Në oborrin e Parlamentit edhe dje opozita krijoi tensione, deri në përplasje fizike me punonjësit e Gardës.
I gjithë grupi parlamentar opozitar, përfshirë dhe 24 deputetët e përjashtuar kanë mbërritur në Kuvend 1 orë përpara nisjes së seancës. Ata u përballën me barrikadën e gardistëve, të cilët kishin marrë urdhër të mos lejonin të përjashtuarit të futeshin në godinën e Parlamentit. Deputetët e opozitës u shfaqën gati 90 minuta përpara nisjes së seancës, por ata hasën në kundërshtimin e punonjësve të sigurisë, të cilët nuk i lejuan të futen brenda.
Fillimisht pati përplasje me deputetët e opozitës që tentuan të bllokojnë kolegët e tyre të mazhorancës për të mos hyrë as ata. Mirëpo socialistët përdorën dyer të tjera për t’u futën në sallën e seancave plenare. Makina e kryetares së Parlamentit Elisa Spiropali mbërriti në Parlament, por demokratët kanë bllokuar dyert. Deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi se makina është bosh dhe se pushteti i narkove hyn si minjtë në Parlament.
“Po të ishin përfaqësues të popullit do hynin dinjitozë, jo si minjtë. U ka hyrë frika në palcë. Një aksion mori opozita janë fshehur si minjtë”, tha Noka.
Dy ditë më parë, të paktën 24 deputetë u përjashtuan për një periudhë nga 20 deri 60 ditë, pas djegies, të hënën, të karrigeve të tyre para hyrjes qendrore të godinës. Situata u acarua, kur deputetë socialistë dhe ministra, u përpoqën të hyjnë në sallën e parlamentit. Ata u penguan me forcë nga përfaqësuesit e opozitës, të bërë gardh përpara dy hyrjeve të godinës. Një situatë e cila u shoqërua dhe me përballje fizike mes palëve, ndërsa nuk munguan dhe replikat e forta mes tyre.
Deputetët e shumicës arritën të hynin nga një portë shërbimi, ndërsa seanca zgjati vetëm 30 minuta. Në sheshin qendror të godinës së parlamentit, deputetët e opozitës vendosën më pas, katër manekinë, të cilët kishin në fytyrë fotot e kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe vëllezërve të tyre, të akuzuar nga opozita për lidhje kriminale, duke u vënë dhe flakën. Opozita ka deklaruar se do të vijojë me aksionin e saj.
“Ne do të veprojmë rast pas rasti, si me këtë godinë, me atë të kryeministrisë dhe çdo godinë tjetër ku është strehuar brenda saj krimi i organizuar dhe qëllohet ndaj atyre që luftojnë krimin e organizuar”, deklaroi zoti Bardhi, i cili akuzoi shumicën se i ka hequr të drejtën deputetëve të opozitës të hyjnë në sallën e parlamentit.
Në fakt, punonjësit e Gardës, i penguan në bllok deputetët e opozitës që të hynin, ndonëse vetëm ndaj një pjese të tyre ishte marrë masa e përjashtimit.
“Këtu problemi është se ka rënë parlamenti. Kemi një regjim ku deputetët e opozitës nuk lejohet të ushtrojnë funksionin e tyre brenda sallës me forca sigurie. Nuk bën asgjë më shumë e asgjë më pak Putini, se sa kjo që bën Rama”, u shpreh zoti Bardhi.
Tensionet mes palëve u ngritën pasi javën e shkuar Gjykata e Apelit dënoi me 1 vit burgim deputetin demokrat Ervin Salianji, nën akuzën e “Kallëzimit të rremë”, për rastin e publikimit të një video përgjimi, ku vëllai i ish-ministrit Xhafaj përfshihej në një bisedë për trafikimin e një sasie marijuane. Sipas Prokurorisë, biseda e përgjuar rezulton të ketë qenë e montuar, dhe zoti Salianji akuzohet të ketë qenë nxitësi i këtij inskenimi. Pas ngjarjeve të së hënës, ku deputetët e opozitës dogjën karriget e tyre, ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian shprehën “shqetësim dhe keqardhje”, duke bërë thirrje që palët t’i rikthehen normalitetit dhe dialogut.
Por opozita reagoi duke u shprehur se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga aksioni i saj. Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend vendosi dje përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi për kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetët e PD, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati.
Sekretariati vendosi të përjashtojë me 40 ditë 20 deputetë: Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho dhe Dashnor Sula. Ndërsa deputeti Edi Paloka u përjashtuar me 10 ditë.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al