pipa, Qemal Draçini, Hamit Gjylbegu, Pader Zef Pllumi, At Konrad Gjolaj, Imzot Frano Illia, Imzot Zef Simoni, Pader Meshkalla, Havzi Nela, Simon Rrota, Emidio Tedeschini, Zef Benussi, Zef Zorba, Ahmet Bushati, Lec Shllaku, Andrea Shkanjeti, Ernest Pikolini, Gjovalin Zeza etj., etj.
E lashë për fund, sepse ka vlerë të veçantë, por mos harroni vllazen shqiptar se Nana ma e njohun në botë, nana e të tanë njerëzve të vorfën kudo që ndodhen asht shqiptaria Nanë Tereza prej Gegnije…
Mundemi me vazhdue deri neser tue demostrue vlerat e gegnishtes dhe kontributin kulturor të gegeve në fushën e kulturës e të sportit si dhe për aktivitetin e tyne ne konsolidimin e vendit të shqipeve, por e gjej me vend me i përfundue këto rreshta tue shprehë mirënjohjen time të thellë dhe vlerësimin maksimal për të gjithë ato shqiptarë me origjinë prej jugut të Shqipnisë që me tosknishten e tyne kontribuen aq shumë jo vetem për shqipninë e pamvarme, por edhe per konsolidimin kulturor dhe identitetin Shqiptar si dhe për përparimin e shoqnisë shqiptare pa dallin jug e veri.
Evolucioni gjuhësor kërkon e detyron rishikimin e gjuhës së nji populli, eksperienca botnore e verteton kët veprim, vetem akademikët materialistë shqiptarë veprojnë në kundërshtim me bindjet e tyne, ato nuk pranojnë evolucionin e gjuhës, si rrjedhim edhe mbas 52 viteve nuk pranojnë rishikimin e vendimeve të kongresit politik gjuhësor të 1972!
Nuk mundet me pasë identitet shqiptar tue eleminue tosknishten.
Nuk mundet me pasë Identitet shqiptar tue eleminue gegnishten.
Sa ma sipër URDHNON rishikimin e gjuhës standarte me objektiv gërshëtimin sa ma optimal të tosknishtes me gegnishten.
S’bashku pra, Toskë e Gegë si në poezinë e të madhit At. Gjergj Fishta, me ndihmen e shtetit të së drejtës, ku “ shqiptarizmi “ duhet me qenë në krye të listës, kemi me mundësue lulzimin e vendit të shqipeve. AMEN./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al