Kristiano Ronaldo: Realin e kam në zemër, Champions-i është bërë për të

Sep 11, 2024 | 20:18
SHPËRNDAJE

Kristiano Ronaldo është kthyer të flasë për futbollin e rëndësishëm dhe periudhën e tij të artë te Reali i Madridit. Ylli portugez i Al-Nasr ka folur në “Youtube” ka zbuluar se cili, sipas tij, është “sekreti” i vërtetë i suksesit të Realit të Madridit në Champions League.

ronaldo

Kujtojmë, se Kristiano arriti të fitonte 4 herë Ligën e kampioneve me Realin e Madridit, duke shënuar me germa të arta emrin e tij në historinë e klubit të bardhë. Në videon e fundit që ka postuar në kanalin e tij në “Youtube”, portugezi ka deklaruar se epërsia e vazhdueshme e “Los Blancos” në kompeticionin më të rëndësishëm europian nuk është aspak një çështje fati, siç mund të nënkuptojë shumëkush, por një ndërthurjeje strategjie, mentaliteti dhe përgatitjeje.

“Madridi është lloji i ekipit që nuk dorëzohet nën presion, ka komentuar Kristiano: Njerëzit thonë se janë me fat në Champions League, por nuk është fat, është çështje truri. Ata janë të përgatitur për këto momente. Kur skuadrat e mëdha luajnë atje (në finalen), presioni i kapërcen ata, ndërsa Reali është i qetë. Ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë”. Më tej, Kristiano theksoi madhështinë e klubit të bardhë. “Reali i Madridit është klubi më i mirë në historinë e futbollit” dhe se me ardhjen e lojtarëve këtë vit si Mbape, skuadra do të vazhdojë të jetë një nga më të fortët në botë dhe do të vazhdojë të rritet si gjithmonë.

KUJTIMET NGA MADRIDI – Kristiano Ronaldo ka kaluar periudhën e tij më të shkëlqyer si futbollist pikërisht në radhët e Realit të Madridit. E për rrjedhojë ai nuk mund të mos i kujtojë me nostalgji vitet e kaluar në “Bernabeu”. Ai ka siguruar se ka jetuar disa nga momentet më të lavdishme të karrierës së tij. “Fitova shumë trofe me Madridin, fitova gjithçka”, tha sulmuesi. Portugezi reflektoi edhe për presionin që ndjeu me ardhjen në një klub si Reali për më shumë duke qenë lojtari më i shtrenjtë në atë kohë. “Ishte një presion i madh, por unë besoja në veten time. E dija që do të bëja histori, sepse besoj në talenti tim. Ishte një sfidë dhe më pëlqen t’u tregoj njerëzve se ishin gabim për mua. Isha shumë i lumtur në Madrid. Ndaj e dua fort Realin”, shtoi Kristiano.

MBAPE DHE “TOPI I ARTË” – Lidhur me panoramën aktuale të klubit madrilen, Kristiano shprehu besimin e tij se Mbape do të bëjë mirë te Reali i Madridit. “Ai ka talent të madh dhe tashmë e ka treguar. Struktura e klubit është solide, ata kanë një trajner të madh dhe presidenti, Florentino, ka qenë atje për një kohë të gjatë”. Ronaldo madje përmendi mundësinë që Mbape të bëhet “Topi i Artë” i ardhshëm, duke konkurruar me talente të tjerë si Haland, Bellingam dhe Lamin Jamal.

SEKRETI I PEPES DHE VENDIMI I KROS – Sulmuesi portugez foli edhe për jetëgjatësinë në futbollin e sotëm, duke përdorur ishshokun e tij të skuadrës Pepe dhe veten si shembull për të zbuluar “sekretin” se si të arrish, pavarësisht moshës, një nivel të mirë. “Kur arrin një moshë të caktuar kyçi është mendja juaj. Nëse e trajtoni mirë trupin tuaj për një kohë të gjatë, ai do t’ju respektojë dhe unë e Pepe jemi një shembull i mirë. Ne kujdesemi mirë për veten tonë dhe kjo na ka lejuar të vazhdojmë të luajmë në një nivel të lartë”. Së fundi, Kristiano ndau mendimet e tij për motivimin që ndjen në këtë fazë të re të karrierës së tij, duke u siguruar që ai të ketë ende entuziazëm, sepse ai e deklaron veten “të varur nga futbolli, për të shënuar gola dhe duke luajtur në një nivel të mirë”. Për këtë të fundit, ai konsideron se Kros mund të kishte luajtur më shumë vite.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura