Kristian Marku u ekzekutua me plumba në atentatin mafioz, gazetari zbulon detaje për vrasjen e 30-vjeçarit: Autorët i bënë pritë, e ndoqën nga Tirana deri në…

Jan 14, 2025 | 16:17
SHPËRNDAJE

Gazetari Igli Çelmeta zbulon detaje të reja rreth atentatit që tronditi mbrëmë vendin tonë, pasi 30-vjeçari Kristian Marku, u vra në autostradën Fier-Vlorë në makinën e tij si pasojë e një atentati mafioz, nga autorë ende të paidentifikuar.

Screenshot_1

Çelmeta tha në studion e News 24 se dyshohet se autorët ishin tre dhe se e ndoqën viktimën nga Tirana deri në afërsi të fshatit Novoselë ku ndodhi krimi.

Sipas gazetarit, 30-vjeçari ishte nisur nga Tirana për në Vlorë dhe në fshatin Novoselë iu bë atentati.

“Dyshohet se kanë qenë tre persona që i kanë bërë atentat dhe ata e kanë ndjekur nga Tirana. Kristian Marku u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në autostradën Fier-Vlorë. 30-vjeçari ishte nisur nga Tirana për në Vlorë dhe në fshatin Novoselë i është bërë atentat. Dyshohet se kanë qenë tre persona që i kanë bërë atentat dhe ata e kanë ndjekur nga Tirana. Në drejtim të Kristian Markut janë qëlluar 12 fishekë, ku 3 kanë qenë fatale për të riun. Është enigmë pse 30-vjeçari shkoi në Vlorë. Ka dyshime se mund të jetë nxjerrë në pritë nga persona të tjerë. Ka qenë i vetëm në makinë dhe i paarmatosu”, tha gazetari.

NGJARJA

Referuar të dhënave të policisë së Vlorës, 30-vjeçari është ekzekutuar me armë zjarri në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë. Viktima i identifikuar si Kristian Marku (Bardhi) mësohet se po lëvizte me makinë tip “Volkswagen”.

Drejt 30-vjeçarit fillimisht rezulton të jetë qëlluar pranë një vendndalimi të autostradës, ku dhe janë gjetur 9 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë tjetër është gjetur në makinën e viktimës, e cila ishte e ndaluar rreth 1 kilometër poshtë vendpushimit. Këto rrethana kanë ngritur dyshimet se 30-vjeçari nga Mirdita është qëlluar teksa ka qenë i ndaluar në vendndalimin e autostradës dhe ka tentuar të largohet, apo se është qëlluar edhe në ecje e sipër.

Gjurmët e lëna tregojnë se ai është ndjekur për rreth 1 kilometër nga atentatorët, që më pas kanë marrë rrugën në drejtim të Fierit, ku edhe kanë djegur makinën, që dyshohet se ishte e vjedhur.

Atentatorët dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, por policia nuk bëri me dije të kishte gjetur armë në mjet, çka përjashton edhe mundësinë e hamendësimit në lidhje me numrin e personave që kanë marrë pjesë në vrasje.

Policia ka nisur krehjen e zonës, ka kryer shoqërimet e para, ndërkohë që janë marrë edhe disa pamje nga kamerat e bizneseve me qëllim se mos mundësohet ndonjë pamje nga atentatorët. Dyshohet se është qëlluar pa zbritur nga makina, e për pasojë policia do ta ketë të vështirë gjetjen e ndonjë pamjeje edhe nëse autorët kanë qenë të pamaskuar.

LEXONI EDHE: Viktima e atentatit në autostradën Fier- Vlorë, lidhje familjare me Martin Bardhin! Si tentuan të eliminonin nipin e Kastriot Reçit rreth dy vite më parë, në Mirditë! Skeda e Kristian Markut

HAKMARRJA, PISTA KRYESORE

Më 27 shtator të 2023-it në qytetin e Rrëshenit ndodh një masakër. Nga një mjet fuoristradë hapet zjarr jashtë një lokali, ku në një tavolinë do të gjendej xhaxhai i Kristit, viktimës së djeshme, Martin Bardhi. Në tavolinë me Bardhin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët u plagosën, dy prej të cilëve rëndë, por arritën të mbijetonin, ndërsa Martini ndërroi jetë në tavolinën e lokalit të tij ku kishte dalë të pinte kafenë e mëngjesit.

Mjeti i vrasësve kaloi para godinës së policisë, si thuajse në të gjitha rastet e përplasjeve gjoksore mes dy fiseve Reçi e Bardhi që iu kanë marrë jetën shumë djemve e burrave, i radhës mbrëmë, vetëm 30 vjeç. Policia gjeti makinën duke u djegur, mblodhi disa gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe disa të tjera që u gjenden në mjetin e vrasësve, mori në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe nipin e Reçëve, Saimirin, i cili ishte konfliktuar, sipas tij rreth 6 muaj më parë me Martin Bardhin, Kristianin dhe djalin e Martinit.

Në fakt, për ngjarjen që denoncoi Reçi aso kohe, Martin Bardhi u arrestua, ndërsa Kristiani u shpall në kërkim. Kristiani mundi t’i shmangej arrestimit, ndërsa Bardhi u ndalua dhe pas hetimeve ai u lirua nga burgu, për tu ekzekutuar mëngjesin e 27 shtatorit. Grupi hetimor nga policia dhe Prokuroria e Vlorës që kanë marrë në duar hetimet e atentatit të një ditë më parë janë kthyer pikërisht në hakmarrjen disa vjeçare mes familjeve Reçi e Bardhi për të kërkuar motivin dhe edhe autorët e pritës fatale që i mori jetën Kristianit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura