Nga Roma në Romë, Kristjan Asllani mbyll ciklin dhe e nis sërish me vrull. Protagonisti negativ i ndeshjes kundër verdhekuqve të vitit të kaluar u hakmor në fundjavë falë 15 minutave të shkëlqyera në fund dhe duke kontribuuar në fitoren e zikaltërve me atë pasim të gjatë për Di Markon.
Kështu Asllani frymëzoi aksionin që i dha oksigjen Interit pas 81 minutash sulmesh kokë më kokë, duke shlyer besimin që trajneri Inzagi i dha pas vitit të parë në Milano me uljengritje.
BESIMI DHE PROJEKTI – Vendimi për të përfshirë Asllanin në vendin e Çalhas për sulmin final flet shumë për besimin e trajnerit, i cili nuk i ka shpëtuar ecuria e ish-lojtarit të Empolit gjatë vitit të fundit. Kristjanit nuk iu drodhën këmbët, ndryshe nga ajo që ndodhi pak më shumë se një vit më parë në 77 minutat e tij të para si titullar me fanellën zikaltër.
Shkoi keq, aq sa Inzagi zhvendosi në regji Çlhanoglunë si zëvendës Brozoviç. Këtë herë, qoftë edhe për rreth 20 minuta, përgjigja ishte krejtësisht e ndryshme, në një kontekst që nuk ishte aspak i thjeshtë. “Dua të ndihem edhe më shumë protagonist dhe të punoj shumë. Trajneri po më jep besim edhe në ndeshje kaq të rëndësishme dhe e falënderoj”.
Pak më shumë se një muaj më parë, në prag të debutimit të tij sezonal në Ligën e Kampioneve, Inzagi shpjegoi se si Asllani ishte një “lojtar i rëndësishëm dhe i gatshëm për të qenë titullar”. Ndaj Romës, trajneri mori përgjigje të reja, të rëndësishme.
LEKSIONE NGA ÇALHA – “Të mësosh nga një kampion si Çalhanoglu është një privilegj, më jep një ndihmë të madhe”, shtoi Asllani. Po, sepse Inzagi ka vendosur ta brumosë në rolin e regjisorit duke e bërë të studiojë personin që mban çelësat e mesfushës së zikaltërve prej një viti dhe Asllani po përkushtohet, duke tentuar të vjedhë çdo sekret.
Nga trajneri te drejtuesit, brenda zikaltërve ekziston besimi se Asllani mund të bëhet një gur themeli i mesfushës së ardhshme përmes një rruge rritjeje që kalon domosdoshmërisht përmes angazhimit më të madh dhe përgjegjësisë më të madhe.
Paraqitjet në krahasim me sezonin e kaluar pas 13 ndeshjeve të para mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve janë të njëjta (8), por deri tani Asllani ka gjetur më shumë hapësirë në Evropë, duke grumbulluar 75 minuta në fushë në tre ndeshjet e para të fazës së grupeve, kundrejt 15’ të vitit të shkuar.
Objektivi minimal është që të paktën të përsëriten 29 paraqitjet e vitit të parë në Milano, ndoshta duke rritur kohën e lojës në krahasim me 858’ totale të një viti më parë. Por me këtë ritëm nuk duket të jetë problem. Nëse Asllani është ai që u pa në çerekorëshin e fundit ndaj Romës, ai do të fillojë ta shohë më me këmbëngulje fushën./ NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al