Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur të mërkurën në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve për dosjen “Partizani”, ku ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u moren te pandehur.
Së bashku me mbylljen zyrtare të hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe të gjitha aktet përfundimtare.
Më 11 shtator, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka njoftuar akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion në atë që njihet si afera e terreneve sportive të klubit Partizani.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit pasiv së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.
Në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al