“Panorama” shkruan sot se kontrata e marrjes me qira të ish-magazinave ku u ngrit laboratori i drogës në Xibrakë të Elbasanit, dyshohet se është fiktive dhe e falsifikuar.
Prokuroria ka sekuestruar kontratën gjatë kontrolleve në godinën ku përpunohej droga dhe më pas ka bërë veprime të tjera hetimore edhe në zyrën noteriale ku është hartuar dokumenti. Sipas organit të akuzës, ka dyshime se emri i personit që ka marrë me qira godinën, Aleksandër Nasufi, është vendosur në mënyrë të parregullt në dokument.
Nga këqyrja e dokumenteve bashkëlidhur kontratës së qirasë, ka rezultuar se karta e identitetit e përdorur në emër të Aleksandër Nasufit, në fakt ka fotografinë e shtetasit Gentian Gjonaj, personit nga Vlora që u arrestua me tetë shtetas të tjerë gjatë aksionit antidrogë “Xibraka”.
Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, ndaj të arrestuarit Gentian Gjonaj nga Vlora, veç akuzave për trafikun e narkotikëve, është ngritur edhe dyshimi për kryerjen e veprës penale të falsifikimit. Bashkë me kontratën e qirasë së godinës, ndodhet edhe një fletë ku është fotokopjuar karta e identitetit të personit të përmendur si qiramarrës.
Pikërisht kjo kartë mësohet se mban emrin Aleksandër Nasufi ndërsa nga verifikimet që kanë bërë hetuesit, ka rezultuar se fotoja e personit në kartë, në fakt është e shtetasit Gentian Gjonaj, 43 vjeç nga Vlora. Për këtë arsye, Prokuroria dyshon se kontrata është fiktive dhe është bërë me falsifikim sa për të pasur një dokument në lidhje me godinën ku ishte vendosur laboratori i kokainës. Kontrata rezulton e firmosur nga Kelment Dalipi, në cilësinë e pronarit të objektit të dhënë me qira dhe Aleksandër Nasufi, në cilësinë e personit që ka marrë objektin me qira. Dyshohet se ky i fundit është emër i përdorur në mënyrë fiktive.
Lajmin e plote e lexoni sot ne “Panorama” print
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al