Kur një komb mbështetet te të mirët dhe mbështet të mirët

Oct 10, 2024 | 7:32
SHPËRNDAJE

arian-galdiniARIAN GALDINI

Pyes shpeshherë veten e miq, nëse jemi ne që duam të ikim nga ky vend, apo është vendi që do të na përcjellë a përzërë? Përgjigjet që më vijnë nga brenda meje e nga bashkëbiseduesit janë kaq të ndryshme, kaq të kundërta e herë-herë kaq të çartura, saqë më duhet të bëj paqe me faktin se të tilla përgjigje janë asnjë përgjigje. E kur njeriu është në gjendjen mendore të asnjëpërgjigjes dhe jeton në vendin e asnjëpërgjigjes, ia nis e shkrep në ajër, ngado e për këdo me të gjitha pyetjet dhe përgjigjet e gabuara. Të mirën e pyesim pse është e mirë, të keqen e pranojmë si të domosdoshme, ndryshimin e kemi frikë dhe frikën e bëjmë strehim. Për gjithçka që shkon a bëhet keq e që na la shakull në vend, ne bëjmë fajtorë e shkrehim zemërate ndaj atyre që nuk kanë fuqi. Të fuqishmit i kemi si përgjigjen e vetme që na bën të ndihemi të orientuar dhe mirëvendosur. Të mirët i kemi si pyetje dhe i shohim e ndjejmë si anije të dehura, të cilat na kujtojnë dallgë e stuhi, kështu që u mbyllim gojën, u heqim fuqinë, e u shpërfillim zërin dhe dukjen.

Trajtimi i fuqisë si përgjigje dhe së mirës si pyetje na kanë formësuar si njerëz që adhurojmë përgjigjet dhe urrejmë pyetjet. Dhe në gjendjen mendore e vendin e asnjëpërgjigjes, të adhurosh vetëm përgjigjen, është pothuajse e njëjta gjë si të adhurosh asgjësimin tënd. Këtë fundjave kam qenë duke reflektuar thellë mbi disa pyetje kombëtarisht thelbësore ndoshta për të gjithë ne a ndoshta edhe për krejt pak ndër ne. Cilat modele ndjekim ne si shoqëri? Kë vlerësojmë? Kë nderojmë? A duam e nderojmë vlerat, të vlefshmit, të ndershmit e të merituarit apo adhurojmë “mediokritetin dhe kotësinë e atyre që kanë fuqi e famë”? Mjafton të hedhësh një sy në ekranet e TV, në faqet e gazetave apo në portale dhe në botën virtuale e do të dallosh me lehtësi se cilat janë “modelet” që kanë pushtuar shumicën tonë dërrmuese jo vetëm në media, por madje edhe në rrjetet sociale. Brutaliteti i fuqisë, famës, pasurisë ka kapur për fyti çdo hapësirë komunikimi publik a privat. Ngado e kudo komunikohet vetëm me gjuhën e fuqisë dhe mediokritetit. Mediokriteti shitet si vlerë për sa kohe ke para, pushtet e famë. Dhe gara në shoqëri nuk bëhet më për nder e vlerë, për zotësi, aftësi, talente e meritë, por për “fuqi, para e famë”. “Fuqia, paratë dhe fama” janë kulti i ditës për të gjithë shoqërinë tonë sot. Ky kult fuqie, parash dhe fame ka hapur edhe një garë shpejtësie dhe marrëzie kudo e ngado. Të gjithë i duan t’i arrijnë shpejt e sa më shpejt e pisët e sa më pisët “fuqinë, paratë dhe famën” e janë të gatshëm t’ia shesin shpirtin djallit për to dhe shpejtësinë e arritjes së tyre.

Ndërkohë lihet në harresë kushdo që vlen, punon, studion, shkruan, bën kërkime shkencore, bën vepra të mira të përditshme e të padukshme. Ky i miri i padukshëm as që vihet re fare në shoqëri. Askush nuk e kërkon, as përshëndet, as nxjerr në dritë. Derisa dëgjojnë se “ky apo ai intelektual i mrekullueshëm” na la ne nisje a në muzg të një dite të zakonshme. I miri bëhet lajm vetëm pasi ikën, pasi ikën nga ky vend ose nga kjo botë. E kur dëgjojmë lajmin e ikjes së të mirit nga vendi ynë a nga bota jonë, të gjithë shprehim habi e sillemi sikur askush nuk e priste një të tillë lajm, e të tillë ikje. Pas ikjes, të gjithë e duan të mirin. Sa e kemi këtu, as e dimë e as sillemi sikur ekziston. Edhe pse i miri ishte aty mes nesh dhe i veçuar, ndër ne dhe i spikatur, me ne i dhe i ndriçuar, ne kurrë nuk ia hodhëm sytë e madje me vete thoshim: Gjynah, nuk bëri hajër kurrë, duke pasur parasysh me “hajër”, famën, fuqinë dhe paratë. Kur i miri është mes nesh, ne e dimë se e kemi aty por thjesht nuk e përfillim. Jemi mësuar me të që është aty. Por, përsa e kemi mes nesh, ne kurrë nuk e kërkojmë, kurrë nuk e lëvdojmë, kurrë nuk e thërrasim, kurrë nuk e ndjekim e kurrë nuk u themi fëmijëve: Ja njeriu i mirë dhe i duhur. Na mjafton fakti që kur të mirin e kemi mes nesh, ai është aty, ai na krijon balancë, qetësi, paqe, maturi, anipse ne nuk ua vlerësojmë kurrë e as ua vëmë në pah kurrë. Dhe kur krejt papritur e pa pandehur na shfaqet syve një lajm që na ndal frymën se ai, i miri iku, i miri nuk është më aty, atëherë ne ia nisim me melodramat vlerësuese gjithandej nga të mundemi.

A është i miri i merituar, si të gjithë ne? Sigurisht që jo. I miri i merituar, në një shoqëri e komb është gjithmonë një përgjigje që di të bëjë pyetje. Ne jemi pyetje që nuk dimë të kërkojmë përgjigje. I miri i merituar nuk bën asnjëherë pyetje për veten e tij, por për të na ndihmuar neve të gjithëve që të gjejmë përgjigje. Ne fatkeqësisht si qytetarë e shoqëri jemi në atë pikë dëshpërimi kur masivisht jemi vetë pyetje, e nuk bëjmë pyetje, e për këtë shkak nuk gjejmë as përgjigje. A është i miri i merituar në Shqipëri, një i fuqishëm? Përsëri, përgjigja është: Jo. Në një vend si Shqipëria, i miri i merituar, në çdo ditë të jetës së tij, e në gjithçka ka bërë apo bën, shkruar apo shkruar apo shkruan, e thënë apo thotë, ka qenë e është pa diskutim një vlerë e domosdoshme, por gjithsesi “i pafuqishëm”. Të mirit të merituar, nuk i mungon kurrë fuqia e mendimit dhe pasionit. Fuqia me të cilën ai nuk molepset kurrë qartazi është fuqia e atyre që na kanë qeverisur e plaçkitur në këto 34 vite. A e kuptojmë ne këtë? Nuk e di. A do të vijë dita ta kuptojmë? Nuk e di. Ende nuk e di. Di vetëm se tani për tani jetojmë në një kohë kur në vendin tonë, i miri i merituar jeton i pavlerësuar, i pavërejtshëm, e paradoksalisht ne të gjithë që e quajmë për të mirëqenë por të papërfillshëm atë mes nesh, sapo dëgjojmë lajmin e largimit të tij, duhet të bëjmë llogaritë me mungesën e tij.

Sa e kemi, nuk e nderojmë dhe e quajmë thjesht të mirëqenë aty. Kur ikën, atëherë e kuptojmë se shoqëria nuk qëndron dot në këmbë pa të mirin e merituar. Prandaj sa herë i shohim, bëjmë mirë t’i nderojmë, përndryshe si sot që i kemi, si nesër kur të na ikin, ne do të jemi një shoqëri pa të mirin e merituar. Nuk ka pse të na mungojë sot që e kemi të mirin e merituar. Sepse nëse na mungon vetëm pasi të ikë, a thua vallë do ta kuptojmë vlerën se e kemi pasur të mirin e merituar mes nesh si një ndër ne që me fuqinë e mendimit dhe pasionit, saqë mes nesh qëndronte dinjitetshëm lart pa qenë njëri nga të fuqishmit? A thua vallë do ta kuptojmë sa i kemi mes nesh apo edhe pasi të ikin prej nesh, se të mirët e merituar dinë të bëjnë pyetje udhërrëfyese për të gjithë ne?

Sa e trishtë është kjo ditë kur ne ia dalim të kuptojmë të gjithë se sa të marrë jemi ne që nuk u japim dritën e vendin që meritojnë, të mirëve të merituar, sa janë mes nesh. Ja psh., një i mirë martir që është ende mes nesh. Ai është Kardinal Ernest Troshani. Në mesditën e së dielës së 9 tetorit 2016, Papa Françesku shpalli lajmin se Dom Ernest Troshani u emërua Kardinal. Pas Kardinal Mikel Koliqit, ne kemi një tjetër Kardinal, një tjetër Bari të Kishës Katolike në Shqipëri. Çfarë mrekullie është kjo… E jashtëzakonshme, mahnitëse.

Dy Kardinalë shqiptarë të pasringjalljes së Kishës Katolike nga viti 1990 e këndej janë dy njerëz të stërvuajtur e ‘kryqëzuar’ nga Regjimi Komunist. Lotët e Papa Françeskut kur dëgjonte pak vite më parë gjatë vizitës së tij në Shqipëri dëshminë e Dom Ernest Troshanit janë simbolika më e fortë e lotëve 50-vjeçarë që kemi derdhur nën mizorinë komuniste të gjithë ne shqiptarët. Dhe ja ku e kishim mes nesh Kardinal Mikel Koliqin, e nuk e thirrëm, nuk e kërkuam, nuk e dëgjuam, nuk e ndoqëm. Derisa ai iku. Këtu e kemi mes nesh Dom Ernest Troshanin. Këtu e kemi mes nesh Kardinal Ernest Troshanin. Dashtë Zoti do të kthjellohemi e do ta kuptojmë e pranojmë këtë prani si dhuratë që na bëhet. A është Kardinal Troshani, si të gjithë ne? Sigurisht që jo. Ai ka vuajtur si ne e ca më shumë se të gjithë ne. Ai ka pësuar, e kurrë nuk është ankuar. Ai ka vuajtur, e kurrë nuk ka urryer. Ai nuk ka jetuar, por ka shërbyer. Ai nuk ka përfituar, por ka besuar. Ai nuk ka kërkuar, por ka dhënë. Ai është përgjigje që nuk bën pyetje. Ai është përgjigje që ka përgjigje. Fjalët e tij janë përgjigje. Jeta e tij është përgjigje. Besimi i tij është përgjigje. A është Kardinal Ernest Troshani i fuqishëm? Përsëri, përgjigja është: Jo. Kardinali nuk premton. Kardinali dëfton. Ai nuk udhëheq. Ai bëhet shembull. Ai nuk paguhet nga taksat tona.

Ai dorëzon jetën e tij në shërbim ndaj Zotit dhe njeriut. Fuqia e tij nuk është prej njeriut e nuk ka të bëjë fare me sojin e të fuqishmëve që kemi këtu si qeverisës e plaçkitës prej 34 vjetësh. Por, Kardinali gjunjëzoi Papën me dhimbjen e tij, e gjunjëzon të fuqishëm e të dobët në këtë vend me hirin e tij. A e shohim dhe a e kuptojmë ne, se njerëz si Kardinal Troshani janë përgjigje për ne? Dashtë Zoti na hapen sytë. Dashtë Zoti, ndriçohemi që të kuptojmë se e vetmja përgjigje që kemi në vendin tonë e për vendin tonë janë të mirët e merituar mes nesh. Jo të fuqishmit, por të mirët e merituar. Jo të famshmit, jo të pasurit, jo politikanët e mbipushtetshëm, por të mirët e merituar. Që ky vend të mos jetë më vendi e gjendja mendore e asnjëpërgjigjes duhet t’ia nisim t’i hedhim sytë, mendjet dhe zemrat tona te të mirët e merituar mesh nesh. Dashtë Zoti kuptojmë se të fuqishmit duhen pyetur, të mirët janë përgjigja, ne qytetarët jemi ata që pyesim./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura