“Kryeministri ka për qëllim të mbaj opozitën jashtë”- Bylykbashi: Rregullorja si e një kampi përqendrimi! Nuk e braktisëm Parlamentin, por…

Nov 9, 2024 | 17:29
SHPËRNDAJE

Nënkryetari dhe deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka folur sot për situatën politike, aksionin e opozitës si dhe reagimet nga maxhoranca.

Bylykbashi-5-770x433

I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Bylykbashi deklaroi se seanca e së enjtes ishte ashtu siç duhet të jetë, me debate dhe argumente të forta.

Sipas demokratit, PD nuk ka marrë kurrë vendimin për të braktisur parlamentin, por kishin mbetur vetëm 7-8 deputetë pa përjashtuar, pasi të tjerët sipas tij, ishin të përjashtuar pa ligj.

“Një seancë parlamentare është ajo, nuk është ajo situata tjetër. Po ti kthehemi debatit të buxhetit të vitit që shkoi nuk ishte debat për buxhetin, ishte një turp, 8 minuta. Të flasësh për një seancë plenare duhet të kuptosh një debat të shëndoshë, ku janë argumentet e palëve të forta, debatet mund të jenë dhe të ashpra. Ajo e së enjtes është një seancë e cila i dha mundësinë opozitës të shprehë qëndrimet e saj në raport me një aspekt kaq të rëndësishëm siç ishte buxheti.

Ne nuk kemi marrë kurrë vendimin për të braktisur parlamentin. Kishim mbetur vetëm 7-8 deputetë pa përjashtuar, të tjerët ishin të përjashtuar pa ligj. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar përjashtimet afatgjata, ky mekanizëm represiv parlamentar antikushtetuese dhe antiparlamentar i kishte nxjerrë jashtë kuvendit deputetët e opozitës”, tha Bylykbashi.

Ndër të tjera, ai deklaroi se kryeministri Rama ka si qëllim të mbajë opozitën jashtë parlamentit dhe se kundër opozitës u përdor Garda dhe policia.

Bylykbashi theksoi se kryetari i Kuvendit duhet të garantojë zbatimin e rregullave dhe procedurës që mundësojnë debatin parlamentar, ndërsa e ka cilësuar rregulloren si të një kampi përqendrimi.

“Akuza është për Spiropalin, nëse nuk do kishte qenë vendimi i gjykatës që e shfuqizoi…kanë ndërmend dhe ta ankimojnë në Apel. Pra, qëllimi për të vazhduar për ta mbajtur opozitën jashtë është i qëndrueshëm, është i Edi Ramës. Vetëm komision etike nuk është. Kur ne e thërrasim për të shqyrtuar kërkesat tona nuk mblidhet. Vendimi për përjashtimin e kolegëve, kishte firmën e ish-deputetit të arrestuar Cyrbja. Grupi parlamentar i opozitës i përzënë.

Kryetari i kuvendit është numri dy i Republikës, nuk është një pozicion për të hipur e zbritur nga makina. Rregullorja është e një kampi përqendrimi, opozita disiplinohet si të jetë armiku. U përdor Garda dhe policia. Parlamenti është i padhunueshëm, ndërkohë para dy javësh patëm policinë e shtetit që ndërhyri në mënyrë antikushtetuese”, tha nënkryetari i PD-së.

Por a kishte dhunë nga opozita?

“Në dijeninë time dhe prokuroria e ka rrëzuar këtë aspekt. Nuk e ka parë si një vepër penale e cila kishte qëllime si ato që thotë maxhoranca. Çdokush duhet të ngjitet në lartësinë e asaj karrigeje të numrit dy të shtetit, nëse nuk ngjitet dot, problemin e ka personi. Kryetari i Kuvendit duhet të garantojë zbatimin e rregullave dhe procedurës që mundësojnë debatin parlamentar. Sipas raportit të KE, parlamenti mund të funksionojë në mënyrë të kënaqshme”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura