UVIL ZAJMI
E tillë është jeta, ajo familjare, karriera profesionale, në rolin e një drejtuese për Flutura Çelkupën, e ndarë nga jeta pak kohë më parë.
Një personalitet, me kontribut të madh në sportin tonë, atë akademik kryesisht, në përgatitjen e brezave, me sportistë, pedagogë të shquar të dalë nga ILKF “Vojo Kushi”, të cilin ajo e drejtoi për një dhjetëvjecar. Një shktrim për të e pata planifikuar, e takova, ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore, një periudhë tejet delikate për të, familjen, djalin, por e gatshme, për një bashkëbisedim, pa hezituar, madje me shumë kënaqësi. Por, që nuk munda ta realizoj.
Me dëshirën për t’ja risjellë, njohur, prezantuar lexuesve, ndonëse “të vonuar” do ta konsideroja për të, kur ajo nuk jeton, por sidoqoftë, një, dy tre katër, dhjetë rrallë, o më shumë për atë grua, e konsideroj një detyrim, sa etik, aq njerëzor. Sigurisht në një formë tjetër, me opinione, konsiderata për Flutrura Çelkupën, me ata që e kanë përjetuar, punuar me të, si e para femër, në rolin e një drejtoreshe, të një institucioni të rëndësishëm e të famshëm sportiv, si ILKF “Vojo Kushi”. Për të njohur punën e saj, atë çfarë ajo ofroi, dhe mundësoi për disa breza, studentë, sportistë, pedagogë, kolegë, për të cilët ka lënë pas kujtimet, si pedagoge, por më shumë si drejtuese, një dashamirëse, bashkëudhëtare me intistucionin që ajo drejtoi, e transformoi në atë dekadë. Në formimin, edukimin e studentëve, angazhimin, përkushtimin, një grua intelektuale, shoqëruar me vlerësime, respekt, nga të gjithë për atë çfarë ajo krijoi, kontribuoi, la pas. Gjithçka e pasqyruar edhe në një dokumentar unikal të realizuar më 2010, me ide të Mirjan Hakanit dhe skenar të Dëfrim Methasanit, kushtuar Flutura Çelkpupës.
CILA ISHTE FLUTURA ÇELKUPA
E lindur në Elbasan, më 1937, një jetë me angazhime të gjithashme, tejet aktive, në punë, shoqëri, familje. Vajzë moderne, admiruese e sportit, shumë shpejt studente, madje nga të parat, kur më 1955 do të diplomohet në Teknikumin e Kulturës Fizike, të sapo hapur në Tiranë, në eksperiencën e parë të asaj shkolle, insitucioni sportiv. Për të vijuar intensivisht me të tjera impenjime zyrtare, shoqërore, edhe kryetar e Bashkimit të Gruas në Durrës. Bashkëshorte e Mustafa Çelkupës, i spikatur si drejtues në sportin durrsak, më të cilin u njoh kur ajo studente ai pedagog në Teknikumin e Fizkulturës. Më 1975, Mustafa Çelkupa, nga Durrësi do të transferohet në Tiranë, si kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Flutura Çelkupa, një grua energjike, pasionante, e përgatitur do të emërohet drejtoreshë e ILKF “Vojo Kushi”, e në dhjetë vite, nga 1977-’87 do të jetë në drejtim të saj. Që në fillim një grua, pedagoge dinjitoze, e përkushtuar, me një sens për ndryshim, reformism të këtij institucioni.
La vetëm kujtime, mbresa, një raport, marrëdhënie me kolegë, pedagogë, studentë, personel administrate, tejet të vecantë e njerëzor. E gatshme për t’i shërbyer, ndihmuar si prind, pastaj si drejtuese, cilindo që ishte pjesë e asaj shkolle: Mbi të gjithë studentët e saj, e kudo ndodhur për ta, në çdo moment, situatë, rrethanë e kohë. Në shkollë, në provime, në fushë, pista, palestër, deri edhe në familje, stadium, duke qenë pranë tyre e bashkë me ta.
E dashuruar me futbollin, ekipin e Shkëndijës së Mjeshtërisë Sportive, pa u ndarë me atë skuadër simpatike, pjesëmarrëse në veprimtaritë zyrtare. Një formacion shkollor, kur futbollistët nga bankat e shkollës impenjimet ditore, në mesditë, fund javë stadium duke konkuruar, rivalizuar me dinjitet, deri edhe protagoniste në futbollin kombëtar, me lojtarë, trajnerë cilësorë. Pak e dinë se në krye, të kësaj Shkëndije ka qenë një grua, Flutura Çelkupa, e cila nga të gjithë konsiderohet si e para presidente e një skuadre futbolli, e një klubi, modest, jo me famë e histori, vetëm përfaqësues i një shkolle sportive, në periudhën e një Shqipërie socialiste. Pa harruar, përgatitjen e gjeneratave, që kanë dalë, janë diplomuar.
Reagimet:
Pedagogia Flora Tota, ish-futbollisti Edmond Gëzdari, Eduard Dervishaj, ish-sekretar i FSHF-së, dhe rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa flasin për Flutura Çelkupën.
Të gjithë në një refren: “Flutura Çelkupa, hodhi bazat për një universitet bashkëkohor, modern e të mirëfilltë sporti”.
FLORA TOTO
Një emër, një figurë e madhe e sportit kombëtar, ish-sportiste, pedagoge e njohur si një ndër katër garatë e para që u hodhën me parashutë, një sensacion i madh për kohën. Sot, ishpedagogja, mikesha e Flutura Celkupës, duke kujtuar drejtoreshën e saj shprehet: “Kur e emruan, ishte një gëzim i madh për ne, pedagoget femra. Në ILKF, na shtohej një femër, aq më shumë një drejtoreshë grua. Një grua e fortë, energjike, me iniciatvë, drejtonte pa favore, e njëjtë në veprime, vendime, gjykime reagime si për pedagogët, ashtu edhe për studentët, U kërkonte të gjithëve njësoj. Me moral, ndërgjegje të lartë, drejtoria ishte e hapur për të gjithë. Shumë e drejtë, e sinqertë dhe tejet e matur. Transmetonte një komunikim korrekt.
Një grua kërkuese, në një insititucion shumë të ngarkuar, me punë voluminoze, pasi ishin bashkë Mjeshtria Sportive dhe Instituti i Kulturës Fizike e Sportve, dega e mësuesisë, pra një numër i konsiderueshëm studentë e pedagogë. Nuk ishte e lehtë. Pastaj Shkëndija, ekipi i futbollit, për ët cilin ajo ndjente përgjegjësi, si ekipi që përfaqësonte shkollën në nvele të larta të veprimtarive futbollistike. Bashkë me të tjera disiplina, si atletika, gjimnastika, mësuesia, nga ku dilnin mësues, të edukimit fizik. E aftë të drejtonte njëkohësisht mësim dhe sport, një kontigjent i madh, studentë, pedagogë. I dashuronte studentët, dhe anasjelltas.
Për ta ajo ishte prind, pedagagoge, drejtoreshë. E admironin, dhe ndihma që i ka dhënë, deri edhe për problemet, nga ato mësimore, shëndetësore, shqetësimet familjare, ndodhej pranë tyre. Ajo ishte një mbrojtëse e jashëtzakonshme edhe për trupin pedagogjik. Në sa raste i ka ardhur në krah pedagogëve, kur vinin kontrolle, trupin mësimor e mbronte me të gjithë mënyrat. Kujtoj një turne ndërkombëtar në Rijeka, të Kroacisë, Kampionati Ballkanik. Merrnim pjesë më ekipin e gjimnastikës, ajo ishet përgjegjëse. Sportistet vajza të reja, i mobilizonte, inkurajonte, qëndronte afër, na mbante bllok, për cdo gjë, problem, ishte ajo. Me Fluturën u lidhëm dhe vazhduam punë, miqësinë deri kur ajo doli në pension. Mund ta them me bindje, kam kënaqësinë që kam punuar me të. E kujtoj vetëm gjëra të mira. Një grua me virtute. Një pasuese e denjë e ish-drejtuesve të këtij insititucioni të vetëm sportiv në Shqipëri.
EDMOND GËZDARI
Futbollist i njohur, goleadori i shquar i “17 Nëntorit”, i “Shkëndijës”, ish-student në ILKF “Vojo Kushi”, Gëzdari, thotë: “Drejtoreshë Flutura, erdhi, bëri revolucion, nga një shkollë, një institut sportiv, tejet i konsumuar, e bëri Universitet Sporti, një institucion modern, me rregull, disiplinë, korrektësi. Një drejtuse e mrekullueshme. Djemtë e futbollit i njihte mirë, ia dinte, jetonte me problemet, vështirësitë, të trajtime, etj. I shkonte në konvikt kur ishin të sëmurë, vecanërisht vajzat, në këmbë në mesnatë i gjindej pranë. Po kështu në gëzime, martesa, fejesa të studentëve, ishte e lidhur familjarisht. Sidomos në rastet kur kishte refuzime, pengesa nga familjet. Ndërhynte, fliste, duke i bindur për dashurinë e tyre. Pas shumë vitesh, kur i takonte: “Pedagoge, ju na keni martuar, nuk ta harrojmë”, i thonin. Ishte e lidhur dhe emocionalisht me to.
Njihte karakterin e cdo studenti, studenteje. Ekipi i Shkëndijës ka qenë një dashuri më shumë për të. Drejtoreshë Flutura, si asnjë pedagog tjetër, jetonte dita-ditës me skuadrën e tonë të futbollit, Shkëndijën, që në atë kohë luanim në Kategorinë e Parë. Me një kontribut të madh për ne futbollistët, për kushtet që kishim, ndihmën e pakursyer që na ka dhënë, deri edhe duke ndërhyrë te padagogët, shtyrë provimet, lehtësuar impenjimet tona, vecanërisht kur kishim ndeshje, ishim të grumbulluar, që korrespondonte me periudha provimesh. Bëntë të pamundur. Na ndiqte rregullisht në stadium, në Tiranë dhe në udhëtim. Një drejtoreshë, e kujdesshme, i ka dashur, interesohej për të gjithë, por në vecanti për Seit Hysenin, Vasil Bifshën, Pandi Saren.
Kujtoj që në një ndeshje në Elbasan, luanim në vendlindjen e saj, ajo ndodhej në tribunë, kur Vasil Bifsha u dëmtua shumë rëndë. Zbriti me vrap shkallët, u fut në fushë, e ka shoqrëuar deri në spital Vasilin. Me të kam kujtime nga më të ndryshmet. Si në rastin kur më shpëtoi, nga përjashtimi nga shkolla, pas një urdhër absurd të Xhelil Gjonit, asokohe sekretar i Parë i Tiranës, nëse nuk gaboj. Një histori, që duhet rrëfyer. Ajo ka qenë si një presidente e vërtetë e një klubi, e një ekipi futbolli, por ndryshe nga ato tradicionalët e të njohur, ekip i një shkolle futbolli. Një rast unikal për një grua, në drejtim, që e bënte të vecantë edhe për këtë fakt. Kujtoj një përvjetor special për të, kur me iniciativë të Mirjan Hakanit, u organizua një festë me rastin e 75-vjetorit të ditëlindjes së saj. Një përvjetor vërtet argëtues, prekës tejet emocional, ku merrnin pjesë shumë ish-student ët saj. Me kujtime, edhe ajo u kënaq pa masë. Nuk e priste. U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, por kohët e fundit nuk e kuptonte, sëmundja i rëndonte çdo ditë.
EDUARD DERVISHAJ
Ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, ish-student i Flutura Çelkupës, duke e kujtuar pedagogen e tij, shprehet: “Flutura Çelkupa është, pa dyshim, një nga figurat më të rëndësishme të histori të ILKF ‘Vojo Kushi’ dhe të sportit shqiptar. Ajo kreu një ‘revolucion’ të vërtetë dhe e transformoi ILKF në një institucion dinjitoz e serioz si në drejtim të përmbajtjes ashtu dhe të imazhit. Këto ndryshime pozitive rritën interesin për të studiuar në ILKF, jo vetëm të rinjtë që aktivizoheshin në sport, por dhe të gjithë gjimnazistët, që e donin sportin dhe kërkonin, dëshironin të kontribuonin për të.
Ajo besonte dhe i mbështeste të rinjtë dhe jo rastësisht gjatë kohës që drejtoi këtë institucion, aty u emëruan shumë pedagogë të rinj që erdhën direkt pas mbarimit të studimeve. Në atë periudhë ILKF ‘gëlonte’ nga aktivitetet shkencore si dhe nga gara e shëndetshme ndërmjet pedagogëve, për të ngritur nivelin e tyre profesional e në mënyrë të veçantë e më të rinjve. Natyrisht, falë kjo edhe brezit të talentuar e të apasionuar të profesorëve më me përvojë. Në atë kohë në katedrat e institutit angazhoheshin emra të shquar të sportit shqiptar që nxorën shumë mësues të përgatitur të edukimit fizik, si dhe dhjetëra trajnerë të talentuar. Ruaj respektin dhe konsideratën më të lartë për Zonjën Çelkupa. Në opinionin tim është një nga figurat e rëndësishme të sportit shqiptar ku në mënyre të veçantë do të theksoja drejtimin e suksesshem të të vetmit Universitet të Sporteve ne Shqiperi (në ate kohë ILKF ‘Vojo Kushi’)”.
AGRON KASA
Rektor i Universitteit të Sporteve të Tiranës, ndërsa flet për Flutura Çelkupën, thotë: “Për historinë 65-vjeçare të ILK ‘Vojo Kushi’, dhe më pas Universiteti i Sportit, ajo ka shënuar kthesën përfundimtare, të një modeli, me një nivel krejt tjetër. Nga një Insitut i Fizkulturës të asaj kohe, në një universitet modern sot. E gjithë kjo, ka qenë e konceptuar që në atë ato vite, kur drejtonte, falë një reforme të fortë që ajo bëri. Si i vetmi institucion që përgatiste mësues të nivelit kombëtar të edukimit fizik, akademikë në këtë fushë, Flutura Celkupa ishte e para që inicioi, hartoi fillimin e një procesi, për ndryshimin e programeve, duke i përshtatur me ato të mjaft vendeve të Europës.
Duke nisur së pari nga krijimi i një grupi esencial, një stafi me pedagogë, duke afruar studentët, sportistët më të mirë, të diplomuar aty, për të cilin kishte ardhur koha, ishte një domosdishmëri akute. Ajo luftoi ndaj një mentaliteti të vështirë të krijuar në atë institucion, të një niveli mediokër të mbetur e trashëguar në kohë, duke u ndeshur me disa fenomene në mënyrë agresive. Një ndër ndryshimet e kërkuar dhe të realizuar prej saj, ishte shtimi i vajzave si pedagoge, gjithmonë duke ruajtur e balancuar me atë të djemve. Ishin këto disa nga shtyllat e mëdha që ajo ngriti dhe që gjithcka do të vijohej mbi këto shtylla. Drejtoreshë Fluturën, unë mund ta përcaktoj si një rrithemeluese në ndërthurjen, formën, përmbajtjen, konceptin dikur të një shkolle, që ndryshoi me ardhjen e saj. Për të cilën ajo punoi, duke e transformuar në një universitet të suksesshëm sporti, atë që kemi sot”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al