Bashkimi Evropian duhet të rishqyrtojë sanksionet kundër Rusisë, pasi këto masa po mbajnë çmimet e energjisë të larta, duke penguar konkurrencën ekonomike të bllokut, tha sot kryeministri hungarez Viktor Orban.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nënshkruan një deklaratë mbi konkurrencën në samitin e tyre joformal javën e kaluar.
“Çmimet e energjisë duhet të ulen me të gjitha mënyrat. Kjo do të thotë se sanksionet duhet të rishikohen sepse sipas politikës aktuale të sanksioneve, çmimet e energjisë nuk do të ulen,” tha Orban në një intervistë në radion publike hungareze, shkruan Reuters.
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Orban ka qenë kritik i zëshëm i sanksioneve të BE-së kundër Moskës dhe të ndihmës financiare dhe ushtarake që blloku ka dhënë për Ukrainën.
Përderisa shtetet në perëndim të Evropës kanë bërë përpjekje serioze për të hequr dorë nga energjia ruse, Hungaria merr 80-85 për qind të gazit nga Rusia dhe 80 për qind e furnizimeve të saj të naftës së papërpunuar e merr po ashtu nga Moska.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al