“Kredia 1 mln lekë të vjetra më bëri gropën”- Hodhi benzinë në trup e tentoi t’i jepte fund jetës, 58-vjeçarja: Më bënë presion, thanë ‘S’na intereson që je djegur, paguaj lekët’

Oct 25, 2024 | 12:52
SHPËRNDAJE

Fatime Gashi, 58-vjeçarja që tentoi të vetëdigjej me benzinë në mes të rrugës në qytetin e Durrësit, ka rrëfyer se aktin e ndërmori për shkak se banka i kërkonte të paguante këstet e kredisë.

Fatime Gashi

Gruaja, në një lidhje telefonike nga spitali me emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, rrëfeu se kishte paguar rregullisht kredinë për 6 muaj, por dy muajt e fundit s’kishte patur mundësi.

Ajo theksoi se banka i bënte presion të paguante kredinë, sipas saj, duke i bërë presion që do ta dërgonin në gjykatë dhe se do t’i hiqnin pensionin familjar.

E moshuara, e cila ka pësuar djegie në të dyja këmbët, u shpreh se po ashtu gjatë qëndrimit të spital banka e ka telefonuar sërish duke i kërkuar të bëjë pagesën.

Fatime Gashi: “Kam marrë kredi 1 mln lekë të tjera, në 6 muaj e kam paguar rregullisht, më pas nuk kisha mundësi. Jam tek spitali Nënë Tereza, kam djegur të dy këmbët, sidomos e djathta është më problem. Jam me temperaturë.

Është hera e dytë që kam tentuar të vetëdigjej, sepse nuk na përgjigjet Bashkia, na kanë përçmuar.

Vetëm djali punon, kurse unë marr pension 90 mijë lekë. Jetoj vetëm me djalin, ai është i ndarë, vajzën e tij e ka marrë nusja.

Kredia më bëri gropën sepse më bënin presion ‘do të paguash kredinë, ose do të çojmë në gjykatë’.

Më bëri shumë presion banka, kisha 200 mijë lekë për të dhënë por më thoshin ose na jep pagesën, ose do të heqim pensionin e do të çojmë në gjykatë.

E mora pensionin për të paguar ilaçet.

Kisha dy muaj pa e paguar 2 mijë lekë, edhe sot më morën në telefon. I thashë jam djegur, më thanë ‘s’më intereson që je djegur’.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura