Kryebashkiaku i Tiranë, Erion Veliaj ka inspektuar punimet për rindërtimin e shkollës 9 vjeçare “Ibrahim Hima” në Vaqarr.
Gjatë inspektimit në kantier, Veliaj vuri theksin tek rëndësia e krijimit të kushteve të mira të mësimit për nxënësit e zonës.
“Fakti se 1/3 e punës është bërë në më pak kohë seç ishte parashikuar, do të thotë se e gjithë shkolla do të mbarojë në kohë rekord. Mezi pres që fëmijët të kenë një super hapësirë. Ka qenë ndoshta shkolla e vetme, ose ndër dy të vetmet, të cilat e kanë pasur tualetin jashtë. Më vjen mirë që jo vetëm zhdukim këtë mënyrë të prapambetur të higjienës, por shkolla do trefishohet, po ashtu edhe klasat, laboratoret, ambientet sportive. Mezi pres t’i japim të njëjtën cilësi fëmijëve në Prush dhe në Vaqarr, njësoj si në të gjithë Tiranën”, tha Veliaj.
Duke qenë se rindërtimi i shkollave është prioritet i Bashkisë së Tiranës, Veliaj shtoi se po punohet për ndërtimin e shkollave të reja në zona si Astiri.
“Nëse më parë kishte një vijë të verdhë mes ish komunës dhe qytetit të Tiranës, sot vija e verdhë nuk do të kuptohet fare, as në hartë, as në terren. Duam që brenda dhjetorit të mbarojmë garat për shkollat tek lagjja ‘Rilindja’, tek Unaza e Madhe. Fillimi i tre shkollave aty zgjidh përfundimisht një ngërç të jashtëzakonshëm që kemi pasur aty. Kemi filluar me territorin, kemi fituar të gjitha gjyqet me lloj-lloj njerëzish problematikë dhe zaptues të hapësirave publike. Tani që jemi në garë edhe për tre shkollat tek “Astiri”, është e nevojshme që të ecim me marshin e pestë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave si një mision për të lënë pas një trashëgimi të vyer për brezin e ri.
“Ne do t’i lemë Tiranës një ‘buqetë’ me 50 shkolla. Llafet, cic-micet, i merr era, sherret e ditës harrohen. 50 shkollat ngelen. Këto shkolla janë “paja” që ia lëmë një brezi të ri”, shtoi ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al