Largimi i Zogut në Egjipt, britanikët: Mori 2 mijë valixhe me vete

Jun 8, 2014 | 15:23
SHPËRNDAJE

MBRETI ZOG NE EGJIPT

Debati në Parlamentin e Britanisë së Madhe për ish-Mbretin. 

Largimi i Mbretit Zog nga Britania e Madhe në fillim të vitit 1946 për në Egjipt u bë kryelajmi i ditës në median britanike. Kjo jo për faktin e largimit të tij, por për shkak se në Parlamentin Britanik u debatua në lidhje me valixhet që mori me vete. Një deputet britanik, z.House, ngriti shqetësimin e tij në Parlament, sipas të cilit Mbreti Zog kishte marrë me vete 2 mijë valixhe dhe se autoritetet portuale në atë kohë të vështirë pas luftës në Britani, ku mungonin edhe anijet për shkak të shkatërrimit të tyre në luftë, nuk kishin bërë detyrën e tyre. Por në përgjigjen zyrtare, dhënë në Parlament, nga nr 2 i Ministrisë së Jashtme Britanike, thuhet se qeveria nuk e ndihmoi Zogun dhe se largimi i tij ka qenë privat.
“Qeveria britanike nuk është përfshirë në përgatitjet për transportin e valixheve të Mbretit Zog, e cila ka ndodhur nëpërmjet kanaleve tregtare private”, tha numri dy i Ministrisë së Jashtme Britanike. Por kjo Ministri i dërgoi Parlamentit britanik disa shpjegime të zgjeruara në lidhje me këtë çështje, duke bërë me dije se ata kishin ndërhyrë që Mbretit Zog t’i ofrohej vetëm një hapësirë e veçantë në anije për transportin e një veture të vogël. Gjithsesi, çështja se Mbreti Zog kishte 2 mijë valixhe dhe mbi 30 kostume u bë lajm në gazetat britanike.

Por më vonë ato përgënjeshtruan lajmin, duke thënë se nuk kishin burim të besueshëm informacioni për këtë çështje, pavarësisht se atë e ngriti si shqetësim një deputet britanik në Parlament. I nipi i Mbretit Zog, Salih Doshishti, i shkroi një letër gazetës më të madhe britanike të kohës “The Times”, e cila e botoi atë të plotë, pasi ai deklaroi se ishte marrë me përgatitjet e transportit të familjes mbretërore për në Egjipt. Në atë letër nipi i Mbretit zbuloi të gjithë pasurinë që Mbreti Zog mori me vete për në Egjipt, që sipas tij nuk ishin më shumë se 116 valixhe për 19 personat dhe familjarët që shoqërorin Mbretin shqiptar. “Këto 116 valixhe përfaqësojnë të gjitha ato që ata mblodhën nga jetesa prej afërsisht 6 vitesh në ekzil këtu në Britani, dhe duhej t’i merrnin me vete, përderisa po largoheshin përgjithnjë nga Britania.

Pjesa më e madhe e valixheve mund të gjykohet lehtësisht nga fakti se u përdor një vagon normal 3 tonësh, së bashku me një autobus të vogël me 5 persona, që shoqëruan ngarkesën nga Buckinghamshire drejt portit të Liverpulit”, thuhet në këtë letër botuar në gazetën britanike. Më tej, ai sqaron se Zogu nuk kishte më shumë se 5 kostume gjithsej dhe se pjesa më e madhe e sendeve të tij personale dhe familjes u shkatërruan në portin e Liverpulit gjatë bombardimeve gjermane. Një gazetë tjetër britanike, “Daily Herald”, botoi një përgënjeshtrim në lidhje me këtë çështje duke kërkuar falje. 

Erald KAPRI 

Dokumenti nr 1.
Pyetjet nga Parlamenti dhe debati.
Pyetja erdhi nga deputeti z.House: Dua të pyes Sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme nëse ai është në dijeni se ish-Mbreti Zog në largimin nga Britania për në Egjipt ka marrë me vete 2 mijë copë valixhe dhe pse kjo mënyrë aspak ekonomike e hapësirës së anijeve tona, kur dihet se vendi ynë ka një nevojë dhe kërkesë të madhe për hapësirë në transportin detar?

Z. House: Z. Kryetar i Parlamentit, a mund të kem një përgjigje për pyetjen time?
Kryetari i Parlamentit: Ministri nuk ndodhet këtu për t’u përgjigjur. Më vonë. Kryetari i Parlamentit: Fjalën e ka z.House.

Koloneli Ropner (deputet): Z.Kryetar, a nuk duhet që kjo pyetje të bëhet pas orës 3:15? A nuk është në akordancë me rregulloren kur një ministër nuk është këtu për t’iu përgjigjur pyetjes?
Kryetari i Parlamentit:
Sigurisht që jo. Kryeministri nuk ka qenë zakonisht këtu kur kjo pyetje u bë dhe gjithmonë kam lejuar pyetjet që të jenë në Parlament. Nënsekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, z.McNeil: Qeveria britanike nuk është përfshirë në përgatitjet për transportin e valixheve të Mbretit Zog, e cila ka ndodhur nëpërmjet kanaleve tregtare private. Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, e kuptoj që në këtë moment që flasim, hapësira mund të sigurohet për të gjitha ngarkesat kargo, të cilat vijnë për t’u transportuar.

Z.Glanville: E vërtetë miku im? Miku ynë na tha se sa valixhe solli me vete ish-Mbreti Zog dhe dua të di nëse ai erdhi këtu për të pasur më shumë të tilla?
Z McNeil: Ndoshta miku im. Miku ynë do të rrëzojë këtë konstatim dhe premtoj se do të bëjmë një hetim të plotë.

Dokumenti nr.2, përgjigjja e detajuar zyrtare për deputetin z.House, i cili kërkoi shpjegim për valixhet e Mbretit Zog, që sipas tij ishin rreth 2 mijë të tilla.
Përgjigjja për z.House: Qeveria britanike nuk u përfshi në përgatitjet për transportin e valixheve të Mbretit Zog, e cila ndodhi përmes kanaleve komerciale private. Të dhëna shtesë: Ministri për Transportin e Luftës tha se nuk ka asnjë mungesë hapësire në eksportin kargo. Kontrollet parësore në lidhje me hapësirën e anijeve për transportin kargo tregtar u ndërpre nga data 28 janar. Kjo është një përgjigje e plotë. Për sa u përket bagazheve personale, normalisht çdo pasagjer është përdorur dhe lejuar në të kaluarën të ketë deri në 250 kg dhe në veçanti është rritur sa herë që një gjë e tillë është kërkuar. Në lidhje me udhëtimin e Mbretit Zog dhe grupit të tij, ne nuk ishim të përfshirë në përgatitjet për bagazhet etj., që me sa duket janë përdorur kanalet normalet private komerciale. Gjithsesi, ne bëmë një përgatitje speciale për transportin e një makine, që i përkiste një pjesëtari të grupit të Zogut, pasi vështirësia për transportin e saj kërkoi ndihmën tonë.

14 shkurt 1946.

Dokumenti nr.3, përgjigjja e detajuar nga Departamenti për Çështjet Juglindore në Ministrinë e Jashtme:
Me kërkesë të Mbretit Zog, ne bëmë përgatitje përmes Ministrisë së Transportit të Luftës për të pasur hapësirën e duhur në transportin me anije në udhëtimin e tij drejt Egjiptit. Duhet të pranojmë se ai është sjellë mjaft mirë gjatë qëndrimit të tij në Britani dhe natyrisht nuk ka asnjë arsye të derdhim lot për largimin e tij. Në lidhje me pyetjen e valixheve, Departamenti i Komunikimit ka deklaruar se qeveria britanike nuk ka qenë e përfshirë në përgatitjet të cilat u bënë nga kanalet private të transportit, por ne asistuam vetëm në gjetjen e hapësirës për një makinë të vogël. Në lidhje me pjesën tjetër të pyetjes, në lidhje me hapësirën e anijeve për transportin kargo tregtar u ndërpre nga data 28 janar.

Përgënjeshtrimi në gazetën “Times” në lidhje me lajmin për 2 mijë valixhet e Mbretit Zog.
Nipi i Zogut, Salih Doshishti, shkroi një letër për gazetën më të madhe britanike të kohës, e cila iu botua e plotë. Në të ai bën me dije të gjithë pasurinë që Mbreti Zog transportoi nga Britania për në Egjipt, e cila ishte e vendosur në 116 valixhe gjithsej.

Titulli: Valixhet e Mbretit Zog Drejtuar redaktorit të gazetës “Times” I nderuar zotëri, personalisht jam marrë me përgatitjet për transportin e valixheve të Mbretit Zog të Shqipërisë dhe grupit të tij, dhe u ndjeva i surprizuar kur lexova artikullin në “The Times” për 2 mijë valixhet dhe 30 kostumet e xhaxhait tim. Faktet janë se grupi që shoqëroi Mbretin Zog përbëhej nga 19 veta dhe kishin me vete vetëm 116 copë valixhe, dhe në këto 116 valixhe dhe jo 2 mijë sa ç’raportuat ju, përfshihen objekte si një gramafon, dy kapakë për mbajtjen e disqeve të gramafonit, dy makina shkrimi, një radio set, disa valixhe me libra, disa dosje, si dhe një biçikletë fëmijësh.

Këto 116 valixhe përfaqësojnë të gjitha ato që ata mblodhën nga jetesa prej afërsisht 6 vitesh në ekzil këtu në Britani, dhe duhej t’i merrnin me vete, përderisa po largoheshin përgjithnjë nga Britania. Pjesa më e madhe e valixheve mund të gjykohet lehtësisht nga fakti se u përdor një vagon normal 3 tonësh, së bashku me një autobus të vogël me 5 persona, që shoqëruan ngarkesën nga Buckinghamshire drejt portit të Liverpulit. Mbretëresha, Princi Leka dhe motra invalide e sëmurë, e pamundur të udhëtonte në autobus, u shoqëruan nga një infermiere e një adjutant dhe udhëtuan me tren. Fakti që valixhet u vendosën lehtësisht në 10 kabina të vogla, e cila ishte gjithçka që kishte grupi prej 19 vetash që hipën në anije, tregon më së qarti se raportimi juaj në gazetë nuk ka qenë i vërtetë. Raportimi për 30 kostumet e Mbretit Zog është po ashtu i pavërtetë. Valixhet personale të Madhërisë së tij u shkatërruan nga bombardimet gjermane në dokun e portit të Liverpulit, në vitin 1941, dhe kur ai u largua nga Britania e Madhe, kishte me vete vetëm 5 kostume.

Duke konsideruar faktin që Mbreti Zog dhe oborri i tij humbi valixhet në luftë, tregon se ata ndanë me popullin britanik rrezikun që erdhi nga armiku dhe, ajo çka mori me vete, nuk tregon aspak mungesë logjike. Nëse Mbreti Zog ka bërë një kërkesë për kostume për veten dhe familjen e tij, do t’i dërgohen në Egjipt si eksport dhe sigurisht brenda të gjitha rregullave ligjore që kërkon qeveria britanike. Mendoj se përmes një publikimi ndërkombëtar të një mesazhi të Mbretit Zog, ku falënderon popullin britanik, do të ishte një kontribut për të mirën e të gjithëve, dhe ne jemi tepër të interesuar për të realizuar. Juaji sinqerisht Salih Doshishti.

19 Shkurt 1946
Përgënjeshtrimi në gazetën “Daily Herald” Titulli: Mbreti Zog i Shqipërisë
Në datën 21 shkurt, në një lajm të botuar në lidhje me veshjet e Mbretit Zog, i cili tashmë është larguar për në Egjipt, gazeta “Daily Herald” pranon se nuk kishte asnjë të vërtetë në lajmin e botuar se Mbreti Zog kishte më shumë se 5 kostume me vete. Ai nuk ka blerë asnjë veshje në këtë vend pa kuponin tatimor. Çdo kërkesë që ai ka bërë për qepje kostumi, do t’i dërgohet në Egjipt brenda të gjitha ligjeve të tregtisë së eksportit. Në ndihemi keq dhe kërkojmë falje për çdo impresion të kundërt që lajmi i botuar nga ne mund të ketë dhënë. 2 mars 1946 Në numrin e ardhshëm do të lexoni: Shkatërrimi i valixheve të Mbretit Zog në portin e Liverpulit nga bombarduesit gjermanë dhe dëmshpërblimi që mori familja mbretërore shqiptare nga sigurimet për këtë dëm.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura