Koreja e Veriut rishikon kushtetutën, shpall Korenë e Jugut “vend armik”

Oct 17, 2024 | 9:21
SHPËRNDAJE

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA raportoi sot për herë të parë se vendi ka rishikuar kushtetutën, përmes së cilës përcakton Korenë e Jugut si një “shtet armiqësor”.

Kim Jong Un
Kim Jong Un

Agjencia e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut bën me dije se forcat e armatosura të vendit hodhën në erë një pjesë të rrjetit rrugor dhe hekurudhor në kufirin me Korenë e Jugut si pjesë e marrjes së veprimeve ligjore kundër një shteti armiqësor siç përcaktohet nga kushtetuta e rishikuar.

Seksione të rrjetit rrugor dhe hekurudhor prej gjashtëdhjetë metrash në anën e Koresë së Veriut tani janë shkatërruar plotësisht si pjesë e “një bllokade totale territoriale” të Koresë së Veriut nga Jugu, raportoi KCNA.

Këto shpërthime, siç theksohet nga ABC News, ndodhën një ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un thirri një takim me zyrtarët e tij të lartë ushtarakë dhe të sigurisë.

Gjatë takimit Kim përmendi fluturimet me dron të Koresë së Jugut si një “provokim serioz nga armiku” dhe theksoi detyrën e tij për “veprim të menjëhershëm ushtarak” dhe “luftë parandaluese” për të mbrojtur sovranitetin e vendit, sipas mediave shtetërore.

Kujtojmë se Koreja e Veriut më herët vuri në gatishmëri artilerinë e vijës së parë dhe njësi të tjera ushtarake për të nisur sulmet ndaj Koresë së Jugut nëse dronët gjenden sërish mbi Korenë e Veriut.

Koreja e Jugut nuk pranoi të konfirmonte nëse dërgoi drone, por paralajmëroi se do ta ndëshkonte ashpër Korenë e Veriut nëse rrezikohet siguria e qytetarëve të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura