EMISIONI VETTING
Kruja është qyteti i dytë në Shqipëri me numrin më të madh të guroreve, por në dallim nga Dimali, guroret janë më pak të ekspozuara prej rrugëve. Në një cep të një guroreje të braktisur, në vend të pemëve që duhet të ishin mbjellë nga kompania, duket një makinë e djegur, që vitet e fundit është simbol dhe mjet që digjet pas atentateve.
Edhe kjo zonë ka pësuar një shfrytëzim barbar të maleve e kodrave prej guroreve, duke sjellë shqetësime serioze për banorët, madje duke shkaktuar konflikte sociale në mungesë të reagimit nga institucionet shtetërore.
“Ajo çfarë vërehet është përqendrimi i tyre në disa zona ose në pak zona dhe me përqendrim unë kam fjalën mbishfrytëzimin, tejshfrytëzimin e tyre në përmasa të jashtëzakonshme. P.r.sh rasti i sipërfaqes në zonën e Krujë, Fushë-Krujë, në ato zona p.r.sh kur zbret me avion, në Rinas e shikon se sa e madhe është sepse nuk është vetëm gurore, por është një kompleks i tërë industrial”- thekson Olsi Nika.
Në dallim nga qytetet e tjera, banorët e kësaj zone janë përplasur me pronarët e guroreve, apo njerëzit që dërgonin këta të fundit, pasi rezultojnë si persona të lidhur me pushtetin. Banorët kanë protestuar edhe tek institucionet ligjzbatuese, por shpesh raportoheshin si denoncues tek pronarët e kompanive.
“Unë jam pjesëtar i kësaj lagje këtu. Si ka mundësi që u bë hera e dytë që unë bëj denoncime në shtet, asnjë lloj mase nga ju që jeni për të zbatuar ligjin’-ankohet banori.
“Përsa i përket denoncimit, Policia e Shtetit e ka marrë dhe ky denoncimi i juaj shkon në Prokurori, Prokuroria dhe Gjykata vendosin për këtë|, thekson policia.
“Më fal, ai të pezullohet. Në rast se jam unë fajtor shkoj unë në burg, në rast se është ai fajtor të shkojë në burg ai, jo unë.”- shprehet banori.
Banorët e fshatit Borizanë në Krujë kanë protestuar për disa muaj me radhë, e cila filloi vitin e kaluar në mars, për të përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme.
“Unë kam nusen e xhajes duke më vdek. Çfarë më thotë ai mua;”Hap dyert”, kush të hapi dyert? Shurdhi, ai që është tu vdek, unë kam gruan këtu tu më ruajt delet, ku ka tabelë këtu se këtu është rrezik vdekje? Ku ka tabelë? Ku? I kam marrë dhe jam lut, këtu zotëri je tu bo gabim se po plas mina, këtu ke fshatin shumë afër. Kush është ai? Më bëm dhe presion në telefon, më bën edhe presion. Po qe burrë, hajde te gurorja.”- shprehet banori.
Në protestën e fundit banorët shprehnin ankesat për guroret, por edhe për njerëzit që i kërcënonin. Edhe pse ata pohojnë se janë kërcënuar dhe iu janë shkatërruar shtëpitë nga shpërthimet me eksplozivë, kjo do t’u sillte pasoja akoma më të rënda nga personat, që qëndronin pas interesave të gurores.
“Sot, ndërsa ne flasim në këtë seancë banorët e fshatit Borizanë në Krujë janë të ngritur në protestë, janë të ngritur në protestë për shkak të problemeve që kanë dhënë guroret, që janë dhënë në këtë njësi administrative. Kanë 4 muaj që familjarët kanë bërë denoncime të ndryshme pranë organeve të rendit dhe nuk është marrë asnjë masë.
Problemi i guroreve është një problem shqetësues prej 4 vitesh për Krujën”- është shprehur Merita Bakiu deputete e PD me 7 korrik 2023.
Disa ditë më pas, në korrik 2023, disa nga banorët që protestuan, do të sulmoheshin dhe do të dhunoheshin në brendësi të një lokali në Thumanë nga vëllezërit e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Pamjet filmike ishin xhiruar vet nga grupi i Rrajave, për të treguar dominancën dhe forcën në këtë zonë.
Fillimisht pamjet dolën në rrjetet sociale dhe u shpërndanë në media duke tronditur opinionin publik dhe duke sjellë largimin e deputetit Rrahman Rraja nga Parlamenti me dorëzimin e mandatit, si edhe shkarkimin nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Në atë kohë, Policia e Shtetit doli me një deklaratë për shtyp, ku shpjegoi se ishte bllokuar gurorja “Delia Group”, e cila ishte në pronësi të Viktor Deliut dhe së bashku me institucionet e tjera kryen kontrolle për të matur dëmtimet në disa shtëpi, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Tiranës.
Por edhe sot e kësaj dite, aktiviteti i guroreve në fshatin Borizanë të Krujës vazhdon dhe kjo verifikohet nga pamjet ekskluzive që sjell “Vetting” nga terreni. Banorët ankohen se guroret kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale.
Këto zona duket se nuk janë nën kontrollin e institucioneve shtetërore, ku nuk ekziston ligji dhe ku njerëzit duhet të mbrohen vetë. Edhe pas protestave dhe reagimit të institucioneve asgjë nuk ndryshoi dhe rezultoi se e gjitha ishte një fasadë për të kaluar skandalin e radhës.
Ka shumë arsye që në Krujë nuk mund të mbyllen guroret jashtë kritereve, ose të paktën t’u kërkohet të zbatohet ligjit.
Po të analizojmë me vëmendje listën e personave që kanë këto kompani, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë dhe konçesioneve shtetërore, madje që shpeshherë janë lakuar për lidhjet me pushtetin.
Megjithatë në këtë rast problem nuk është përfitimi i fondeve publike, por mënyra se si këto kompani favorizohen dhe mbështeten nga institucionet publike dhe zyrtarët e lartë, në dëm të banorëve.
Në Krujë janë vetëm 3 kompani që kanë bërë rehabilitimin e zonës së guroreve; kompanitë “FUSHE-KRUJE CEMENT FACTORY”, “MILIS BRICK” sha dhe “ANTEA CEMENT” sh.a. Kompanive të tjera u është revokuar licenca nga Ministria e Mjedisit, pasi nuk kanë rehabilituar mjedisin.
Në mars 2019, Ministria e Mjedisit nuk i revokoi lejen për guroren në Krastë të Krujës kompanisë “Salillari” shpk, pasi kishte një sërë shkeljesh. Konkretisht kompania nuk kishte bërë rehabilitimin e karrierës, nuk kishte rregulluar sistemimin e rrjedhjes së ujërave sipërfaqësore dhe mbetjet sterile nuk ishin vendosur në një vend të përcaktuar sipas lejes së mjedisit.
Disa ditë më pas, më 15 mars 2019 kompania “Salillari” bëri ankesë për revokimin e lejes, por kërkesa u refuzua nga Ministria e Infrastrukturës, duke i lënë si mundësi të vetme ankimimin në Gjykatë.
“Është autoriteti që përcakton dhe thotë: Kjo është zona kaq, mund të shfrytëzosh në këtë periudhë dhe pastaj duhet të bësh rehabilitimin… duke nisur që nga fillimi. Fillimi i aktivitetit nënkupton edhe fillimi i zbatimit të masave zbutëse.”- thekson Olsi Nika.
Por pezullimi i lejes mjedisore të kompanisë “Salillari” ka ngritur pikëpyetje për lejet e tjera për gurore që ka ky subjekt. Sipas nenit 37 të Ligjit nr.10 304 datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, zotëruesi i lejes minerare ka detyrimin të bëjë rehabilitimin e zonës që ka marrë për shfrytëzim dhe në rast të mosrealizimit të planit të rehabilitimit, ky subjekt nuk përfiton leje për një veprimtari tjetër minerare për një periudhë prej 50 vitesh dhe kjo gjë bëhet shkak që t’i hiqet çdo leje tjetër minerare, që ka në zotërim.
Pra, në këtë rast kompania “Salillari” rrezikon që t’i hiqen të gjitha lejet për gurore që ka edhe në zonën e Dimalit, ku në letrën e firmosur nga zv.ministri Ilir Bejtja kërkohet që të bëhet rehabilitimi i zonës.
Në aksionin e ndërmarrë në 2019, Ministria e Mjedisit i ka revokuar licencën edhe kompanive të tjera, si “VEGA” dhe “FRENKI” shpk.
Kompanisë “VEGA” i është hequr licenca pasi ka shfrytëzuar sipërfaqe jashtë lejes së shfrytëzimit, nuk ka respektuar lartësinë e shfrytëzimit dhe nuk ka bërë rehabilitimin e zonës.
Ndërsa kompania “FRENKI” shpk, e cila është në pronësi të shtetasit nga Jemeni Adel Thabit Ahmed Thabit dhe Sami Hoxhaj. nuk ka patur leje mjedisi, por ka marrë në menaxhim guroren pas lejes së transferimit për shfrytëzim, që ka marrë nga kompania “ARVO” shpk. Edhe kjo gurore, ashtu si guroret e tjera që nuk kishin rehabilituar mjedisin, ka marrë një gjobë me vlerë 5 mijë euro nga Ministria e Mjedisit.
“Nuk mund të pretendojmë që duhet të bëjmë një gurore diku, edhe nëse nuk është një zonë sensitive mjedisore dhe do ta shfrytëzojmë gjithë malin, nuk mund të shfrytëzojmë të gjithë malin.”- thekson Olsi Nika, ekspert mjedisi.
Nga të dhënat e siguruara nga AKBN-ja, vetëm për periudhën 2014-2023 janë mbledhur në total 7.6 milionë euro për garancinë e rehabilitimit për lejet minerare. Një pjesë e këtyre fondeve të mbledhura, 1.45 milionë euro, janë para nga kompanitë që u është revokuar leja.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al