Nga Lek Pervizi
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Këto burra ishin një trup i vërtetë pedagogësh të lartë për katedra universitare dhe me drejtue një Akademi. Por shteti komunist totalitar dhe vetë diktatori saj Enver Hoxha, ishin për zhdukjen e kësaj shtrese intelektualësh të shquar. Kjo për ne të rinjtë, ishte një surprizë e mirë, se dhe pse në rrethana fare të këqija, po njiheshim me elitën e intelektualëve, jo vetëm të Shkodrës por edhe të tjerë, emna të dëgjuem, me të cilët im atë kishte pasë njohje e lidhje miqësore.
Edhe në atë rreth prej 100 vetash, historia e Valentinit vështrohej e gjykohej si një ngjarje e veçantë dhe e pabesueshme për rrethanat që ishin krijue. Si kishte qenë e mundur që një njeri, që kishte kalue gjithë rininë atje ndër miradinat e Italisë, në qendër të qytetërimit, pavarësish nga lufta, të nisej drejt përfundimit në skëterrën bolshevike, me gjithë gruan italiane, prej së cilës skëterrë njerëzit kërkonin të iknin tue rrezikua jetën. Kjo ngjallte bisedën rreth fatit, me përfundimin se ishte pikërisht një forcë ose fuqi misterioze, që ndikonte në përcaktimin e jetës së njeriut, prej të cilit ndikim nuk mund të shpëtoje.
Populli e kishte përkufizue shumë mirë këtë problem: fatit hapi derën, ja për mirë, ja për keq. E pranonin se edhe ata kishin hy në ingranazhin e një fati të keq, por rasti i Valentini, ishte tepër i veçantë. U muar vesh se ai personi që ia kishte mbush mendjen dhe e solli në Shqipni, shoku i tij i shkollës, Nuri Nuçi, ishte largue në Itali, pa i hy ferrë në këmbë me gjithë gruan, tre muaj ma vonë.
Ky njeri paskej qenë ose një vegël e fatit ose, e ndonjë force njerëzore zëvendësuese e fatit, që ishte Sigurimi i Shtetit. Pra të gjithë, ia qanin hallin Valentinit, ndërsa edhe ata vetë, ishin viktima të fatit.
Kampi i Shtyllazit ishte transferue në Radostinë, ku vazhdonte puna përfundimtare e atij kanali. Një mëngjes kur të internuarit u çuan, ç’ka me pa? Të burgosurit ishin zhduk, i kishin transferue gjatë natës. Kishte mbet veç rrjeti i ndarjes dhe karakolli pa roje dhe dera prej rrjeti e hapur. U grumbulluam të gjithë në oborrin para barakës.
Askujt nuk ia mbante me u afrue te dera, aq ma pak me dalë prej saj. Kur ja vjen një “Xhips”, prej së cilës zbret një oficer, që të burgosurit e njohën: Kolonel i Sigurimit, Shpend Dega, tropojan, një injorant me kallo, por dhe me spaleta. Shoqërohej nga dy kapterë të policisë, për çudi pa armë. Ai zuri vend para grupit të dënuarve:
-“Dëgjoni, partia e qeveria, kanë vendos me iu lirue nga kampi me tela, sepse asht konstatue se i keni ndërrue kokat dhe jeni përmirësua. Të kuptoni se ne punojmë për të mirën e vendit e, të qytetarëve. Prandaj mbas sodit, jeni të lirë me qarkullue brenda zonës së Fierit, me kusht apeli të detyrueshëm, dy herë ose tre në ditë, që do ta bëjë një kapter, që do të caktohet kastile për ju.
Mund të gjeni ndonjë punë, por gjithmonë në dijeni të këtij kapteri. U sigurohet buka dhe një kuti konserve mishi, në javë. U morëm vesh»?! Si erdhi shkoi me atё sjellje harbutçe. Sa u largue oficeri, shkodranët filluan tuj u tallë me njeni-tjetrin, si u ba që kemi ndërruar kokat, pa e ditë?! “Pse, koka të tjera kemi tashti?! E di partia”!
Qëllimi paskej qenë tjetër. Ndërsa po pritshin mos vinte ndonjë vendim tjetër, me i lirue fare e me u kthye në shtëpitë e tyne, veç kur një mëngjes që do të bëhej apeli, erdhi një kamion, dhe një oficer që zbriti me një letër në dorë, tha: “Ata që do të dëgjojnë emrat, të marrin plaçkat dhe të hipin në kamion”.
Ishin emrat e njëzet vetëve, që konsideroheshin të aftë për punë. Ndër to edhe Valentini, bashkë me Guljelm Dedën, Isa Kokalarin, Nikoll Palucën, Pjetër Bardhecin, Mit’hat Aranitin, Ibrahim Sokolin, Estref Frashërin, disa korçarë e të tjerë, fiks 20 vetë.
Ku po i çonin?! Veç kur vjen një letër prej Kuçit të Kurveleshit, prej Valentinit. Ku shkruhej se ishin në Kuç, duke meremetua dy banesa, ku do të iu bien edhe ju të gjithëve. Kështu pra qëllimi i kampit të Shtyllazit, e kishte përfundimin në izolimin tonë, në zonën e thellë të grykës së Kurveleshit, nja 6 orë rrugë e keqe, nga Vlora. «Po pse na tha ai zotnija, se i keni ndërrue kokat?! Ne po ato koka po kemi, s’kemi pas si me i ndërrue”! vazhdonin të bënin shaka pleqtë shkodranë.
Nuk kaloi muaj dhe pikërisht ditën e 28 nëndorit, na hipën ne të tjerëve në dy kamionë të pa mbulesë e, nëpër shi, që na kishin hedhë nji si mushama të madhe sipër. Na nisën për në Kuç, ku mbërritëm natën. Kështu u themelue kampi i izolimit të Kuçit të Vlorës, ose Kurveleshit, me 28 nëndor 1955. Në dy shtëpi të Gjolekajve, të riparueme prej t’internuemve. Fshati і Kuçit, njihej si fshat komunist, me 400 shtëpi dhe 400 oficerë (të gjithë të Sigurimit).
Me kët rast, Valentini kishte pasë mundësi t’i shkruante Gorit nga posta e Kuçit një kartolinë dhe mori përgjigje po me kartolinë. Gori shkruante se e kishte marrë vesh, se ku ishte. Në një vend të bukur e klimaterik. Ajo shkonte në shtëpinë e oficerëve, ku në një hartë ushtarake, e kishte gjet Kuçin malor ku po “dëfrehej” Uliksi і saj. Valentini ia kishte kthye, se do t’ishte mirë që ajo të vinte e ta «shijonte» bukurinë e atij vendi bashkë me të.
Sigurisht se Gori e kishte kuptue ku gjendej dhe pse e kishin çue atje. Nuk ishim të detyruar me punue e, na jepnin racionin e bukës për një javë, që vinte nga Vlora dhe asgjë tjetër. Mund të bridhnim nëpër Kuç, deri te klubi i vetëm e, nja dy dyqane. Duke qene se na jepnin vetëm bukën, për me ble ndonjë send ushqimor, komanda na lejonte me nxjerrë kucka shqope, që i merrte grumbullimi me pagesë. Por duhet të respektonim apelin, tri herë në ditë e, mos me u largue përtej disa caqeve tё caktuem.
Kampi і Kuçit, u kthye në një Akademi të vërtetë, ku në 100 vetë, 60 ishin të diplomuar në Universitete ma të mira europiane e, me tituj, Prof. Dr. dhe funksione të nalta shtetërore, kulturore, ekonomike, ushtarake, etj. Një kuriozitet domethënës. Kuçi nuk kishte drita elektrike. Inxhinier Estref Frashëri, i propozon Këshillit të Kuçit me anë të komandës, se ata ishin në gjendje ta furnizonin me energji elektrike fshatin, po të donin.
Propozimi ishte pranue dhe këta “armiq të popullit” sajuen një far hidrocentrali në përruan e Buronjës, tue ndërtue një tunel për vërshimin e ujit me forcë, ku u vendos një elektromotor i fuqishëm (sipas kërkesës së inxhinier Frashërit), që kishin sjellë nga Vlora.
I rregulluan fletëzat prej druri dhe banë lidhjet e përshtatshme dhe fap në çdo shtëpi të Kuçit, u ndezën llambat, sepse Këshilli e kishte krye shpërndarjen e linjës. Kjo, punë ua ndryshoi mendjen kuçiotve, ku Sigurimi dhe partia kishin përhapë mashtrimin se në kampin e Kuçit, partia e qeveria, kishin sjell njerëz të rrezikshëm, armiq të popullit e kriminelë, duke ditë se kuçiotët, ishin njerëz besnikë të partisë e të qeverisë, të vendosur e vigjilentë, që i urrenin këto armiq dhe ua tregonin grushtin e vendin, kur ta lyptë puna. Ndodhi e kundërta. Kuçiotët e kuptuan se kishin të bënin me ajkën e shoqërisë shqiptare. Njerëz paqësor, të ditur e të mençur.
Erdhi dita kur pas tre vjetësh, më 1958-ën, kampi u mbyll si pasojë e afrimit të Hrushovit me Ajzenhaurein e, vizitën që ai bëri në Amerikë. Na grumbulluan të gjithë në kampin e Gradishtës, mes moçaleve të Lushnjë, ku na caktuan fillimisht në punët bujqësore. Po pse?! Bukur ishte të shikoje alamet profesorësh duke prashit misër, pambuk e hap vija kulluese e kanale. Një turp і madh që nuk mund të konceptohej nga një mendje e shëndoshë, por e realizueme nga disa mendje diabolike, që urrenin virtytet e larta të qytetërimit europian, që kishte ndriçue botën mbarë.
Të kishe studiua në vendet europiane, përbënte një akt-akuzë të rëndë, ku gjendej preteksti me të pushkatua e denue, me burgje e kampe internimi. Me të trajtue si bujk-rob, skllav e kafshë pune ! Si mund ta përfytyronte e shkreta Gori, kjo “Penelopë” e shekullit të XX-të, se burri і saj, oficer akademist me perspektivë të shkëlqyeshme, të rrinte gjithë ditën i kërrusur mbi lopatën, kazmën e belin, për një kothere bukë?! Edhe kur ma vonë këto punë i tregoheshin e shpjegoheshin asaj, nuk arrinte t’i besonte, aq absurde i dukeshin. Jo vetëm asaj, por gjithkujt me mendje normale të shoqërisë së vendeve të qytetrueme perëndimore.
A do të kishin marrë fund peripecitë e “Uliksit” tonë? Rikthimi në kushte të një internimi ma të lirë, pa rrethim me tela me gjemba, të internuarve nuk u hiqej nga kurrizi apeli, dy tri herë në ditë, sipas humorit dhe tekave të kapterëve. Në Gradishtë ne u bashkuam si familje, edhe me Gencin, që ishte lirue pas 10 vjet burg, më 1957. Ai ishte i fejuar me të bijën e Llesh Marashit, Albina, me të cilën u martua në vitin 1958, në Gradishtë. Këto kondita të reja i dhanë mundësi Valentinit, t’i shkruante “Penelopës” tij, e cila u qetësua e gëzua për “Uliksin” që kishte kaluar në detë ma pak tallazor.
Përsëri filluan të ngjallën shpresat e një përmirësimi të gjendjes. Një far zbutje, midis Amerikës dhe Sovjetikëve, e kishte ul tensionin e terrorit. Që tashti kishte përfshi edhe radhët e komunistëve, qysh me Konferencën e Tiranës, më 1956, ku disa prej tyne e pësuan me jetën dhe të tjerë, përfunduan burgjeve dhe internimeve. Ndodhi që Hrushovi të vinte më 1960 të vizitonte Shqipninë. Mobilizim i madh, për pritjen e tij triumfale. Ky mobilizim na përfshiu edhe ne të internuarit.
Të gjithë sa ishim burra, na hoqën nga puna dhe sektorët afër qytetit të Lushnjës, dhe na mbyllën dy javë në kotecet e pambukut e misrit të sektorëve të largët, ndër to edhe Gradishti, ku na jepej vetëm racioni i bukës. Ruheshim nga policë të armatosur e, nuk kishim të drejtë qarkullimi jashtë zonës së koteceve.
Ishte verë dhe na kishin shti aty brenda, pa shtrojë e mbulojë, veç me rrobat e shtatit. Këto ishin masa gjoja të Sigurimit ndaj nesh, si “armiq të betuar të popullit e të partisë, mos bënim ndonjë të pabërë”. Kjo, gjatë gjithë kohës së vizitës së Hrushovit.
Pavarësisht se gjendja ishte zbut nga afrimi i Rusëve me Amerikanët, që kishte kulmue me përqafimin e Hrushovit me Presidentin Ajzenhauer dhe vizitën e Hrushovit në fushat e misrit në Dallas. Pas dy javësh, na kthyen në gjendjen e mëparshme dhe në punët që na kishin caktue. Valentini dhe unë, me disa të tjerë, ishim caktue në sektorin e ndërtimit të fermës.
Mua ferma më tërhoqi në sektorin e Plukut, si piktor dhe si profesionist i mirë (kështu me kishte dalë zani) në punë ndërtimi, mekanike, e të tjera. Valentini punonte në një brigadë ndërtimi në Çermë, ku i çonin me makinë dhe i kthenin në Gradishtë të dielave, të shoqnuar me policë.
Ne, disa të internuarve që na kishin caktue në Pluk, nja 10 vetë, flinim ne një barake me kallama, të suvatuem nga brenda. Unë dhe Petrit Merlika, ishim caktue pranë ofiçinës dhe zdrukthëtarisë. Petriti, inxhinier, lirue pas 10 vjet burg, kryente pune mekanike. Edhe ai e kishte gruan italiane, dhe fati e kishte zanë, që ajo të mos ishte largue në Itali. Kështu e shkreta Elena, profesore e letërsisë, e kishte kalue Tepelenën, tue mbajt dru si kafshë. Fat, që do të kishte a zanë dhe gruan e Valentinit.
Ndërsa unë, figuroja pranë zdrukthëtarisë por kryeja edhe punët e një piktori për emulacionin socialist (siç quhej) dhe aktiviteteve të tjera të llojit) si ekspozita bujqësore, muzeume, kabinete agroteknike, etj.
Në këto kondita, edhe unë u martova, dhe na dhanë një dhomë si banesë. Kështu Valentini, rrinte me ne gjatë gjithë javës të punës dhe të dielave shkonte në Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër, ose kartolinë.
Sikur u lidh një far korrespondencë, ma e rregullt me Gorin. Nga kjo far lirie, në letrat e Valentinit e të Gorit, shprehej dashuria e pashtershme dhe shpresa e një bashkimi të afërt, të tyne. Me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, sikur u acarua gjendja përsëri e, lidhja me Kinën, e keqësoi ma shumë. Letër këmbimi me Gorin, u bllokua. Kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje. Letrat e kartolinat as shkonin as vinin. Pse?!
Valentini (dhe ne te tjerët) ishim të shqetësuam për ketë punë e, ndarje që zgjaste, pa ia pa fundin. Sigurisht edhe ma tepër e shoqja ne Bolonja. Kjo e merakosur, i drejtohet prapë Ministrisë Jashtme. Nga Ambasada në Tiranë, vjen një telegram ku shkruhej:
“Për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shumë e zorshme që Pervizi, që konsiderohet “armik i popullit”, të mund të fitojë lirinë”. Memorie.al
Ambasada Italiane
29 shtator 1967.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al