Lautaro Martinez sherr me tifozin: Për Interin jap gjithçka, kam luajtur edhe i dëmtuar…

Nov 14, 2024 | 14:03
SHPËRNDAJE

Lautaro Martinez është në qendër të vëmendjes. Këtë herë jo për golat dhe për spektaklin në fushën e lojës, por për faktin që nuk po e bën siç duhet detyrën e tij.

Inter-Milan-Striker-Lautaro-Martinez-1-scaled

Pak vendimtar me ekipin zikaltër duke bërë një nisje të sezonit aspak për një lojtar si ai. Mirëpo, kapiteni i kampionëve të Italisë është gjithmonë i gatshëm për të qenë prezent në kombëtaren e Argjentinës, që në fakt gjithmonë është një problem. Kilometrat e shumta, kthimi me vonesë në krahasim me lojtarët e tjerë e pengojnë numrin 10-të që të kapë formën në këtë sezon, kur më së shumti i duhet Interit dhe Inzagit.

SHERRI- Pikërisht ky aspekt ka qenë mollë sherri mes tij dhe një tifozi që i ka komentuar në rrjetet sociale. Lautaro ka postuar disa foto nga stërvitja me Argjentinën duke shkruar: Në vendin tim. Me të drejtë, krenaria e një lojtari që luan për kombëtaren e tij nuk ka të paguar dhe të krahasuar me asgjë tjetër. Por tifozi i Interit, i pakënaqur nga rendimenti i tij gjatë kësaj kohe ka komentuar: Kujtohu ndonjëherë edhe për skuadrën ku je kapiten dhe që të paguan një mal me para. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak Lautaro Martinezit, i cili ka vendosur që t’i kthejë përgjigje tifozit në “Instagram” duke i treguar sakrificat që ka bërë gjatë këtyre sezoneve për të mirën e Interit.

“Edhe ti duhet të kujtohesh që unë për Interin lë gjithmonë gjithçka. Ashtu si në vitin e Botërorit kur isha me kaviljen e shkatërruar. Ndërkohë që të tjerët përgatiteshin për të bërë një Botëror të madh unë isha në fushë gjithmonë dhe nuk kam humbur asnjë finale deri në finalen e Champions-it duke i luajtur të gjitha ndeshjet. Kujtoje gjithmonë këtë, përpara sesa të më kujtosh mua se nga paguhem”, ishte komenti i Lautaros.

Kritikat e shumta që mori tifozi zikaltër nga të tjerët bëri që ta fshinte komentin në postimin e kapitenit. Lautaro Martinez në këtë sezon ka arritur që të shënojë vetëm 6 gola, 5 në Serinë A dhe një në Ligën e Kampionëve. Në fillimin e sezonit hoqi dorë nga disa ditë pushimi më shumë për të qenë me skuadrën.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura