Kristian Shpendi ka mbyllur para kohe këtë vit kalendarik për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen e fundjavës në Serinë B ndaj Kozencës. Sulmuesi i cili ka shënuar 10 gola në këtë edicion me klubin e tij në Serinë B, doli i përlotur nga fusha e lojës pas një dëmtimi në këmbë.
Ekzaminimet e para shmangën më të keqën, pasi u konstatua se nuk kishte frakturë në këmbën e majtë për sulmuesin shqiptar. Por tashmë testet kanë konfirmuar se ai ka një dëmtim të muskulit të tibies së majtë, siç konfirmoi klubi i Çezenës në një komunikatë zyrtare.
“Gjendja e sulmuesit bardhezi, i cili që nga nesër do të nisë rrugëtimin e rehabilitimit, do të jetë objekt i vlerësimeve të reja gjatë javëve të ardhshme nga stafi mjekësor i klubit”, shkruhej në njoftimin e Çezenës, duke bërë të qartë se lojtari do të rrijë disa javë larg fushave të lojës.,
Mediat italiane bëjnë të ditur se një rikthim i mundshëm i tij, pritet në gjysmën e dytë të janarit, nëse gjërat do të shkojnë ashtu siç duhet gjatë riaftësimit të futbollistit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al