Kryeparlamentarja Spiropali mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit: Ndihemi krenarë për mbrojtjen e hebrenjve

Jan 27, 2025 | 11:50
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, është shprehur se lidhjet e shqiptarëve me hebrenjtë janë të hershme e historike.

 

63d509e7-39c4-41f4-88a8-4dbc8f43cab8

“Në këtë ditë ne ndjehemi krenarë për miqësinë, dashurinë dhe mbrojtjen e hebrenjve”, shkruan kryetarja e Kuvendit.

Ajo theksoi se Shqipëria ishte i vetmi vend, i cili në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kishte më tepër hebrenj se në fillim të saj.

Ndërsa shtoi se “për nga kontributi për mbrojtjen dhe mbështetjen e hebrenjve, Shqipëria është njohur e vlerësuar si një atdhe tjetër, atdhe rezervë, për ta.”

 

Postimi i plotë:

“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, për ne shqiptarët është një ditë e jashtëzakonshme. Në këtë ditë ne ndjehemi krenarë për miqësinë, dashurinë dhe mbrojtjen e hebrenjve.

Lidhjet e shqiptarëve me hebrenjtë janë të hershme e historike.

Shqipëria ishte i vetmi vend, i cili në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kishte më tepër hebrenj se në fillim të saj. Është fakt i njohur botërisht se në Shqipëri hebrenjtë u mbështetën dhe u mbrojtën nga të gjithë shqiptarët, populli dhe institucionet, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive fetare.

Për nga kontributi për mbrojtjen dhe mbështetjen e hebrenjve, Shqipëria është njohur e vlerësuar si një atdhe tjetër, atdhe rezervë, për ta.

Rezoluta mbi Antisemitizmin, miratuar nga Kuvendi dhe Forumi i Parë Ballkanik kundër Antisemtizmit, organizuar nga Kuvendi në tetor 2020, e kanë bërë Shqipërinë lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit.

Antisemitizmi, si një zëdhënës i urrejtjes, ndarjes, luftës dhe armiqsisë, nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por kundër të gjithë qytetërimit, kundër vlerave të cilat ne mbrojmë dhe lartësojmë: dashurisë, bashkimit, paqes e solidaritetit mes njerëzve dhe mes popujve. Shkrimet e shenjta hebreje janë, mes të tjerash, një udhëzues i mëkimit me këto vlera njerëzore. “Nuk mund të rrish duarkryq para gjakut të fqinjit tënd”, shkruhet, mes të tjerash, në këto mësime.

Ne, shqiptarëve, na bën krenar fakti që  mbrojtja e hebrenjve në trojet tona mësohet nga nxënësit e shkollave në Izrael, si një mirënjohje për marrëdhënien tonë të veçantë përgjatë shekujve.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura