Kur magjia e artit tejkalon muret e nacionalizmit! “Peace on the Earth” si dëshmi e fuqisë “magjike” transformuese të muzikës në psikologjinë e individit

Oct 17, 2024 | 14:00
SHPËRNDAJE

FILIP GURAZIU/ Pasioni për muzikën më bashkoi (në rolin drejtuesit organizativ) me Shoqatën Artistike Kulturore “Prenkë Jakova” – Shkodër me të cilën përshkuem së bashku, në nji periudhe mbi dhetë vjeçare nji rrugë të gjatë pune me sakrifica e suksese artistike që nderuen jo vetëm pjestarët e Shoqatës e qytetin e tyne, Shkodrën, por të tanë Shqipninë e shqiptarët kudo që ndodhën. Ndër aktivitetet e shumta dëshiroj me kujtue atë të “Peace on the Earth” si dëshmi e fuqisë “magjike” transformuese të muzikës në psikologjinë e individit e të nji shoqnie njërzore.

xhamia shkoder

Arti në përgjithësi e muzika në veçanti gëzojnë karakter universal, mbasi ato mirëkuptohen nga të tanë popujt e botës edhe pse gjuhët i kanë të ndryshme. Në këtë kandvështrim, arti shërben ma mirë se çdo gja tjeter për afrimin e popujve, për rritjen e miqësisë e forcimin e bashkëpunimit reciprok tue ndikue pozitivisht për vendosjen e themeleve të nji paqe të qëndrueshme, aq të dëshirueme prej të tanve.

Mbas ngjarjeve dramatike që përjetuen popujt e ishJugosllavisë në vitet nantëdhetë të shekullit të kaluem, nji projekt i përbashkët artistik me protagonistë muzikantë me prejardhje etnike e fetare të ndryshme prej Ballkanit merrte kuptimin e nji nisme të mbarë drejt nji periudhe të re miqësije e bashkëpunimi, çka do të përbante, si me thanë, nji kontribut konkret për konsolidimin e paqës në rrajon.

Ishte pikërisht ky motivi që nxiti muzikantin e shquem berlinez z. Gerhard Oppelt për me projektue aktivitetin ndërkombëtar muzikor ‘Peace on the Earth’ me pjesëmarrjen e artistave berlinez të ‘ Berliner Figural Chor’ e ‘Jugendorchester Berlin’; prej Novi Sad (Serbi) Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ e prej Shkodrës, Kori Polifonik ‘Prenkë Jakova’. Projekti u mbështet financiarisht prej Qeverisë Gjermane e Fondacionit ‘Goethe’. Nji ansambël madhështor mbi njiqind e njizet artista, në të cilin bajshin pjesë, përveç grupeve të sipërpërmenduna edhe solistë të shquem prej Berlinit (A. Köpcke, A.C. Carlsted, J. Schnurr, P. Dasch) mbrriti me funksionue në mënyrë përfekte falë profesionalizmit të naltë artistik të drejtuesve të koreve; z. Gerhard Oppelt, zj. Tamara Petijevic dhe z. Gjon Shllaku.

Edhe pse repertori artistik përmbante muzikë të nji shkalle të naltë vështirësije, si ishte vepra vokale ‘Peace on the Earth’ e kompozitorit gjerman Arnold Schönberg, impenjimi i pjesëmarrësve bani të mundun realizimin e të gjitha objektivave artistike. Si nji trupë e vetme, ansambli ‘Peace on Earth’ dha me shumë sukses dy koncerte në Berlin (26, 27 Shtator 2008); nji koncert në Novi Sad (19 Tetor 2008) dhe nji tjeter në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, (21 Tetor 2008). Muzika e zgjedhun prej Maestro Oppelt (kompozitori Tomas Tallis) u interpretue prej tetë grupeve korale me 15 zana të vendosun në pozicione të ndryshme në sallë, tingujt e shumtë që dukeshin se vijshin prej qiellit krijojshin nji atmosferë magjike tue ngjallë nji optimizem të ri për jetën.

Historiani filozof Hendrik Willem van Loon në shkrimin e tij ‘THE ARTS’ shkruen: “Muzika përban gjuhën me të cilën njerëzimi komunikon me Zotin”. A nuk jemi të tanë krijesat e të njajtit Zot? A ka ma humane se vllaznimi i popujve e veçanarisht i të rijve me prejardhje të ndryshme etnike e fetare larg nacionalizmave primitive e regresive?

Mijëra artëdashës shkodran që mbushën Katedralen e Shën Shtjefnit ishin dëshmitarë të asaj force të madhe magjike që transmetoi muzika. Artistat u vllaznuen, populli u lumtunue. Kanga e “Zojës së Shkodrës” e këndueme bashkarisht prej ansamblit artistik e spektatorëvet ishte urimi ma i bukur e ma kuptimplotë që përhapi aktiviteti ‘Peace on the Earth: të vllaznuem kemi me ndërtue bashkarisht Paqen. Mbas koncertit në ambjentet e ‘Fshatit të Paqës’, Karitasi Shkodër organizoi mbramjen e lamtumirës. Ishtë nji festë që nuk mund të harrohet jo vetëm për entuziazmin e demostruem, por mbi të tana për mesazhin që mori çdo pjesëmarrës.

JASHTË REPERTORIT ARTISTIK

Prej organizatorve patëm kuptue se nuk kisht qenë aq e lehtë gjetja e nji kori prej Serbije; shumë propozime për pjesëmarrje në projekt qe i ishin ba grupeve korale në Serbi ishin refuzue prej tyne; shkaku ishte se në projekt merrshin pjesë edhe shqiptarët…! No coment! Vetem Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ që ishte kori i Kishës Ortodokse të Novisadit, mbas shumë hezitimesh, kishte pranue pjesëmarrjen në projekt “ falë vizionit përparimtar të Ipeshkvit Ortodoks të Novisadit”.

Mbasi patëm realizue fazen e parë të projektit në Berlin, organizatorët na njoftuen se kori serb që do te vinte për koncert në Shkodër nuk e kishte në plan me fjetë atë natë në Shkodër, por mbas koncertit do t’u kthente menjiherë në Podgoricë. Arsyeja?: se nuk ndiheshin të sigurtë në Shkodër…! Ky qëndrim na shqetësoi, u ndimë të fyem…e menjiherë i dhamë përgjigje gjermanëve: “ Në qoftë se kori serb nuk pranon me fjetë në Shkodër atëherë edha na nuk do të pranojmë me fjetë në serbi”, praktikisht kjo donte me thanë se projekti ndërpritet e nuk nuk do të vazhdonte ma, gja që organizatorët nuk e deshirojshin e nuk e pranojshin; presioni i tyne i detyroi serbët me ndrrue mendim.

Faza e dytë e projektit parashikonte koncertin në Novisad, ku shkuem me dëshirë e kuriozitet. Sistemimi në hotel ishte shumë i mirë, qyteti i bukur, pjesa e vjeter kishte mjaft ngjajshmëni në arkitekturë me qendren e Shkodrës. Shetitëm lirisht, askush nuk na shqetësoi, partnerët serb të korit nuk i takuem veçse në prova nji natë para koncertit që u zhvillue në Sinagogen e qytetit. Qytetarët e kishin mbushë plot e përplot sallen e madhe të Sinagogës, koncerti pati shumë sukses, por binte në sy mungesa e mediave televizive serbe dhe e autoriteteve të qytetit…! Mbas koncertit përfaqësuesi i korit serb na propozoi me ndejë së bashku në mjedisin e nji taverne në qendër të qytetit, shkuem me dëshirë e zumë vend të grupuem përballë njani tjetrit. Çdo person porosiste e paguente vetë! Kishte nji farë ftohsije ndërmjet nesh e për me i dhanë pak gjallni ambjentit, filluem me këndue nji kangë angleze shumë të njoftun ndërkombtarisht, mbasi e mbaruem, menjiherë kori serb filloi me këndue nji kangë vajtimi e prej shprehjes “ kukù majko “ kuptuem se ishte kanga e vajtimit të nanës serbe për djalin që shqiptarët ia kishin vra në Kosovë…! No coment! Ftohtësisë së mjedisit iu shtue edhe heshtja! Nuk kishim se pse me ndejë ma, i thamë natën e mirë e dolëm.

Në Shkodër kori serb nuk erdhi i plotë i mungojshin rreth 6 persona, prej organizatorëve gjermanë kuptuem se kishin pasë qenë pengue prej familjeve të tyne, sepse kishin frigë “ prej shqiptarëve në Shkodër”, Si kundërpërgjigje të sjelljeve të masipërme patëm vendosë që në Shkodër, serbve t’i tregojmë mikpritjen shqiptare, pra t’i demostrojmë vlerat tona morale, për ket u organizuem në grupe; i shetitëm në qytet, qendruem së bashku në Bar-Kafe ku i ofruem çdo gja që ato dëshirojshin, edhe qytetarët shkodranë qenë shumë miqësor me artistat serb. Mbas drekës, pronari i Restorant “Legjenda” (pjestar i korit shkodran) i ftoi koristat serb për nji “party” në mjedisin piktoresk të lokali ku mbeten shumë të kënaqun. Suksesi i koncertit e qëndrimi miqësor që ju ofrue në Shkodër artistave gjermanë e serb u manifestue edhe në atmosferen entuziaste që shoqnoi darken e mbylljes së aktivitetit te “Fshati i Paqes” Të nesërmen i përcollëm deri në piken e kufinit të Hanit të Hotit dhe i uruem rrugë të mbarë.

Mbas kthimit në Novisad, drejtuesja e korit serb na çoi nji leter falenderimi për pritjen miqësore që kishin gjetë në Shkodër, po kështu edhe Ambasada Serbe në Tiranë na përgëzoi për suksesin e aktivitetit e na falenderoi për qëndrimin miqësor që i ofruem koristave serb.

“Atë çka nuk muejti me e ba diplomacia ma e sofistikueme bashkëkohore tue aktivizue mija persona për periudha të gjata kohe me financime të mëdhaja e bani “magjia” e artit. Mbramja e mbylljes së aktivitetit ‘Peace on Earth’ në Shkodër datë 21.10.2008 e provoi plotësisht: qëndrimi primitiv nacionalist, pasojë e helmit ideologjik me të cilin indokrinohet rinia në disa vende të Ballkanit, u dorëzue para miqësisë së vërtetë që depertoi në shpirtin pjesëmarrësve nëpërmjet muzikës.

Dashunija fitoi mbi urrejtjen; muret nacionaliste ranë, muzika e bani magjinë e saj…!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura