Kryeministri Edi Rama iu nënshtrua dje një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në sqarimin e zyrës së shtypit të kryeministrisë thuhet se ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata kreu ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale.
Ndërhyrja zgjati rreth 2 orë. Në një prononcim për “News24”, mjeku u shpreh se gjendja e kryeministrit është stabël, por sonte do të duhet ta kalojë natën në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”.
“Rama është zgjuar nga anestezia dhe është në gjendje stabël. Operacioni i Ramës zgjati rreth 2 orë, ndërsa kryeministri do të qëndrojë sot në ambientet spitalore. Operacioni ishte planifikuar disa ditë më parë”, u shpreh kirurgu Arben Gjata.
Kryeministri Rama kaloi natën në mjediset spitalore të QSUNT. Ekipi mjekësor, nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata, kreu ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Zoti Rama e kishte paralajmëruar më herët se do të kryente ndërhyrje, kur mori pjesë në hapjen e spitalit ditor brenda QSUT-së.
“Unë mund të flas dhe si pacient dhe mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale që i kam mësuar dhe emrin, se kësaj diskales nuk kërkoj mjekë sepse punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbatje para ushqimit që mos të rëndoj kolonën e lodhur nga basketbolli. Inguinales nuk i bëj dot derman dhe me shumë kënaqësi do të vij”, deklaroi aso kohe Rama.
Më shumë se një vit më parë kryeministri Rama iu nënshtrua një operacioni për heqjen e apendicitit, po në QSUT. Pritet që kryeministri të lerë mjediset spitalore sot.
Ekipi i mjekëve që operoi Ramën, në të dyja ndërhyrjet kirurgjikale:
Arben Gjata, Shefi i kirurgjisë,
Arben Beqiri, Kirurg
Krenar Lila, Shefi i anestezi-reanimacionit
Dritan Rahovica, Kirurg
Saimir Kuçi, anestezist
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al