EMISIONI VETTING
Kompania guackë Hakliol që lidh Scholz me SOKOLAJ
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Gjovana Sokolaj është aksionere te 4 kompani, “Florester Metalik”, “SOKOLAJ” shpk, “S Corp” dhe “Scholz” shpk.
Kompania “S Corp” sh.a ka patur si veprimtari fushën e energjisë dhe e ka kryer aktivitetin për vetëm 3 vite pasi ka filluar procedurat e likuidimit. Kjo kompani rezulton në pronësi të Gjovana dhe Doni Sokolaj me qendër në qytetin e Lushnjes.
Familja Sokolaj ka aksione edhe te kompania “Scholz” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me 50% të aksioneve me kompani gjermane, e cila ka pjesën tjetër të aksioneve dhe rezulton me pronarë fundorë kompaninë private kineze “Chiho Environmental Group Limited”. “Scholz” shpk ka si objekt veprimtarie grumbullimin, përpunimin, riciklimin, tranzitimin, transportimin dhe eksportimin e mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore, si edhe riciklimin e pjesëve dhe mbetjeve te hekurit.
Në vitin 2014, kjo kompani ka marrë licencën III.2.B nga Agjencia e Mjedisit dhe ka një pikë grumbullimi në zonën e Xhafzotaj në rrugën e Fllakës.
“Scholz” ka një histori të gjatë me ndryshimin e aksionerëve dhe administratorëve, ku disa prej tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo kompani është themeluar në 4 shtator 2008 nga kompania gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila në 2016 kaloi në pronësi të kompanisë kineze, me Drejtor të Përgjithshëm shtetasin malazez Branislav Pejovic dhe ky i fundit i përfaqësuar nga shqiptari Rado Brajoviq.
Në 14 nëntor 2012, Branislav Pejovic dhe Rado Brajoviq largohen për t’ia lënë vendin si administrator të kompanisë kroatit, Kruno Kovacevic dhe kosovarit Arsim Muja.
Një vit më pas, në nëntor 2013 emërohet administratore Gjovana Sokolaj duke zëvendësuar Arsim Mujën dhe Kruno Kovacevic, e cila është edhe pronarja e “SOKOLAJ” shpk. Në nëntor 2014, kompania gjermane emëron si administrator shtetasin maqedonas Blazhe Mitrevski dhe shkarkon Gjovana Sokolaj.
Një detaj i rëndësishëm do të shënjonte historikun e kësaj kompanie, e cila paraprakisht, në 17 maj 2014 do të bënte një marrëveshje për transferimin e 50 % të aksioneve, përkatësisht 25% të Doni Sokolaj dhe 25% të Gjovana Sokolaj me vlerë 250 euro. Në kundërshtim me ligjin, kjo kompani nuk ka deklaruar bilancet e saj vjetore në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku mungojnë të dhënat për vitin 2014.
Duke parë vetëm të dhënat për bilancin e vitit 2012, është e habitshme se si një kompani që ka të ardhura 225 milionë lekë ose 2.2 milionë euro i shet aksionet me këtë vlerë, por një fakt interesant del në skenë. Për periudhën 2014-2023 kompania “SOKOLAJ” kishte transferuar 3.2 milionë euro te kompania “Hakliol Madencilik” në Turqi.
Ekskluzivisht “Vetting” zbulon se kjo kompani rezulton e përfshirë edhe në marrëveshjen midis gjermanëve dhe familjes Sokolaj, duke ndryshuar edhe emrin e operatorit nga “SCHOLZ” në “Scholz & Sokolaj”.
Konkretisht sipas kësaj marrëveshjeje, blerësit që janë Gjovana dhe Doni Sokolaj pranojnë për shitësin, kompaninë gjermane “SCHOLZ” se do t’i transferojnë jo më vonë se data 30 shtator 2014 në favor të kompanisë “SOKOLAJ” shpk, titullin e pjesës së saj prej 50% te kompania në Turqi “Hakliol Madencilik Tasimancilik Sanayi ve sicaret”.
Në kontratë parashikohet se nëse nuk arrihen këto pika, edhe marrëveshja nuk realizohet dhe secila nga palët ka të drejtën të shkëputet nga pakti. Por para dy muajsh, ortaku turk Serdar Can Hakliol i shet pjesën e vet Gjovana Sokolaj te kompania “SOKOLAJ” shpk.
Nga kërkimet e “Vetting” në regjistrin zyrtar të biznesit në Turqi, kompania me kodin e afishuar në dokumentet zyrtare që është bërë transaksioni në Shqipëri rezulton me statusin e fshirë dhe me emrin “REKOR PASTAHANESİ TANAŞ PERİFTİ VE LEONİDA YOTO ŞİRKETİ”.
Sipas të dhënave, kjo kompani ka patur si objekt veprimi fushën e pastiçerisë, por rezulton e fshirë nga regjistri zyrtar dhe nuk gjendet asnjë lloj informacioni për aksionerët dhe administratorët.
Por çfarë do të ndodhte më pas?
Në shkurt 2016, administratori maqedonas Mitrevski do të rikthente në kompani si përfaqësues të vetin Rado Brajoviq dhe palët do t’i drejtoheshin Gjykatës Administrative për problemet që lindën për shkak të mosmarrëveshjeve.
Në vitin 2021, do të kishte zhvillime të tjera sepse kompania do të shtonte edhe një zyrë tjetër fizike, e cila është në të njëjtin vend ku gjendet një nga zyrat e kompanisë “SOKOLAJ” shpk, në zonën kadastrale nr. 3852, me numër pasurie 298/2, të cilën do ta ndanin së bashku deri në tetor 2021.
Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting” zbulohet se kompania gjermane “SCHOLZ Internationale Handelsgesellschaft” ka bërë kallëzim penal për aksionerët Doni dhe Gjovana Sokolaj për mashtrim.
Në këtë kompani, si përfaqësues i konsorciumit gjerman, është avokati Sajmir Dautaj, i cili është pjesë e zyrës ligjore Italiane ndërkombëtare “Tonucci & Partners” dhe prej prillit 2023 është vendosur si administratore Ada Çullaj.
Në 18 prill 2016, kompania “SCHOLZ” shpk është gjobitur nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit me masë administrative.
Disa ditë pas përhapjes së lajmit në median shqiptare për trafikun e mbetjeve, Gjovana Sokolaj shkarkon të afërmen e vet, Olizana Pemati nga roli i administratores te kompania “SOKOLAJ” shpk. Menjëherë pas largimit në 23 gusht 2024, Olizana Pemati do të themelonte kompaninë “GG & OV” shpk me objekt veprimtarie grumbullimin, depozitimin e mineraleve të kromit, bakrit, transportin me të tretët dhe logjistik.
Sipas gazetarit Gjergj Thanasi kësaj i thonë: “Mbreti vdiq, rroftë mbreti!
Pra, SOKOLAJ shpk doli nga loja praktikisht, besoj se do ia mbyllin gjërat edhe në Prokurori, krijojmë një kompani të re që të vazhdojë trafiku, kaq.
Dhe bëhet fjalë për sasi shumë të mëdhaja dhe për aktorë shumë të fuqishëm, kaq. Aktorë që po punojnë në shkallë globale”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al