ENVER KUSHI & SOTIRULLA HOXHA/ Më 7 shtator të vitit 2015, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, me një ceremoni të bukur dhe emocionuese, ku morën pjesë personalitete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, shqiptarët e Malit të Zi, Diaspora, ambasadorë dhe përfaqësues të Komuniteteve Fetare në Shqipëri dhe nga bota, në kuadrin e veprimtarisë “Paqja është e mundur”, u përurua Qendra Fetaro -Kulturore e Bektashizmit. Në këtë qendër përfshihen: Muzeu i Bektashizmit, Arkivi, Biblioteka, Fototeka dhe Qendra e Informacionit, si dhe mjedise të tjera.
Akoma i kemi të freskëta ato momente të paharruara të asaj dite dhe emocionet për përfundimin me sukses të një projekti të kahershëm, që zë fill me Dede Ahmetin, një nga kryegjyshët botërorë, që ka lënë gjurmë në historinë e Bektashizmit. Për arsye që dihen, ideja e Dede Ahmetit nuk u realizua, por Dede Reshat Bardhi, i cili mbajti gjallë Çirakun e Bektashizmit dhe frymën e themeluesit të Tarikatit Bektashian, Haxhi Bektash Veliu, kur u vu në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane realizoi mes të tjerave edhe ndërtimin e kësaj Qendre. Ne që punuam për ndërtimin e Muzeut të Bektashizmit, kemi ndjerë praninë dhe forcën shpirtërore të Dede Ahmetit dhe të Dede Reshat Bardhit. Po shtojmë, se krahas kësaj force shpirtërore, në punën tonë për sendërtimin e Muzeut, në çdo hap, kemi pasur pranë Baba Mondin, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, duke na inkurajuar dhe hapur horizont me këshillat e tij të përditshme. Baba Mondi u vu në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane më 11 qershor të vitit 2011. Ai vinte në krye të këtij Tarikati, pas një përvoje të gjatë si myhyb dhe më pas Dervish i Dede Reshatit, por falë edhe origjinës së tij familjare bektashiane.
Ne, duke punuar në Muzeun Historik Kombëtar, veçanërisht kur në krye të këtij institucioni, ishte Moikom Zeqo, e kishim takuar e njohur nga afër Baba Mondin. Ato vite ai ishte i ri, por nga bisedat që bënte me Moikomin, ne vinim re përkushtimin dhe punën e palodhur të tij, në krah të Dede Reshatit, për rindërtimin e teqeve, tyrbeve, kërkimin dhe grumbullimin e dokumenteve arkivore, fotove dhe objekteve, që lidhen me historinë dhe kulturën bektashiane.
Në takimin e parë, në një nga mjediset e Kryegjyshatës, në prani edhe të Nuri Çunit, Baba Mondi shpalosi para nesh projektidenë për ndërtimin e Muzeut të Bektashizmit. Mbajmë mend, që e dëgjuam me vëmendje atë dhe u treguam të gatshëm që me përvojën tonë të gjatë si muzeologë, do ta realizonim këtë projekt të rëndësishëm. Po atë ditë, ai na tregoi mjedisin ku do të ndërtohej Muzeu, si dhe zyrën ku do të punonim për zbërthimin e projektit, përzgjedhjen e dokumenteve, fotografive dhe objekteve. Kjo zyrë ishte në Selinë Qendrore, ose më saktë në katin e poshtëm të saj. Duam të nënvizojmë edhe një fakt tjetër: Të nesërmen, pasi kishim filluar punën, aty nga ora 10 e 30 min., kur Baba Mondi na priti për të pirë kafen e mëngjesit me të (që në vazhdim u bë ritual i përditshëm i takimeve tona), i thamë Baba Mondit, se koha ishte e kufizuar, se në Muzeun Historik Kombëtar për një projekt të tillë, angazhoheshin disa specialistë dhe se e fillonim punën, duke llogaritur kohën optimale. Ai na dëgjoi me vëmendje, buzëqeshi dhe na tha këto fjalë: “Muzeu do bëhet. Jam i bindur, që do bëhet në kohën e duhur “.
Është vërtet e çuditëshme, që në një periudhë shumë të shkurtër, në arritëm të zbërthejmë projektin, të lexojmë qindra faqe për historinë e bektashizmit botëror dhe atij shqiptar, si të autorëve Baba Ali Tomorri, Baba Rexhepi, Baba Meleq Shëmbërdhenji, shënime të Dede Ahmetit, Dede Reshatit etj. Birge, Hasclluck, Melikov, Natali Clere etj. Ishim me fat, që bashkë me ne për sistemin dhe klasifikimin e dokumenteve të Arkivit të Kryegjyshatës, punonin dhe arkivistet e njohura dhe me shumë përvojë, Vera Dode, Dhurata Islami e Liljana Bërxholi. E themi këtë, sepse na u desh që në një kohë shumë të shkurtët të kërkonim dokumente shumë të rëndësishme, që do të pasuronin Muzeun e Bektashizmit. Vështirësi hasëm për fotografitë, që ishin të shumta e duheshin përzgjedhur dhe emërtuar, pasi pjesa më e madhe e tyre u klasifikuan e plotësuan për përmbajtjen shumë më vonë.
Baba Mondi, krahas ngarkesës së madhe që kishte për përfundimin në kohë të Qendrës Fetaro-Kulturore, apo takimeve të ndryshme me besimtarë, ambasadorë, personalitete të ndryshme, që vinin në Kryegjyshatë, gjente kohë për të zbritur në zyrën ku ne punonim. Ardhjen e tij e prisnim me gëzim, duke i raportuar për sa kishim arritur, por edhe ndonjë kërkesë tonën, sidomos për objektet, që duheshin për vitrinat. Gjithmonë në ato ditë të një pune intensive, hidhnim vështrimin në një kalendar, si dhe vazhdimisht thoshim: “Baba Mondi, si ikin kështu ditët! Do ta realizojmë dot ndërtimin e Muzeut?”. Është e çuditshme, se si ankthi ynë fashitej dhe lodhja befas largohej, kur Baba Mondi, përtej vështrimit të butë të syve të tij, thoshte fjalët: “Mos u shqetësoni. Muzeu do të përfundojë në kohën e duhur!”
Kaloi maji dhe qershori dhe ne dritën e shihnim nga dritaret e vogla dhe kohën nuk e ndjenim se si shkonte. Nuk bëhej pushim të shtunave apo të dielave. Në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik 2015, përfunduam të zbërthyer në detaje prej mbi 500 faqe Projektin, si dhe dosjet përkatëse për stendat e Muzeut, me foto, dokumente dhe tekstet përkatëse për çdo stendë. Baba Mondi kishte idenë, që numri 12, që lidhet me 12 Imamët, të përdorej në numrin e stendave dhe vitrinave. Nga përvoja jonë në Muzeun Historik Kombëtar, bashkë me Fatmir Boshnjakun, skicuam llojin e stendave dhe vitrinave. Me Fatmirin, Kreshnik Hashorvën, vumë re që mënyra e ndriçimit, që ishte aplikuar në mjedisin e muzeut të ardhshëm, si dhe shtrimi i dyshemesë me atë lloj pllake e dizenjo, duhej të ndryshoheshin. Fillimisht këtë vërejtje ia thamë Sekretarit të Përgjithshëm të Kryegjyshatës, Nuri Çuni, e më vonë ai ia përcolli Baba Mondit, i cili pasi dëgjoi mendimin dhe argumentet tona, i vlerësoi ato.
Në mënyrë paralele, për çdo dosje, stendë dhe vitrinë, që do të vendosej në muze, konsultoheshim me Baba Mondin, Nuri Çunin, piktorin Fatmir Boshnjaku. U bë edhe përzgjedhja e objekteve, ku na ndihmoi shumë dhe myhybja e vjetër, Merushe Brahimaj, e cila duke qëndruar pranë Dede Ahmetit dhe më vonë Dede Reshatit, njihte shumë mirë çdo objekt që do të ekspozohej.
Një dimension i ri, që do ta bënte më bashkëkohor Muzeun, ishte propozimi i Kreshnik Hashorvës, për të vendosur, disa monitorë, ku të shfaqeshin filma për teqetë dhe tyrbet në Shqipëri, persekutimin e Klerit Bektashian në kohën e Komunizmit. Baba Mondi sugjeroi që në një monitor të shfaqej e filmuar, riti dhe Dita e Ashures. Kështu, krahas punës që bëmë për stendat, vitrinat, përzgjedhjen e objekteve, u punua për të filmuar dhe fotografuar teqetë dhe tyrbet në Shqipëri. Në këtë grup u përfshi, Keshnik Hashorva, Spartak Papadhimitri, Fatmir Boshnjaku, Nuri Çuni dhe Enver Kushi.
Tashmë, kur çdo gjë ishte gati, nisëm punën në Studion Grafike ONE DESIGNS. Nuk duam të zgjatemi në punën intensive, që u bë në këtë Studio. Gushti në Tiranë, si gjithmonë, ishte shumë i nxehtë. Alban dhe Klejda Xhilli drejtuesit dhe pronarët e Studios, stafi dhe veçanërisht Ani, vajza pa fjalë dhe e palodhur, u bënë pjesë e përgjegjshme për punën tonë sa delikate, estetike aq dhe voluminoze. Në këtë studio, pavarësisht ngarkesës që kishte në Kryegjyshatë, vinte shpesh edhe Baba Mondi. Mbajmë mend, gjatë kohës së Pelegrinazhit, në Malin e Shenjtë të Tomorit, Baba Mondi na merrte në telefon, ku ne e informonim për punën e përditshme. Duam të përmendim edhe një fakt shumë domethënës dhe njerëzor: Kur Baba Mondi u kthye në Tiranë nga mali i Tomorit, kishte sjellë për ne mish të pjekur nga kurbanët e bërë aty. Ishte një gjest jo vetëm njerëzor, që na gëzoi, por edhe disi mistik, që na i shtoi më shumë forcat, si një bekim që vinte nga Mali i Shenjtë.
Edhe fillimi i shtatorit në Tiranë erdhi i nxehtë. Tashmë pasi përfunduam punën në Studion Grafike ONE, filluam vendosjen e paneleve në stendat e përgatitura. Ndërkohë, falë këmbënguljes së Baba Mondit, gjithçka në mjedisin e përshtatur për Muze, që nga ndriçimi, dyshemeja, lyerja etj. ishin gati edhe tre mjedise: Oxhak Kafeja, Pelegrinazhet dhe Pavijoni i Ashures.
Paraditja e datës 7 shtator 2015 ishte finalizimi i plotë i Muzeut, ku u shtuan dhe manekinat, si pasqyrim i Hierarkisë dhe uniformave Bektashiane, ku dukshëm dallohej Manekini i personalizuar i Dede Reshatit. Po afrohej ora 19, kur do të niste ceremonia e përurimit të kësaj Qendre FetaroKulturore dhe ku çdo gjë ishte gati. Nuk do të harrojmë kurrë Baba Mondin, që i lumturuar, që më në fund po realizohej ëndrra e Dede Ahmetit, Projekti i lënë përgjysmë i Dede Reshatit, na u afrua dhe jo vetëm neve, por edhe zonjave të Arkivit e të tjerëve, na tha këto fjalë: “A u thashë që do të bëhej në kohë çdo gjë! Paçi Dritë!”.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al