Koreja e Jugut urdhëron inspektim të linjave ajrore pas aksidentit të rëndë

Dec 30, 2024 | 16:30
SHPËRNDAJE

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut Choi Sang-mok urdhëroi të hënën një inspektim urgjent mbi sigurinë e të gjitha linjave ajrore të vendit. Vendimi vjen ndërsa vazhdon puna për të identifikuar viktimat, si edhe për të zbuluar se çfarë e shkaktoi katastrofën më vdekjeprurëse ajrore që ka prekur Korenë e Jugut.

AVIONE

Si pasojë e aksidentit të rëndë, humbën jetën 179 persona, 175 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Vetëm dy persona, anëtarë të ekuipazhit arritën t’i mbijetojnë aksidentit.

Avioni Boeing bëri një ulje emergjente në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar Muan. Pamjet filmike treguan mjetin fluturues duke rrëshqitur me shpejtësi në pistë, ai përplaset më pas me një mur betoni e shpërthen në flakë.

Prioritet për momentin është identifikimi i viktimave, mbështetja e familjeve të tyre dhe trajtimi i dy të mbijetuarve, tha zoti Choi në një takim mbi menaxhimin e fatkeqësive në Seul.

Edhe para se të dalin rezultatet përfundimtare, ne do të kërkojmë që zyrtarët të bëjnë transparencë mbi procesin e hetimit dhe të informojnë menjëherë familjet e viktimave“, tha ai.

Ministria e Transportit njoftoi planet për të kryer një inspektim të posaçëm të 101 avionëve ‘Boeing 737-800’ që operohen nga linjat ajrore të Koresë së Jugut duke filluar nga dita e hënë, duke u përqendruar tek mirëmbajtja e tyre.

Ka ende shumë të panjohura se çfarë e shkaktoi aksidentin e së dielës.

Hetuesit po shqyrtojnë nëse përplasja me një tufë zogjsh ishte arsyeja se piloti humbi kontrollin e avionit.

Piloti kishte njoftuar se avioni ishte përplasur me shpendë dhe incidenti u shpalos disa minuta ndërsa edhe kulla e kontrollit e aeroportit kishte lëshuar një paralajmërim mbi rrezikun e përplasjes me shpendë.

Mbetet gjithashtu e paqartë se pse nuk ishin aktivizuar rrotat e uljes së avionit.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një grup hetuesish për të ndihmuar në përcaktimin e shkaqeve të rrëzimit të avionit dhe përplasjes së tij me një mur betoni./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura