Pak ditë pasi Gjykata Administrative vendosi të pranojë kërkesën e kompanisë “Cali” për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, Ministria e Bujqësisë e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit Administrativ.
Ministria kërkon rrëzimin e vendimit të shkallës së parë dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit të Ofertave, i cili ka përzgjedhur një tjetër kompani për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut.
“Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë vjen në kundërshtim me ligjin dhe është dhënë në shkelje të tij”, thuhet në ankimim, ku argumentohet ligjërisht përse Apeli duhet të rrëzojë këtë vendim.
Sipas ankimimit, rezulton se pas shpalljes së kompanisë fituese, shoqëria “Cali” ka bërë dy ankime në Ministrinë e Bujqësisë, për të cilat ka marrë përgjigjen respektive nga ministri.
Këto dy ankime, sipas gjykatës janë cilësuar si ankime administrative, qe sipas ministrisë është tërësisht e gabuar, pasi ligji ka përcaktime të veçanta për ankimet administrative.
“Të dyja këto ankesa, të bëra përpara datës 27.04.2015, që është data në të cilën është bërë publikimi në Buletin, padrejtësisht, gjykata e ka trajtuar si ankim administrativ, dhe duke mbajtur këtë qëndrim ajo ka gabuar, për shkak se e ka legjitimuar palën paditëse t’i drejtohet gjykatës dhe njëkohësisht ka zgjidhur në kundërshtim me ligjin themelin e çështjes”, thuhet në ankmim, cituar nga “Mapo”.
Më tej ministria argumenton se gjykata ka gabuar edhe në lidhje me zgjidhjen e çështjes, duke urdhëruar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Bujqësisë.
“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, padrejtësisht dhe në kundërshtim me sa thamë më lart, arsyeton se KPVK duhet të kishte marrë në konsideratë investimet e kryera për periudhën 2005-2014, që kapin vlerën prej 30 milionë lekëve nga shoqëria ‘Cali’ sh.p.k, si dhe eksperiencën e gjatë të saj në aktivitetin e peshkimit, e cila sipas saj (gjykatës) ishte garanci më shumë ndaj konkurrentit tjetër”, thuhet në ankimim.
Tashmë kjo çështje pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, pasi më herët shkalla e parë vendosi të shfuqizojë vendimin e komisionit. Kjo çështje u bë shkak për një konflikt të armatosur mes familjes Cali dhe familjes së deputeti Armando Prenga, i cili u arrestua për akuzën e “plagosjes”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al