Deputeti i PS, Plarent Ndreca ka qëndruar për gati 4 orë në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje.
I pyetur nga gazetarët, deputeti i PS tha se do flasë në momentin e duhur, pasi çështja konsiderohet akoma në hetim.
“Do shprehem në momentin që duhet të shprehem. Do shprehem në atë moment që unë konsideroj se është e duhura. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Çështja konsiderohet si çështje akoma në hetim”, tha Ndreca pasi doli nga dyert e SPAK.
Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë.
Deputeti Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.
Gjithashtu ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al