Kryeministri britanik, Keir Starmer, thotë se lufta në Ukrainë mund të “mbarojë që sot nëse Putini ndalon agresionin”.
Në një intervistë me gazetarët rajonalë të BBC, kryeministri u pyet nëse Britania e Madhe është “në luftë” me Rusinë për konfliktin e saj me Ukrainën.
Starmer u përgjigj: “Jo, ne nuk jemi në luftë, por Ukraina sigurisht që është, sepse Ukraina është pushtuar nga Rusia dhe ajo luftë ka vazhduar për pak më shumë se 1000 ditë.”
“1,000 ditë agresion nga Rusia dhe 1,000 ditë sakrificë për Ukrainën, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi thënë vazhdimisht se qëndrojmë pranë Ukrainës. Ne nuk mund të lejojmë që Putini ta fitojë këtë luftë”, tha kryeministri.
Me zhvillimet e fundit të luftës, kërcënimi i konfliktit global është serioz dhe real me luftën Ukrainë-Rusi, e cila hyn në një fazë vendimtare, tha më herët kryeministri polak Donald Tusk.
Kremlini thotë se sulmi ndaj Ukrainës ku u përdor një raketë balistike hipersonike të sapozhvilluar ishte projektuar për të paralajmëruar Perëndimin, se Moska do t’i përgjigjet vendimeve të tyre “të pamatura”.
NATO thotë se përdorimi i armës nga Rusia nuk do të ndryshojë rrjedhën e konfliktit pasi Presidenti i Ukrainës Zelensky thotë se është “një përshkallëzim i qartë dhe i ashpër”.
Ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë thënë se do të bëjnë “gjithçka që është e nevojshme” për të mbështetur Ukrainën dhe për të arritur paqen e qëndrueshme në rajon.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al