Krijimi dhe njohja e shtetit bektashi, sipas së drejtës ndërkombëtare dhe kushtetuese

Sep 30, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA KUSHTRIM ISTREFI KUSHTRIM ISTREFI

Përtej politikës në Shqipëri, është shqetësuese që, përderisa Kosova po kalon në fazë të kompletimit të subjektivitetit ndërkombëtar, Qeveria shqiptare, jo vetëm që do t’i fokusojë burimet e saj në njohjen e shtetit bektashi dhe jo të atij të Kosovës, por edhe do të krijojë një model të relativizimit territorial dhe fetar, që më e pakta që mund të thuhet është se nuk i kontribuon zgjidhjes së kontesteve Kosovë–Serbi për çështjet e mbetura të Asocioacionit dhe të statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Më 21 shtator 2024, “New York Times” raportoi mbi planin e Shqipërisë për ta krijuar shtetin bektashi. Bektashi është një rend sufi mysliman shiit, i themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, me selinë e tij në Shqipëri që nga viti 1930. Një ditë më pas, Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, e konfirmoi planin për krijimin e shtetit bektashi gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përpara raportit të “New York Times”-its, askush në Shqipëri ose në Kosovë nuk e ka dëgjuar ndonjëherë idenë se një ditë në Shqipëri mund të lindë një mikroshtet fetar bektashian. Kjo nuk është diskutuar kurrë zyrtarisht në qeveri, parlament apo komunitete fetare. Madje, kreu i komunitetit bektashi, babai Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi ka mbetur në befasi kur ka kuptuar për këtë plan. Rama, një katolik jopraktikues, tha se, “vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin dhe se aleatët e NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, nuk janë konsultuar”.

Ndërsa motivet reale politike që qëndrojnë pas këtij plani mbeten të paqarta, Rama përmendi se krijimi i një mikroshteti kaq të moderuar islamik do të dërgonte një mesazh: “Mos lejoni që stigma e myslimanëve të përcaktojë se cilët janë myslimanët”. Sipas “New York Times”-it, shteti i bektashinjve “do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit, që kontrollon territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, do t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe nuk do të vendosin rregulla të stilit të jetesës”. Analistët politikë në Shqipëri e kanë quajtur thjesht një ide të çmendur. Me të tilla kualifikime paraprake, projekti luhatet midis modelit të Republikës së Rose Island (një projekt-shtet hipster i paraqitur mirë në Netflix në filmin Rose Island) dhe Shtetit të Vatikanit. Në këtë analizë do të eksploroj se çfarë është projekti i shtetit bektashian dhe pengesat ligjore për krijimin dhe njohjen e një subjekti të tillë të paprecedentë.

Çështjet e së drejtës ndërkombëtare dhe kushtetuese për krijimin e shtetit

E drejta ndërkombëtare nuk përmban manual për krijimin e shtetit. Megjithatë, parashikon disa të drejta dhe ndalime. Sa i përket së parës, e drejta ndërkombëtare ka krijuar të drejtën për vetëvendosje të popujve (GJND OK për Kosovën, paragrafi 79). Sa i përket të dytës, e drejta ndërkombëtare e ndalon krijimin e shtetit në rastet kur shteti i supozuar shfaqet si rezultat i shkeljes së ndalimit të përdorimit të forcës ose normave të tjera jus cogens (GJND OK për Kosovën, para 81). Asnjëri prej tyre nuk duket të jetë i zbatueshëm në rastin konkret, pasi komuniteti bektashian nuk është popull duke e ushtruar një betejë për vetëvendosje, por një spektator i një projekti të jashtëm politik. Përveç kësaj, në rast të krijimit të shtetit të bektashinjve do të duhet të plotësohen edhe kriteret e Montevideos, që përfshin territorin, popullsinë, qeverinë dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera. Çështja e territorit dhe e popullsisë, sado e vogël, mund të mos jetë e vështirë për t’u plotësuar. Megjithatë, qeverisja efektive do të varet nga fakti nëse komuniteti bektashi është i bashkuar për krijimin e shtetit dhe nëse krijimi i tij nuk do të rezultojë në ndonjë trazirë popullore që e sfidon qeverisjen.

Mediet në Shqipëri raportojnë se disa liderë bektashianë nuk do ta mbështesnin një nismë të tillë dhe ka pasur një kritikë të madhe popullore ndaj idesë së një krijimi të tillë shteti. Së fundmi, kapaciteti për të hyrë në marrëdhënie mund të sigurohet në rast se Shqipëria e mbështet krijimin e shtetit. Ndërsa shteti bektashian do të ishte i varur nga Shqipëria për sa u përket funksioneve të caktuara shtetërore, ky nuk do të jetë shteti i parë apo i fundit që do të ketë varësi nga shtetet e tjera për sa i përket mbështetjes ushtarake apo të ndonjë lloji tjetër.

Aspekti ligjor më i diskutueshëm pritet të sillet rreth çështjes së dhënies së pëlqimit nga Shqipëria dhe kjo e zhvendos në masë të madhe diskutimin në të drejtën kushtetuese. Deri më tani nuk ka informacion të saktë se si Shqipëria planifikon ta shprehë pëlqimin e saj për krijimin e shtetit të ri brenda shtetit shqiptar. Megjithatë, “New York Times”-i raporton se “një ekip ekspertësh ligjorë, duke përfshirë avokatë ndërkombëtarë, po e hartojnë legjislacionin që e përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë. Kjo do të duhet të miratohet nga Parlamenti”. Nga ky fragment lihet të kuptohet se Shqipëria synon të bëjë një Ligj që do të miratohet nga Parlamenti. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ky ligj do të jetë ndryshim i Kushtetutës apo një ligj i zakonshëm. Kjo pyetje do të jetë e rëndësishme, pasi krijimi i shtetit bektashi pa ndryshim kushtetues bie ndesh me nenet 1 dhe 3 të Kushtetutës së Shqipërisë. Neni 1 precizon se Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm, ndërkaq neni 3 thekson se “tërësia e territorit… janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.

Njohja e shtetit bektashi

Edhe në rast se krijimi i shtetit bektashi i tejkalon pengesat kushtetuese dhe politike, është e diskutueshme nëse shtetet e tjera do ta njohin atë. Një numër shtetesh me shumicë myslimane, duke përfshirë myslimanët sunitë, mund të jenë të shqetësuar se shteti bektashi do të jetë përfaqësues ekskluziv i islamit ose do ta shtrembërojë atë. Shtetet e tjera mund të shqetësohen se një ushtrim i tillë i krijimit të shtetit mund të inkurajojë krijimin e shteteve të tjera fetare dhe të shkaktojë më shumë lëvizje secesioniste. Edhe në rast të një njohjeje formale, duke e pasur parasysh numrin jo aq të madh të komunitetit bektashi në botë, është edhe më e diskutueshme se sa shtete mund të jenë të gatshme të hyjnë në marrëdhënie diplomatike me shtetin bektashi. Madje, edhe në vendet ku ka një komunitet të madh bektashi, siç është Kosova, nuk pres që ta njohin shtetin bektashi.

Kjo, jo për shkak të ndonjë mungese të përkrahjes së komunitetit bektashi, ose për shkak të raporteve aktuale të liderëve politikë në Kosovë dhe në Shqipëri, por mbi të gjitha për shkak të rreziqeve që shteti bektashi mund të paraqesë, duke e krijuar një model të relativizimit të kufijve dhe të instituteve fetare në çështjet që ndërlidhen me dialogun Kosovë– Serbi.

Përfundim

Krijimi i shtetit kërkon më shumë se një ide dhe më shumë se një person. Lindja e shteteve është e ndërlidhur ngushtë me nevojën dhe jo me atraktivitetin e krijimit të saj. Ajo është rezultat i nevojave të popullit që e kërkon krijimin e saj dhe jo të projekteve të jashtme politike që e projektojnë atë. Për më tepër, krijimi i një shteti – përveç rrethanave të vetëvendosjes dhe shtypjes së popujve – kërkon një sërë hapash të ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që shteti të krijohet pa pengesa ligjore. Kjo aq më tepër që funksionimi dhe siguria e shtetit bektashi do të vazhdojë të varet nga përkrahja e Shqipërisë. Përtej politikës në Shqipëri, është shqetësuese që, përderisa Kosova po kalon në fazë të kompletimit të subjektivitetit ndërkombëtar, Qeveria shqiptare jo vetëm që do t’i fokusojë burimet e saj në njohjen e shtetit bektashi dhe jo të atij të Kosovës, por dhe do të krijojë një model të relativizimit territorial dhe fetar që më e pakta që mund të thuhet është se nuk i kontribuon zgjidhjes së kontesteve Kosovë–Serbi për çështjet e mbetura të Asociacionit dhe të statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

(Autori është profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Utrehtit dhe anëtar zëvendësues i Komisionit të Venecias).

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura