Kryeparlamentarja Spiropali, mesazh në ditën e lindjes së Abdyl Frashërit: Njëri prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare!

Aug 29, 2024 | 16:28
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka dhënë një mesazh në 185-vjetorin e lindjes së Abdyl Frashërit, duke theksuar kontributin e tij të madh në historinë e Shqipërisë.

elisa spiropali abdyl frasheri

 “Sot, në 185-vjetorin e lindjes së Abdyl Frashërit, kujtojmë kontributin e vyer politik të njërit prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare”, shkruan ajo në mesazhin e saj.

Spiropali shprehet se Abdyli ishte i pari që e ktheu ideologjinë rilindase në projektin e parë politik pas epokës së Skënderbeut, duke i dhënë jetë Lidhjes së Prizrenit.

Ndër të tjera, duke risjellë në vëmendje persekutimin e Abdyl Frashërit, ajo shton se “burra të tillë shteti japin përherë mësimin se çdo reflektim ideologjik mbetet i përtharë, përderisa nuk shndërrohet në veprim politik”.

Reagimi i plotë

Sot, në 185-vjetorin e lindjes së Abdyl Frashërit, kujtojmë kontributin e vyer politik të njërit prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare.

Guxoj të pohoj se ndër vëllezërit Frashëri dhe rilindasit e tjerë, Abdyli ishte i pari që e ktheu ideologjinë rilindase në projektin e parë politik pas epokës së Skënderbeut, duke i dhënë jetë Lidhjes së Prizrenit.

Besëlidhja e Lezhës dhe Lidhja e Prizrenit, ngjarje kjo e fundit aq hijerëndë sa që Atë Gjergj Fishta i thuri lavde te “Lahuta e Malcisë,” janë të vetmet projekte politike reale shtetformuese para Pavarësisë së Shqipërisë. Si Kryetare e Kuvendit, e ndjej si përgjegjësi morale dhe politike të përkujtoj Abdyl Frashërin, i cili i dha jetë sytheve të para të historisë parlamentare shqiptare.

Kujtoj me respekt të thellë një detaj që duket se ka ndjekur si peshë kryqi të gjithë politikanët e mëdhenj idealistë shqiptarë: persekutimin e ashpër. Në pranverën e vitit 1881, kur osmanët shtypën Lidhjen e Prizrenit, ai u arrestua dhe më vonë u internua, derisa ndërroi jetë në vitin 1892. Burra të tillë shteti japin përherë mësimin se çdo reflektim ideologjik mbetet i përtharë përderisa nuk shndërrohet në veprim politik.

Mirënjohje gjithmonë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura