“Krerët morën atë që meritonin, ca edhe plumbin pas koke”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit të Spaçit: Komandanti me një tufë letra në duar na tha: ‘Ë mo, e patë ç’ju solli revolta?! Tani sa përfundoi gjyqi special, ku shokët gjyqtarë…’

Nov 6, 2024 | 10:11
SHPËRNDAJE

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

revolta burgu SPAC komunizem arrestim pushkatim

Cilat do qofshin arsyet, që i detyruan të rishikonin listat e datës 21 maj dhe të mbanin dorën, zëvendësministri u pa ashiqare kur bëri shenjën e stopit dhe reagimi i kartelistit, që i ngeci emri i radhës në fyt. Kur u larguan makinat me shokët e lidhur kulaç, ne u ndjemë si fantazma të përgjysmuara, me një të rënë shpate, gjysma e kurmit endej në qelitë e errëta, me miqtë tanë, tjetra dergjej mbi sheshin plot ferra.

Ngulëm thonjtë në mish që të platitnim të rrahurat e zemrës dhe të ngushëllonim njëri-tjetrin për humbjen e mikut të prangave. Edhe mbas pesës dielli digjte si saç, teksa ne dihatnim galuc mbi Sjembat e ferrave. Ndërsa djersët shkonin çurkë, nxehtësia na telekosi sa me zor husheshim me frymë. Akthi i pritjes dhe tetë orë pa dalë në banjë, i shtrëngoi të moshuarit të njomeshin nën vete, disave iu shpëtoi edhe nevoja e trashë. Ambienti u kontaminua nga duhma e urinës dhe e feçes e, u bë i padurueshëm.

Kur na erdhi radha të çoheshim, shumëkënd s’e mbajtën gjymtyrët pësuan marramendje dhe u shembën përtokë. Gjithsesi të fuqishmit i ndihën dhe ua hoqën xhelatëve nga kthetrat, dikush lipsej t’i mbijetonte plojës që t’iu përcillte brezave, episodet e atyre tri ditëve heroike, të fliste për bëmat e mëdha dhe për burrat krenarë. Tashmë nisi hetuesia masive. Duket s’iu mjaftuan mbi tetëdhjetë viktima, të shuanin urinë. Katilët mëtonin tensionin, i detyruan të gjithë ata që kaluan në shtrungë, t’iu nënshtroheshin pyetjeve standarde, ndonëse e kishin të qartë, se ky tip presioni do dështonte pa nisur.

“A je kenë pjesë e revoltës”? – pyeste xhahili.

“Jo”, – gjegjej prerë i dënuari.

“Cili e nisi revoltën”? – vijonte i pari.

“Nuk e di”, – i dyti.

“Cili e ngriti flamurin”?

“S’kam parë gjë! Isha në gjumë”.

“Cili e hoqi”?

“S’di gjë”.

Kësisoj vijoi, nga i pari, tek i fundit. Natyrisht me këtë procedure, përmbushën një formalitet që do rezultonte pa bereqet, por zgjatën agoninë. Rreth orës tetë, hymë në fjetore, çrregullimi total me të cilin u përballëm, na shkaktoi dhimbje koke. Kudo mbizotëronte kaosi, byk përdhe dhe pluhur në ajër. Mishmash rreckash dhe kashtë; jatakë, jorganë, jastëkë, ndërresa; ku gjeje një këmishë, s’gjeje një palë brekë; gjithandej pece të strëngura, përzier me ushqime; çizme dhe opinga llastiku mbi fletë librash, fletoresh, revistash e gazetash të shqyera dhe të shkapërderdhura si zorrët me bajga! O Zot, na u prenë krahët! Pllakosi makthi.

Urrejtja e lashtë dhe dështimi i ri, na lënduan zemrat, ndërsa dhimbja për miqtë, që do përballeshin me bishat e regjimit, na pështjelluan mëndtë dhe u shtrimë të shterur. Në të djathtë e në të majtë, më mungonin shokët, në një krah Dervish Sulo, çam, në tjetrin Fiqiri Muhaj, kardhiqot. Kjo mungesë me sikletosi: “Pse duhej t’i merrnin bashkëkrahësit e mi? Ata janë të burgosur me eksperiencë, Fiqua, trembëdhjetë vjeçar, Dervishi, mbi dhjetë dhe pas pak vitesh, prisnin lirimin! Kur kjo hata pllakosi këta burra inteligjentë, vaj halli të tjerët! Sidomos çamin e njohur si jurist të shkëlqyer, që iu është gjendur kushedi sa e njerëzve, në fushën e vet! Po edhe Fiqua, shpirt njeriu, s’trazohet me kënd, veç “Tartit”!

Tri ditët e fundit, ai s’doli fare nga dhoma, veç për nevoja vetjake! Madje më këshilloi pareshtur: “Hap sytë byrazer, mos u përziej me turmën, se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Pa dale, “Tarti”? Po! Si tutor direkt i tij, s’u kujdes ta edukonte me partishmëri dhe ja përfundimi: “Tarti” armik i betuar dhe Fiqua në arrest! Mirë! Po të tjerëve, që katilët ua ngulën kthetrat, pa bërë gjë prej gjëje?! Eh, ç’mund të bënte Hodo Sokoli, një engjëll qiellor? Po Luan Koka? Po Sami Dangëllia? Po Mërkur Babameto? Po Zef Ashta? Po dhjetëra e dhjetëra të tjerë?! O Zot, u shushata dhe shkava jashtë realitetit!

“Të gjithë në shesh”, ulërima e tellallit u pasua nga dhjetëra bilbila: “Fiu-fri-fiu! Fiu-fri-fiu! Fiu-fri-fiu”, u ngjallën stuhitë, që na ranë veshë ato tri ditë! U tranda dhe u hallakata. Në vend të merrja shkallët, gati kaptova ballkonin e katit dytë. “Janë këtej shkallët, babuç”! – në momentin final, dikush më kapi krahun dhe më shtyu drejt bashkëvuajtësve, që rendnin të zymtë dhe në gjendje më të mjeruar psikologjike se unë.

S’bëzante njeri, gjithkujt i mungonte miku, shoku i rreshtit, i punës apo i xhiros dhe fati i tij e shqetësonte fatin e tij njësh me të vetin. Dhjetëra policë invaduan sheshin, qindra të tjerë vigjilonin në tarracën e epërme. Hera e parë që shihja të armatosur brenda rrethimit. Mbase i ndërmorën këto masa ekstreme, si tip presioni, apo i druheshin një amullie si para tri ditësh. Duhej ashiqare vendosmëria për të mbajtur situatën nën kontroll, edhe nëse do lipsej të shkaktonin viktima.

Pas tyre një grup oficerësh me veshje parade dhe në mes komandanti me komisarin. Me ç’dukej, i kishin zëvendësuar uniformat e grisura para do orëve, me të reja. Drejtuesit ndalën në një tip tribune, që zotëronte drejt pjesës fundore të kampit dhe u krekosën si gjela, ndërsa të tjerët e rrethuan. Haxhi Gora, me një turban rreth kokës dhe me një tufë letrash ndër duar, kroi zërin.

– “Ë mo, e patë ç’ju solli revolta dhe kokëfortësia e disave”? dhe po vetë iu përgjigj pyetjes retorike që shtroi: – “Tani sa përfundoi gjyqi special në zyrat e komandës, ku shokët gjyqtarë dhanë masa tepër të ashpra. Dymbëdhjetë krerët e revoltës, morën atë që meritonin, ca edhe plumbin pas kresë”! – në çast ashpërsoi gjuhën.

– “Të dënuar, e dimë që ka edhe të tjerë mes jush, që fshihen si minj, po kryesorët ishin këta që ndërmorën akte vandale, iu bënë presion të tjerëve dhe i detyruan t’iu bashkoheshit në veprën kriminale. Jemi të bindur, se pjesa dërrmuese nuk i mbështeti, s’u pajtuan me rebelizmin dhe me veprimet e tyre banditeske”, – u mbush me firomë dhe vijoi:

– “Sipas të dhënave që disponojmë dhe që bëjnë fjalë për bashkëpunim mes armiqve të jashtëm, me të brendshmit, për koordinim veprimesh që synonin përmbysjen e pushtetit popullor me armë, aplikuam edhe arrestimet. Po ato do vijojnë edhe ditët në vazhdim, deri te krimineli i fundit” – heshti një moment dhe tundi gishtin mbi kokat tona.

– “Të dënuar, ju ftojmë të tregoheni të përgjegjshëm dhe bashkëpunues. Siç e pate, uniteti mes popullit liridashës dhe partisë, janë në shkallën më sipërore. Ne jemi të aftë, t’i bëjmë ballë çdo agresioni imperialist-revizionist, qoftë edhe të gjithëve bashkë. E patë se si mijëra ushtarë dhe vullnetarë, iu përgjigjën thirrjes dhe e rrethuan Spaçin pëllëmbë më pëllëmbë, madje gjithë Mirditën, nga ura e Milotit, deri në Mat, nga Luma, deri në Krumë, nga Lezha, në Pukë e, ngado ku mund të mësynin armiqtë. Do t’i përgjigjemi me ashpërsinë më të madhe, çdo provokacioni në kufijtë tanë, agresorët që do guxojnë, do ta paguajnë me kokë”! – çoi shputën e dorës, bëri një rrotullim në ajër dhe shpërtheu:

– “Ore, ore, dalkan ca birbo, që iu ka marrë koka erë dhe u dashka t’i lejokemi të vazhdojnë nën hundën tonë aventurat armiqësore nga burgu, apo të vijokan lidhjet me Vatikanin, me C.I.A.-n amerikane dhe me shërbimet e vendeve armike? Jo për ideal, do t’i shkojmë të gjithë në litar dhe plumb”! Gërmoi mes shkresave dhe veçoi njërën: “Siç ju thashë, gjykata speciale nën drejtimin e shokut Hilmi Telegrafi, me ndihmës shokun Ymer Alikaj dhe prokuror shokun Mit’hat Goskova, dha dymbëdhjetë dënime, si më poshtë: Katër me vdekje, me pushkatim dhe tetë me nga njëzet e pesë vjet.

Heshti, për të parë efektin që do shkaktonte kjo gjëmë. Grushtet shtrënguar nga dhimbja pa kufi, lotët na rrodhën vetiu. Por katili Haxhi Gora, e nguli ushtën në ashtë:

“Ja dënimet respektive:

– Skënder Daja, me vdekje, me pushkatim.

– Dervish Bejko, me vdekje, me pushkatim.

– Hajri Pashaj, mc vdekje, me pushkatim.

– Pal Zefi, me vdekje, me pushkatim.

Disa të moshuar, i la zemra nga ky kumt dhe u palosën mbi çimenton e tarracës. Por katili vijoi: “Ekzekutimet do kryhen mbas apelimit dhe përgjigjes së Kryesisë së Kuvendit Popullor”. Ca sekonda heshtje dhe shtoi: – “Tani lista e të dënuarve me njëzet e pesë:

– Luan Burimi.

– Paulin Vata.

– Sami Dangëllia.

– Hodo Sokoli.

– Luan Koka.

– Jorgo Papa.

– Syrja Lame.

– Dashnor Kazazi.

Këta tetë, nuk gëzojnë të drejtën e apelimit, me vendim të Gjykatës Speciale”.  Ushtarakët dolën siç erdhën. Pas oficerëve ikën edhe togat policore.

“Shpërndahuni”, ulëriu tellalli, po ne ngrimë si kukulla dylli, mbi platformën e tarracës. Paskëtaj një heshtje varri pllakosi, tej e tej kampit. Shtangëm gojëkyçur, gjersa gjakftohtit mposhtën dhimbjen dhe zgjuan edhe të tjerët nga apatia. Nëpër dhoma u kthyem me lot ndër sy. Shtretërit bosh, i ngjisnin një goje dhëmbërënë, një po, një jo dhe dhimbja mori përmasa konkrete. Pas ditës së ngarkuar me dhunë e dhimbje, s’na ndanë ushqim, por askujt s’i ra ndërmend, u shtrimë të dërrmuar mes pluhurit e bykut dhe humbëm në ëndrra ankthi.

S’e di për të tjerët, por mua m’u rikthye në bobinën e kujtesës si në një film të animuar, momenti kur bishat rrëmbyen miqtë, i lidhën dhe i hoqën hosh para këmbëve të mia e të Nexhat Xhaçit, duke na dërrmuar me gozhdët e kundrave. Mbasi shuknin pesë-gjashtë fatkeq, hidheshin mbi sponde edhe po aq ushtarë dhe makina shfrynte tym të hidhur mbi fytyrat tona, duke na ndjellë të vjella dhe shtërzim. Kujtimi i miqve që shkrydheshin nga dhimbjet më angështoi, kurse egërsia e xhelatëve që iu shtrëngonin gjermankat në zero dhe i qëllonin me shkopinj gome apo me hunj, më zgjoi urrejtjen.

Ato çaste melankolie, m’u ndërmend doktori shkrimtar dhe sentenca e tij: “Komunistët do bëjnë namin! Ama kjo ngjarje lipsej medoemos, për t’i rrëfyer botës, se liria nuk vdes edhe pse lëngon, prej tridhjetë vjetësh nën regjimin më despotik që ka njohur njerëzimi. Këtë fakt unik, do pasurojë historinë kombëtare dhe do t’i japë efektet prapa, do t’i tronditë themelet pushtetit dhe do afrojë fundin e tij”, dhe e konsiderova disfatën një fitore të së ardhmes. Bash në këtë stad humba vetëdijen dhe fjeta…! Gjumë apo kllapi, një Zot e di?!

Post-revolta

“Çohuni re”, “Fiu-fri-fiu”! Mëngjesi erdhi me adetet e vjetra. U ngrita vrik. Më mungonin shokët e krahëve në të majtë dhe të djathtë. Tej jatakut bosh, Ali Hoxha i ulur këmbëkryq, këqyrte nga dritarja si medium, ndërsa matanë shtratit të Dervish Sulos, çami tjetër Telha Çakua, kruante çaçkën me pamjen e mediumit dhe heshtnin si dy sfinksa modernë! “Ej, dreq”, më piku kjo heshtje vrastare.

Vesha opingat. Në ballkon eshperonin dhjetëra vuvë, si në morg. E njëjta edhe poshtë shkallëve, edhe në shesh, kudo! Gjindja çapitnin kryevarur nga banjat te çezmat, mbaronin punë dhe riktheheshin me sytë përtokë. U bëra njësh dhe hyra mes aktorëve të teatrit absurd, me të njëjtat veprime dhe të njëjtët gjeste. Nën shkallare ndesha Tomor Balliun.

“Si u gdhive, Tomçe”? – e pyeta për adet.

“Për ibret jalem”! – ma ktheu krye varur. – “S’mbylla sy gjithë natën e Perëndisë”!

“Edhe unë bëra gjumë të trazuar, pothuaj në kllapi”, – u ankova.

“Eh-ee, pas kësaj hataje, zor ta marrim veten ndonjëherë”! – shfreu dhe shtoi – “E dinim fundin, ama liria, të tundoka dhe të joshka, edhe kur u dashka paguar me çmim jete”! – hyri në katin e parë kryeulur.

U ngjita somnambul dhe u futa në dhomë.

“S’po vete të marrësh gjellën, or djalë”? – xha Telhai kish sheshuar tasin mbi një tabak kompensate.

“E paskan hapur kuzhinën”?! – pyeta i habitur.

“Çap mere”!

“Jam turni i dytë, xha Telha”!

“Është supa e sabahut, or bir”! – mbase me mend shtoi: “E pati edhe ky”, dhe më pa me dhimbje prindi. “Mblidh mendjen biro, kokërr gruri është e shkreta dhe fiu, fluturon…”!

“A funksionon logjika”? pyeta veten, por përgjigja ish tepër e vështirë, për një të fantaksur si unë.

“A do na nxjerrin në punë sot, xha Telha”? – iu drejtova plakut bri meje.

“Ç’të të them or bir, s’ma do mendja”!

“Mbase na lenë të mbledhim veten, pas tri ditë-net pa gjumë”? – shtova, edhe pse e kisha të qartë përgjigjen: “Kush do t’ia dijë për jetën dhe shëndetin tonë”?!

“Paske shkarë, biro”! – fshiu nja dy pika lëngu nga qimet e mjekrës së parruar prej ditësh dhe shtoi: – “Ore, ku duan t’ia dinë këta për neve?! Iu dhëmbin policët, që kanë një javë pa u larë dhe pa gjumë! Pastaj isaf, morën ajkën e djelmërisë, mbi njëqind shpirtra”! – gjerbi dy-tri lugë: – “Padyshim do bëjnë ndonjë biçim riorganizimi, që të kërcasë huri, nesër në sabah”!

Te sporteli i kuzhinës, zgjata tasin dhe ktheva kryet të shihja rreshtin që gjarpëronte, gjer poshtë sheshit. Askush s’bëzante, teksa ushtarët e armatosur, venin e vinin të egërsuar mbi ledh. Nën shtyllën e altoparlantit, më gjëmuan veshët nga ulërima e kapter Prengës: “Or tëj, s’jam shoku yt që m’u drejtoke q’ashtu”! – zorra fshikulloi mbi një shpinë. – “Pasha Kri… idealin e partëjs, kena me i mbyt krejt anmiqt e popllit”!

Një fatkeq m’u plas para këmbëve. U mata t’i ndihja, po Arif Muja më kapi krahim dhe shushuriti: “Ik, he burrë, boll jena na t’qjerët”! – më shtyu dhe më derdhi gjysmën e supës. “Largohu, se edhe pak të ka mbet”! – m’u hakërrye Nok Ndoji, që shmangu opingën, mos të shkiste mbi makaronat e shpërndara në çimento. Zbrita shkallët nën kërcënimet e Preng Rrapit: “Tash keni me i pa zorrët tuja, varë ndër tela”!

Tetë sahati. “Fiu-fri-fiu, fri-fiu”, dhjetëra bilbila fishkëllyen njëherësh, teksa xhumba e policëve mësyu kampin. “Apeli, n’apel”! Klithma e Malos, i kthyer në rolin primar, zgjoi instinktin e të burgosurit, nxiti kujtesën personale apo kolektive, në lidhje me ngjarje të tilla, aq më shumë kjo, që i tejkalonte gjithë rebelimet së toku, lanë ç’kishin ndër duar dhe rendën në rresht. Turma u grumbullua në kohë rekord, kurse policët, iu ranë tej e ndanë fjetoreve dhe dolën sosh si bishat nga strofkat.

“Tash po e qyrim trimninë tuj”! Zunë katër segmentet e sheshit dhe vringëllinë zorrët e mbushura me rërët, gjersa oficeri roje dhe tre të tjerë, sosën numërimin. Pas pesë minutash, na qarkuan sërish në fushën e volejbollit, që do rifitonte statusin e vjetër: “Shesh mundimesh apo place d’arme ri arrestimesh, apo ende oborr riedukimi, për “rebelët”, ku do shpaloste aftësitë oratorike komisar Shahini. Oficeri roje kumtoi me megafon, nga platforma e epërme:

“Ju kemi mbledhur t’ju komunikojmë, se sot s’do dilni në punë. Kjo s’do të thotë se e keni pushim! Jo! Në të mirën e punës dhe tuajën, do bëhet një riorganizim, kartelisti dhe kryetari i Zyrës Teknike, do t’ju sqarojnë pas disa orësh. Ndërkohë e theksoj: asnjë pretendim, asnjë kundërshtim! S’ka më qofte ke daja, jo, jam i sëmurë, jo, jam me raport, jo, jam miku i filanit dhe fistëkut! E morët vesh”? – ktheu krahët dhe humbi nën portën e llamarintë.

“Shpërndahuni”! – ulëriu Malua. Pas kësaj, policët morën terma, kurse ne u kthyem nëpër fjetore. Gjindja prisnin sinjalin e drekës shtrirë mbi jatak dhe heshtnin. Askush s’dëshironte të hapte biseda me zarar, apo të zbrazte dertet qe e mundonin. Mbylla qepallat dhe bëja sikur flija, po në fakt shpresoja të mblidhja veten, nga tronditja treditore. Mbas arrestimeve na kapluan brengat.

Tash e prapa, gjithkush i ruhej gjithkujt, ankthi i “veshëve të ngrehur”, do mbizotëronin Spaçin! Jo se detyrimisht dyshoje në karakterin apo, në besnikërinë e mikut, me të cilin kishe ndarë peripeci të panumërta në kaq r kaq vite, po asnjë s’donte t’i hapte zavalle vetes, apo tjetrit.

Intuita u mpreh në teh, secili e pikaste rrezikun dhe shmangej mos t’iu binte ndër duar katilëve, që do ta ndëshkonin dhe torturonin pa mëshirë, për vete dhe të tjerët, madje do ta përdornin model për shantazh. Kampin e dënuan me izolim total, ndërprenë komunikimin me botën jashtë telave dhe kërkonin zbatimin strikt të rregulloreve brenda fjetoreve, apo në territor.

Ushqimin e drekës e ndanë nën një qiell sterrë. Retë e zeza ngarkuar me vetëtima dhe gjëmime, u varën grykës së Spaçit dhe na izoluan në pusin tonë. Herë-herë, rrufetë gjarpëronin si zigzage të zjarrta, shoqëruar me pika të mëdha, që shpuan pluhurin si maja gozhde. Por shiu e braktisi arenën spaçiane dhe u derdh gjetkë, teksa brimat mbi pluhurin e kuq, mbetën si vragat e lies, mbi një trup të sëmurë.

Pasditja kaloi në apati dhe në heshtje, plagët e dështimit të revoltës – kryengritje, ishin ende të hapura dhe rridhnin gjak. Masa e të burgosurve reagonte bash si trupi mbas një operacioni të rëndë, që i lipset kohë të rifitojë vitalitetin. Kurse pala përballë, mbas fitores së dështuar, u egërsua kafshërisht. E theksoj “të dështuar”, sepse jehona kapi skajet më ekstreme të Shqipërisë dhe me siguri, edhe të botës diplomatike.

Atë kohë në Spaç, vuanin dënimin rreth shtatëqind të burgosur politikë. Familjarët që i zuri ora atje, ngjisheshin pas telave dhe rrekeshin tc kuptonin ç’po ndodhte, ndonëse autoritetet i ndërprenë takimet që në momentin e parë. Edhe kur i zbuan jashtë kufijve të Mirditës, ata u interesuan për jetën dhe shëndetin e të dashurve dhe lajmi mori dhenë.

Po iu referohem familjarëve të mi, por jo vetëm: sa mësuan gjëmën, rendën drejt Spaçit, po postblloqet policore, në të dy krahët e urës së Milotit, kthenin pas çdokënd që dyshonin se ish nisur për në burg. Kësisoj haberi u shpejtua. Njëri ia përcolli tjetrit dhe gojë më gojë e, vesh më vesh, mbërriti në qytetet e fshatrat, ku banonin familjet e të dënuarve. Sa më shumë e përgojonin aq më gjigante bëheshin përmasat. Ngjarja e frikshme i alarmoi familjarët, ua trazoi gjumin edhe më indiferentëve që braktisën rehatinë dhe morën udhën e largët të Mirditës. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura