Gjykata e Posaçme dënon me 2.8 vite burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

Nov 25, 2024 | 16:46
SHPËRNDAJE

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg Vagjush Dakon, ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit.

vangjush dako spak

Nërsa Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e denimit të dënimit me burg për të tre.

Ndaj ish-kryebashkiakut socialist, SPAK kërkoi dënimin e Vangjush Dakos për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe ka kerkuar 4 vite burgim.

Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar Vangjush Dako u dënua me 2.8 vite burg.

Dako u përfaqësua nga avokati i tij, Petrit Ismaili, i cili gjatë konkluzioneve përfundimtare kërkoi pafajësi ose në rast të shpalljes fajtor kërkoi pezullim te ekzekutimit të dënimit me burg.

Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.

Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

AKUZA E SPAK PËR SHËTITOREN

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike.

Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi. Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.

Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale. Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

VENDIMI I GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Vangjush Dako, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal 2 (dy) herë, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal”.

  1. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 70, datë 25.11.2024 vendosi:
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Vangjush Dako për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i K.Penal për faktin penal të ndërtimit të pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k. dhe dënimin e tij me 2 vite e 9 muaj burgim.
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Vangjush Dako për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i K.Penal për faktin penal të projekt zbatimit të promenadës bregdetare dhe dënimin e tij me 2 vite e 4 muaj burgim.
  4. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Vangjush Dako dënohet me 4 vite burgim.
  5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Vangjush Dako i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të vendimit dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, ku në përllogaritje do të mbahet në konsideratë fakti që i pandehuri nga data 06.06.2023-27.02.2024 ka qenë me masë sigurimi “Arresti në burg” dhe nga data 27.02.2024 vijon të jetë me masë sigurimi “Arresti në shtëpi”. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Vangjush Dako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fiqiri Farruku për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.
  2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fiqiri Farruku i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
  3. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe sa dyfishi i pjesës së mbetur të dënimit, me kusht që gjatë kësaj kohe, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
  4. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet shuarja e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurit Fiqiri Farruku me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Ejupi për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.
  6. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fatmir Ejupi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
  7. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe prej 4 vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
  8. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Garancia pasurore”, parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurit Fatmir Ejupi me anë të vendimit Nr.63, datë 20.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  9. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Fatmir Ejupi i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
  10. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Bulku për kryerjen e veprës penale  “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.
  11. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Bulku i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
  12. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe sa dyfishi i pjesës së mbetur të dënimit, me kusht që gjatë kësaj kohe, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
  13. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurit Adrian Bulku me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  14. Në bazë të nenit 391 të K.Pr.Penale dokumentet e bashkuara në cilësinë e provës materiale, konkretisht akt kontroll piketim strukture i datës 05.11.2014 në formatin A3, akt kontroll piketim kuota 0+00 i datës 27.11.2014 në formatin A3, të përshkruara në pikën 16 të procesverbalit të sekuestrimit, plani i sistemimeve të jashtme të formatit A3 pa datë, akti i kontrollit të përfundimit të sistemit të jashtëm të sheshit të ndërtimit në formatin A4 i datës 10.02.2015, përshkruar në pikën 15 të procesverbalit të sekuestrimit, akt kontroll i përfundimit të karabinasë i datës 10.02.2015 në formatin A4, dy fletë përshkruar në pikën 15 të procesverbalit të sekuestrimit, deklarohen të falsifikuara.
  15. Në bazë të nenit 190/1/c të K.Pr.Penale provat materiale të bashkëngjitura me fashikullin e gjykimit, 4 DVD që kanë cilësinë e provës materiale të asgjësohen pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  16. .Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
  17. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura