GJKKO ka dënuar me 18 vite burg Talo Çelën për grabitjen e miliona eurove në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 Prill 2019.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën, ndërsa GJKKO, ka marrë vendimin për dënimin me 18 vite.
Aktualisht Talo Çela ndodhet në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe gjykimi për të u bë në mungesë dhe i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.
Njofitmi i GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë
Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale nr. 136, datë
19.12.2019, në ngarkim të të pandehurve Talo Çela, etj…”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 69, datë 21.11.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Talo Jonuz Çela, për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me armë”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 140 dhe në lidhje me nenin 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Talo Jonuz Çela, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 278/1 (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 44/2019, datë 18.7.2019) dhe në lidhje me nenin 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Talo Jonuz Çela, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
4. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Talo Jonuz Çela, dënohet me një dënim të vetëm prej 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
5. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Talo Jonuz Çela, në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, gërma “a” të Ligjit Nr. 81/2020 “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”.
6. Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara të mbeten në ruajtje për efekt të procedimit penal të ndarë me nr. 136/1, të vitit 2020.
7. Shpenzimet proceduriale të bëra gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Për ngjarjen e grabitjes spektakolare të 4.6 milionë euro në prill të vitit 2019, Gjykata e Posaçme ka dënuar në Tetor 2023 me 122 vite burgim për 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Numri dy i bandës, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.
Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.
ROLI I TALO ÇELËS NË GRABITJE
Talo Çela u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, me qëllim që të futej lehtësisht në pistën e Rinasit, ku ndodhi edhe grabitja.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe vëllezërit Viktor dhe Besimir Haxhia, ku njëri prej tyre, konkretisht Viktori dyshohet se mori pjesë në modifikimin e furgonit.
GRABITJA
Ishte data 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, u tha se mbeti i vrarë “koka” e grupit, Admir Murataj.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë arrestuar më 19 mars, vetëm 1 vit pas grabitjes spektakolare të aeroportit të Rinasit. Për kapjen e Klement Çalës, Policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e troje.
Për grabitjen, Prokuroria mundi të siguronte dëshminë e njërit prej të arrestuarve, i cili në fakt nuk u favorizua në masën e dënimit që u dha për të, duke e lënë në të njëjtën masë si gjithë pjesën tjetër të grupit.
Alkond Bengasi pranoi të rrëfente për grabitjen dhe personat e përfshirë, ndërkohë që pjesa tjetër e grupit nuk ka pranuar asnjëherë të kenë marrë pjesë në grabitje. Në fakt, me ato para janë të lidhura, sipas prokurorisë një mori vrasjesh me disa viktima dhe madje konsiderohet edhe si shkaku që çoi në armiqësi të fortë Talo Çelën me Nuredin Dumanin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al