Prej disa ditësh disa institucione qeveritare kanë rënë pre e sulmeve kibernetike. Pas faqes së Kuvendit, sot janë jashtë funksionet edhe faqet online të KLSH, Tatimeve dhe ILDKPKI.
Nderkohe prej disa ditësh është jashtë funksionit edhe faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila është hakeruar nga grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice”.
Ata kanë marrë përsipër sulmin kibernetik ndaj faqes së parlamentit duke e njoftuar në rrjetin social ‘telegram’ përmes një mesazhi.
Ndërkohë faqja e Kuvendit është e pa-aksesueshme për qytetarët. Kjo është hera e tretë që hakerat iranianë shigjetojnë faqet e institucioneve shqiptare, pas dy sulmeve në korrik e shtator të 2022, çka solli edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikën Islamike të Iranit.
Kete fakt e ka pohuar dhe AKSHI, i cili thote se sulmet nuk kanë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
“Informojmë opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike. Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë. Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale. Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti.”, thuhet në njoftim.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al