Kundërshton arrestimin! Caktohet data e seancës për ankimimin e Ilir Metës në Apelin e Posaçëm

Nov 13, 2024 | 15:19
SHPËRNDAJE

Apeli i Posaçëm ka caktuar datën 19 nëntor ora 10:00 për të zhvilluar seancën për shqyrtimin e ankimit të Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kërkon lirimin nga burgu, raporton gazetarja Klodiana Lala.

ilir meta arrestim pranga drejtoria e policise tirane2

Gjithashtu po në të njëjtën datë Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë edhe kërkesën e ish-bashkëshortes së Metës, Monika Kryemadhi, e cila ankimon masën “detyrim paraqitje”.

Meta dhe Kryemadhi janë nën hetim për korrupsion,  pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Që prej datës 21 tetor, Ilir Meta ndodhet në qelitë e paraburgimit të burgut 313 në Tiranë, teksa po përballet me 3 akuza: korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Por në një intervistë ekskluzive për gazeta “Panorama”, Meta i mohoi akuzat dhe e konsideron hetimin ndaj tij si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.

Ish-Presidenti denoncoi edhe mënyrën e arrestimit të tij, ndërsa tregon momentin e prangosjes nga njerëz me maska dhe pa asnjë shkresë zyrtare.

Për të treguar se si ndjehet në burg, Ilir Meta risolli një bisedë të ish-Presidentit të Çekosllovakisë, Vacllav Havelit, në Pallatin Mbretëror të Mbretëreshës Elizabet, i cili iu përgjigj asaj se, “edhe sikur të më vënë prangat, përsëri sapo të dal nga pallati juaj, nuk më bën më përshtypje”.

Ilir Meta tha se nuk ndjehet i burgosur, por i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike. Sipas ish-Presidentit, burgosja e tij u bë që të dobësojnë reagimin opozitar.

Meta foli për një tjetër shkelje, pasi siç u shpreh ai, pas prangosjes, nuk e lejuan që të kontaktonte me avokatin dhe nuk e njohën me të drejtat sipas ligjit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura