Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e Shqipërisë

Jan 21, 2025 | 8:59
SHPËRNDAJE

NGA EKREM SPAHIU Ekrem spahiu

Pas afro 8 vjetësh pikëpyetjesh për ekzistencë që nga themelimi i shtetit shqiptar, Shqipërisë i duhej një institucion shpëtimi. Për më tepër, si shtet evropian, duhet të orientohej për nga institucionet evropiane, përndryshe do të mbetej e huaj për Evropën. Vullneti kombëtar e kërkoi që ky institucion shpëtimi e orientimi të ishte Kongresi i Lushnjës. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 është zhvillimi më madhor në historinë e kombit shqiptar, sepse përbën zgjidhjen e çështjes jetike të fatit të ekzistencës së mëtejshëm të kombit përmes aktit të pavarësimit dhe krijimit të shtetit si instrument i fuqisë dhe i përfaqësimit të tij. Evropa e formësuar më së shumti mbi ekuilibrat gjeopolitikë dhe më pak mbi vlerat, do ta linte Shqipërinë jo vetëm të përgjysmuar, por edhe e dyshuar për t’u vetëqeverisur.

Prandaj qeverisjen e saj do t’ia besonte një të huaji, gjerman, qeverisja e të cilit nuk do t’u shpëtonte dot pështjellimeve të pamëshirshme të Luftës së Parë Botërore. Në këto pështjellime, Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 do t’i vinte vulën e asgjësimit edhe asaj Shqipërie gjysmake që kishte mbetur. Në këto rrethana, intuita kombëtare do të rizgjohej. Kongresi i Durrësit i vitit 1918 do të ishte një përpjekje për ta mishëruar këtë nerv të kombit, duke riafirmuar shtetin, edhe pse me përfaqësim të cunguar. Një vend vlerash si SHBA dhe Presidenti i saj vizionar Uillson, në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Paris do të bëhej mburoja e kombeve të vegjël, midis tyre edhe kombit shqiptar. Sidoqoftë, si çdo komb edhe shqiptarët duhet t’i rimerrnin vetë në dorë fatet e tyre dhe kjo orë erdhi në Kongresin e Lushnjës, i cili u mbajt më 21 janar 1920. Kongresi i Lushnjës ribashkoi firmëtarë të pavarësisë, emra të njohur të elitës kombëtare, të patriotizmit tradicional shqiptar, fetarë e intelektualë nga të gjitha trevat e Shqipërisë: Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Ndoc Çoba, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Sotir Peçi, Ali Riza Kolonja, Eshref Frashëri, Idhomene Kosturi etj..

Mbi këtë bazë të gjerë përfaqësuese, në vazhdën e vendimeve të Kuvendit të Vlorës, vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe të statusit të përcaktuar ndërkombëtarisht për qeverisjen e shtetit shqiptar nga Princ Vidi, Kongresi rikonfirmoi vijimësinë e formës së regjimit. Derisa të zgjidhej çështja e mbretit, u vendos të krijohej “Këshilli i Naltë”. Ky Këshill do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar deri sa ky, ashtu si edhe forma e regjimit, të përcaktoheshin përmes thirrjes së një asambleje kushtetuese. Me krijimin dhe përbërjen e Këshillit të Naltë, kongresi përcolli mesazhin e gjithëpërfshirjes – një kriter ky i domosdoshëm për një qeverisje legjitime. Paralelisht, Kongresi zgjodhi edhe një Këshill Kombëtar, (i cili u quajt edhe senat), i përbërë prej 37 anëtarësh me atributet e parlamentit. Nisur nga fakti që ky Këshill plotësonte funksionet e parlamentit, me të drejtë vlerësohet se me këtë zhvillim historik fillon edhe historia e parlamentarizmit në Shqipëri. Kongresi zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Sulejman Delvina, në përbërje të së cilës përfshihen Ministria e Brendshme, Ministria e Luftës dhe një sërë ministrish të tjera të domosdoshme për një qeverisje të kohës, si institucione bazë për realizimin e politikave të qeverisë, duke i dhënë kështu kuptim atributit shtetëror të sigurisë së brendshme dhe të jashtme.

Kongresi i Lushnjës hodhi bazat e sigurta për një qeverisje përfaqësuese të spektrit kombëtar, e dalë vetëm nga organet legjitime të popullit shqiptar dhe me shkallën më të lartë të besueshmërisë. Kongresi e rikonfirmoi Shqipërinë plotësisht nën juridiksionin e vet politik dhe administrativ, duke hedhur një hap vendimtar për sigurinë e zbatimit të politikave të vendosura prej tij. Ndër vendimet kryesore të Kongresit ishte edhe hartimi edhe miratimi i një dokumenti (Statuti i Lushnjës), për funksionimin e Këshillit të Naltë dhe pushteteve të tjera. Nisur nga gjerësia dhe përmbajtja e këtij Statuti, mund të thuhet se ai përbën Kushtetutën e parë të shtetit shqiptar. Shpallja në atë Statut e Tiranës si kryeqytet, përbën një dimension të ri të qeverisjes së shtetit shqiptar, në ndryshim nga paraardhësit, të cilët konsideronin të tillë rezidencën e vet. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës i kushtoi vëmendjen e duhur pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 12 tetor 1920 u dorëzua kërkesa zyrtare.

Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve e pranoi Shqipërinë më 17 dhjetor 1920 si anëtare të Lidhjes. Ky pranim kishte një rëndësi të dyfishtë, sepse me të ripohohej njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar dhe së dyti, pranimi përbënte aktin zyrtar të njohjes së qeverisë së Tiranës nga ndërkombëtarët. Një Kongres vizionar si Kongresi i Lushnjës do të mendonte strategjikisht edhe për kryeqytetin e vendit, prandaj, mbi këtë bazë, vendosi Tiranën për kryeqytet të Shqipërisë. Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjës deri sa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili iu drejtua delegatëve: “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë. Kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë”. Pengesat që iu krijuan, ai i kapërceu me guxim, trimëri dhe këmbëngulje: “Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës”.

Si delegatët e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës, ashtu edhe qeveria që doli nga ai Kongres, ishin të vetëdijshëm për detyrat e vështira që i prisnin, por ata ishin të vendosur për t’i përballuar të gjitha vështirësitë. Për këtë ishte i domosdoshëm bashkimi i të gjitha faktorëve kombëtare. Prandaj, në cilësinë e një ministri, përkatësisht kryetari i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës”, Hoxhë Kadria (Prishtina), u zgjodh të ishte nga Kosova. Nisur nga kritere historike, vlerësohet se Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e Shqipërisë dhe vuri gurin e themelit të parlamentarizmit, si një tipar politik që krahas gjeografisë, do ta afronte Shqipërinë edhe institucionalisht me kontinentin, të cilit i përket. Kongresi rikonfirmoi identitetin kombëtar dhe krijoi një realitet të ri politik dhe historik për popullin shqiptar. Ai zyrtarizoi vijimësinë konstitucionale të shtetit shqiptar, e cila do të vendosej në themel të qëndrueshmërisë së tij në vitet dhe ngjarjet që u zhvilluan më pas.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura