Kronikë për kriteret e Borës dhe platformën që të bën deputet!

Aug 2, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

agron-gjekmarkaj-675x450-1AGRON GJEKMARKAJ

Bora tanimë po gëzon më në fund famën e merituar. Babo e ka vënë shefe të platformës “Deputeti që duam” dhe të atyre që nuk do, të caktojë kriteret, të mbledhë video e CV, të dhëna e lajme, ëndrra e vizione, derte e brenga, psherëtima e lutje, qarje e të qeshura, romuze e këngë, thagma e maksima. Ajo është bërë më e heshtur dhe rri siç ia kërkon sëra. Madje të martën Shalsi, i cili e ka pasur këshilltare, ndaj është aq strategjik qerratai, i foli me mendjelehtësi e konfidencë, por ajo me të drejtë nuk i dha të njohur dhe i ndenji rëndë. Ai u zverdh e u mpak, u bë si limon i harruar në degë.

Mamicushi Tao se do bëjë punën e Mamicës, ndaj mësohuni me këtë togfjalësh hoqi dori nga e folura kur pa se ç’ndodhi, boll gjëma kam pasur këto ditë mendoi. Qortimi i saj do të ishte shumë më i rëndë se degdisjet e Babos, që e ktheu të bëjë gavetën. Çudira e lajme kontradiktore po vijnë nga çdo anë.

Majko paskësh bërë një video, me fustanellë veshur duke kënduar një këngë partizane “në ato maja rripa-rripa, zbrit nga kali se të mbyta” madje dhe CV-në e kishte nomatisur me shkrim dore që të dukej origjinal. Bora kishte kafshuar buzën. “Je dobët i kishte thënë, këndon shkel e shko pa pathos, ke aluzione të dëmshme, hko puno me veten dhe kënga të jetë nga aktualiteti me temë tunelin e Llogarasë”. Mimi di Puccini e kishte ndarë në tri pjesë regjistrimin “një pasazh nga Ferri i Dantes, një virtuozitet me qemane dhe një gatim allafrënga makaronash si dhe një prezantim të vetes jam kjo e jam ajo”. Bora kishte humbur durimin, ia kishte kthyer mbrapsht “merr “Kurbanin” ç’janë këto rrangalla, mos na e ço kohen dëm, jo Rilindja europiane jo gjepura me bisht, mos më bëj të të akuzoj për mosmirënjohje”.

Mimia kishte replikuar duke i rrëfyer se me atë po punon Ciu, por ajo hazerxhevap “aty ka lëndë të parë për të gjithë pa rënë në përsëritje”. Kodheli kishte ikur e mpirë dhe kokulur. Toni kishte provuar me interpretimin e Ungjillit sipas Lukes. Këtu Bora ishte nxehur dhe me hakërrim i kishte bërë me dije nëse do bësh prokopi, analizo fjalimin e Mamicës kur u bë kryetare dhe gjej për kë e ka pasur atë kafe e ujë për opozitën eja këtu ta recitosh dhe ik nashi”. Qielli i errej, këmbët i dridheshin.

Zoti nuk po e shihte. Damua shkoi me sportivitet si pas palestre “ja i tha kam bërë diçka të veçantë, vrap 100 metër për të demonstruar, shpejtësi, ritëm, qëllim e cak”. Lëri more dokrrat, iu kthye Bora, le ta shohim. Pa shkuar në gjysmë, e fiku. Me kaq shpejtësi djalo s’ke gjë në terezi, kaq vrapon dhe Baftua. Nuk ta mbush syrin ti. Tezja kishte filmuar një valle libohovite, një iso me Termenë dhe një dolli me putir në një lendinë. Ishte e sigurt që kishte qëlluar në shenjë, por Bora e zhgënjeu. “Nuk ka pasion, as ritëm, nuk tundet dheu dhe oshëtijnë zabelet, ka monotoni, shko përsërite, pastaj po bini të gjithë në folklorizëm”!

Murretimi i Tezes u bë re. Çuçi kishte realizuar një spot duke bërë not dhe e mbyllte me nënshkrimin në zyrën e zhveshur që i la Ermua “ne lahemi në detin e Babos, përpjekja ka rëndësi jo komoditeti”. Këtu Bora u vu në mendime. Do ta shoh prapë më vonë i tha kij besim. Anila Denaj e kishte çuar kameran në një vathë me dhen dhe ajo e ulur në shtrungë i milte, një nga një, qumështin e kullonte, e zinte djathë, e bënte kos e gjizë, gjalpë e ajkë! Herë pas herë blegërinte vetë, që gjëja e gjallë t’i afrohej natyrshëm”. Këtë bukolizëm e thjeshtësi, Bora e vlerësoi me plus.

Klosi ishte veshur si bari me brucë të zezë krahëve, me qeleshe dhe një kërrabë rrethuar me dele në një monopat ku i binte fyellit. Në vend të CV-së shkruante kjo na pret nëse Babo na vë vizën. Edhe këtë Bora e mori seriozisht. Braçja po zinte bretkosa në Divjakë dhe poshtë tek CV shënoi këtë fat kemi dhe ne në pjatën e Babos dhe rrjetën e Borës. Bora e mori si provokim dhe e nxori jashtë. Ça ke mi, ça ke mi, dëgjohej ankimi i Erit. Ismet Beqiri, i cili në fillim e kishte marrë me neglizhencë, por nursesllëku i Borës e kishte ndihmuar shumë për reflektim. Ai kishte rrjepur një cjap varur në një frashër dhe tek letra e rekomandimit zografiste më mirë të na rrjepë Babo me dorën e vet sesa të bëhemi si Ditmiri. Kjo thjeshtësi njerëzore e preku Borën, madje i bëri edhe një kafe. Dilos përsëri nuk i shkoi mbarë! Nuk më pëlqen ti i tha, je shumë i kuq në fytyrë, shko abronxohu, pastaj shohim e bëjmë.

Çyrbes po ashtu, kaq ezmer s’ke ku shkon, ik zbardhu. Po ti shiko performacen i tha Jurgysi me zë të mekur. Ajo jo, jo fshati që duket nuk do kallauz. Bujari i Lushnjës kishte imituar Tahir Baçovën duke zbutur një arushë teksa Blerina i binte dajres. Ata ndanin mendimin se çdo urdhër i Babos duhet pritur me ritmin e arushës. Arben Pëllumbi i bindur që pas prezantimit që i bëri ‘Kronika’ herën tjetër do e gjente derën hapur te Bora, shkoi atje duke vërshëllyer. Jam Arben Pëllumbi i tha, qofsh shëndosh ia kthen, ku e kam dëgjuar këtë emër? Arbeni u pre pak në fytyrë po s’e dha veten, jam djali i Servet Pëllumbit i tha…! A, poooo, i tha Bora e njoh, ka qenë futbollist i Kombëtares, sulmues, ti do jesh bërë portier, kemi nevojë për njerëz që na mbrojnë portë… eja!

Etilda nuk e ka dorëzuar ende, por mendonte të shfaqej në një punishte bletësh, me devizën ne jemi bletët punëtore në kosheren e Babos, mjaltin e ha populli! Platforma ngjan me kombinatin “Çeliku i Partisë’ në Bradashesh, punohet natë e ditë, del tym e flakë. Në vazhdim do ju mbajmë të informuar gjatë gjithë gushtit. Na e bëni hallall se për sot kaq informacion patëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura