FERDINAND SAMARXHI *NDER I KOMBIT
NË VEND TË PROLOGUT…
Historia njerëzore, njeh ngjarje, histori, personalitete, që kanë bërë epokë, kanë udhëhequr njerëzimin në revolucione, në përmbysjen e diktaturave të kohëve, kanë krijuar kalifate, mbretëri, shtete dhe kanë vizionuar ideale të larta për jetën. Në rrugëtimin historik të kohëve, gjurmët e tyre skalitën realitete, sisteme të ndryshme që përjetoi shoqëria njerëzore si sistemi skllavopronar-feudal, socialist e kapitalist. Të gjithë projektuan dhe ideuan vizione me karakter politik dhe ekonomik. Ndërtuan një botë dhe një realitet që sot shoqëria njerëzore ecën duke përjetuar vlerat e zhvillimeve të kohëve të fundit teknologjike, kibernetike nga më të sofistikuarat. Shoqëria me zhvillimin e saj gjithnjë e më shumë po përcjell vizione që jeta duhet të jetohet dhe shoqëria njerëzore duhet të përjetojë lumturinë e saj.
Në një shtëpi në qendër të shqiptarisë, në vilajetin e Shkupit, më 26 gusht 1910, rruga Koçina nr. 13, një foshnjë e vogël do të ndriçonte at’ shtëpi, që do të kthehej e bëhej një mbretëri e dashurisë e do të ishte një vegim për gjithë njerëzimin. Mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë vizioni i këtij fëmije do të ishte dashuria si kompozim i gjithë vlerave të shoqërisë së sotme njerëzore.
Një grua e vogël, mbështjellë me një pëlhurë sarë të bardhë, të qarkuar me dy shirita blu do të mbart një legjende, histori që kompozoi tinguj të pavdekshëm për mbarë njerëzimin, më të ëmblit për të gjithë “dashurinë”. Tingujt që sfiduan egërsinë barbare të shekullit. Miliarderë që nuk dinë sa kanë dhe përse jetojnë, kur në botë ka dhe gjenden kudo të varfër, të vuajtur, të pa fat, të lënë mënjanë, të pashpresë, që deri në qiell ekzistojnë. Tinguj dashurie që sfiduan dhimbje, vuajtje deri në agoni, ku jeta në kufijtë e saj më ekstrem, në limit s’mund më të ekzistoj.
Zoti na ka krijuar për të jetuar në paqe. Jezusi mbi gjithçka u bë për ne njeri. U kryqëzua për të na treguar se sa e madhe ishte dashuria e tij për njeriun, për mua, për ty, për të gërbulurin, për të uriturin që sillet lakuriq rrugëve të botës kudo. Duajeni njeri-tjetrin si në ungjill, siç ju desha unë: “Siç ju dua, ju dua siç më deshi Ati”.
Zoti më thirri… “Ishte kjo thirrja për t’ju përkushtuar tërësisht Zotit me tërë jetën time të varfërve”.
“E ndjeja thellë në zemrën time se Zoti më thërriste. Nuk di përse dua t’i përkasë Atij. Me çdo çmim të kryej vullnetin e Tij”. Tri ditë pas lindjes u pagëzua në Kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm patriot Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo llogariste si datëlindje të saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut, nga Prizreni dhe Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë së nënës së saj, Bernaj), nga Novosela e Gjakovës. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po aty kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo kroate. Emrin Terezë e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
“…Kemi zemër për të dashur, duar për të shërbyer”… u shkruante Nënë Tereza motrave të Loretos.
Në 10 shtator, duke udhëtuar për në Darjoeling, një qytet i ndodhur nën Himalaje, në tren, Nënë Tereza kishte dëgjuar zërin hyjnor. “Ishte kjo thirrja për t’ju përkushtuar tërësisht Zotit me tërë jetën time të varfërve”.
“… Nuk kisha as më të voglin dyshim se Zoti më thërriste qartazi, se kjo do të ishte vepra e Tij”.
… Eja, eja, më bart në kasollet e të varfërve. Eja dhe bëhu Drita ime. Dua të bëhem Maria dhe Marta. Thirrja është të dashurosh dhe të vuash. Të shëlbosh shpirtrat dhe me këtë do të plotësosh dëshirën e zemrës tënde. Dashuria për shpirtrat e lënduar kishte hyrë në brendinë e thellë të zemrës sime. Gjatë 18 vjetëve jam munduar të jetoj sipas dëshirave të Hyut. Ndizem nga dashuria për të dashur si askush deri më sot.
Shpirtërorit Çelesti Van Exmit do t’i shkruante : “…Kam ardhur në Indi vetëm me shpresë të shpëtoj shumë shpirtra dhe të fitoj kurorën e martirizimit. Apostulimi që kam dhe ndjej më ka ndihmuar shumë që thirrja të hyj thellë në ndërgjegjen time”.
Vegimi i saj tashmë ishte i qartë. Thirrja e Zotit e ftonte drejt njerëzve me fytyra të dhembshura, të varfërve të braktisur që ishin mbuluar me errësirë dhe klithnin: “Eja, eja na shpëto, na sill te Jezusi”.
Vegimi i dytë që kishte pushtuar Nënë Tereza ishte ftesa që i kishte bërë vetë Maria e virgjër: “ Drejtoi te Jezusi, mbart Jezusin tek ata”.
Kur ishte 18 vjeç, Tereza do t’i shprehej bashkësisë së rregulltarëve të motrave të Loretos: “E ndjeja thellë në zemrën time që Zoti më thërriste, për një mision… por nuk e dija dhe nuk e kuptoja pse dhe si…”
T’i pranojmë njerëzit, jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot dashuri dhe përvujturi, një zemër të dashurisë së nxehtë…
Sot kam marrë një mësim të mirë që varfëria për të varfrit shpesh është tejet e rëndë. Kam ecur gjithnjë derisa nuk kam pasur dhembje në duar dhe në këmbë. Kam menduar se atyre duhet t’u dhemb trupi derisa kërkojnë ndihmë, ushqim, strehë.
Në thirrjen e brendshme, Nënë Tereza kish kuptuar se… “Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha, për të dashur dhe për të dhuruar dashuri. T’i pranojmë njerëzit, jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot dashuri dhe përvujturi, një zemër të dashurisë së nxehtë…”.
Nënë Tereza, misionare e dashurisë…
17 gusht 1948, Nënë Tereza veshi sarin e bardhë të rrethuar me dy shirita blu. Filloi jetën e re si misionare e dashurisë. Kur arriti në Patna për të mësuar sadopak shërbimin ndaj të sëmurëve në një fletore të saj shkruan:
“O Jezus, dashuria e vetme e zemrës sime, dua të vuaj atë që vuaj, dhe çdo gjë që ti do të lejosh që të vuaj nga dashuria e pastër ndaj teje, e jo për meritat që do të mund të fitoja apo dhurata që më ke premtuar, por vetëm për të kënaqur ty, për të lëvduar ty, për të bekuar ty, si në gëzim ashtu edhe në pikëllim”.
“… O Zot, nëse nuk mund të bëj asgjë për këta njerëz të mirë, atëherë më jep së paku fuqi të vdes mes tyre, për të dëshmuar dashurinë tënde, pikërisht për ata që i ka shkelur jeta, varfëria, sëmundja, gëlbula”. Leja për këtë, prej Romës, erdhi më 7 shtator 1950.
Në prill të vitit 1952 ajo i shkruante Perierit: “…Dua të bëhem shenjtëresh për të shuar etjen e Jezusit për dashurinë ndaj shpirtrave. Dua të mbledh rreth vetes shpirtra të tjerë që të bënin të njëjtën gjë për t’u shërbyer të varfërve, ndër më të varfër, më të braktisur, më të përbuzurit. Miliona të tillë njerëz jetojnë nëpër qytete dhe fshatra të Indisë, duke mos e njohur Zotin në mëkate të tmerrshme. Do të ua afrojmë Krishtit dhe Krishtin atyre”.
Etja e Krishtit në kryq, etja e dashurisë së Hyut për njerëzit, etja e dashurisë së Nënë Terezës për të vuajturit…
Ashtu si Krishti në kryq mbushi etjen e Hyut me etjen e dashurisë për njerëzit, Nënë Tereza mbushi etjen e Krishtit me dashurinë për të vuajturit, globuarit. Vuajti siç vuajti Shën Mëria para kryqit. Vuajti për ata që vuanin duke thirrur Jezusin.
“Eja, eja na shpëto! Kur dhimbja dhe nata bëhet tepër e errët dhe unë martirizohem për ata që nuk kanë shpresë, më duket se do shkoj në ferr dhe do t’i ofroj veten time Jezusit. Tash nga vetja gëzohem që hareshëm e kam mbajt kryqin tim me Jezusin. Kishte shumë vuajtje, kishte shumë çaste që kryqëzimi i kryqit ishte falënderimi i Zotit. Vuajtja është e madhe, por më e madhe është dashuria… vuajtja vetvetiu nuk është asgjë, por si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit, është dhuratë. Njerëzit që vuajnë janë për ne Jezu Krishti, janë dashuri. Sot, bota është kalvar i hapur dhe ne s’mund të shkojmë te Jezu Krishti pa përqafuar kryqin e tij. Mundmi për ne është shenja se edhe ne jemi afruar Jezusit në kryq. Kjo është pavdekësia, që nuk mbaron të premten e madhe, por me ngjalljen e tij. Dhe ne, në sajë të dashurisë, do të ringjallim botën dhe do të shpëtojmë atë.
Vetëm dashuria mes njerëzve do ta bëjë botën më të mirë e njerëzit më të mbarë
Nënë Tereza sfidoi çdo gjë të pamundur, sfidoi vuajtjet, sfidoi shekullin, barabarinë njerëzorë në të cilën jetoi, vetëm dashuria mes njerëzve do ta bëj botën më të mirë, njerëzimin më të mbarë.
…Mundohu të mos ua vritni njerëzve sadopak buzëqeshjen. Varfëria nuk është krijuar nga Zoti. Ne e kemi prodhuar vetë atë. Ju dhe unë, me egoizmin tonë e kemi prodhuar atë. Sikur të kishte të varfër në hënë, ne duhet të shkonim dhe atje. Varfërinë mund ta gjejmë kudo në botë, por duhet sy për ta parë. Kudo në botë gjenden njerëz që nuk i do kush, nuk i ndihmon kush, që janë braktisur dhe harruar nga shumëkush. Kjo thoshte Nënë Tereza është varfëria më e madhe, më e tmerrshme.
Jam e bindur që braktisja është tortura më e madhe. Vetëm në parajsë do ta kuptojnë se sa borxh u kemi ne të varfërve, sepse ata kanë ndihmuar Zotin më shumë dhe duke dashur Zotin më shumë, do të bindemi që vdekja është kthim në shtëpinë e Zotit.
Nënë Tereza sfidoi jetën, kur jeta ishte në pamundësi të ekzistencës së saj. Ajo shpëtoi 750 mijë fëmijë, mjekoi 960 mijë të sëmurë, trajtoi e vetme 47 mijë persona me lebrozë, u kujdes për 3 mijë e 400 pleq, birësoi 160 fëmijë ilegjitimë, ndërtoi 610 shtëpi me katër mijë motra misionare në 123 vende të botës.
“Çfarë bën ti, Nënë Tereza,- i tha gazetari amerikan, nuk do ta bëja për 1 milion dollar”.
“Me të vërtetë- iu përgjigj ajo, nuk do ta bëje kurrë për miliona të tërë dollar.”
Nënë Tereza, nëna universale e dashurisë…
Nënë Tereza u ngrit si një kollose e madhe e mendimit e dashurisë mbinjerëzore, e bamirësisë absolute hyjnore. Si misionare e Zotit, iu drejtua dhe u foli gjithë njerëzve, popujve, kombeve në gjuhën e tyre. Ajo formuloi dhe kompozoi në pak germa të vetmen fjalë dhe simfoni, “dashuri-simfoni të jetës”.
Në më pak se dy vjet pas vdekjes së saj, 5 shtator 1997, për shkak të përhapjes së formës së nënës së dhembshur në gjithë botën, nënës së paqes dhe dashurisë universal, Papa Gjon Pali i dytë certifikoi hapjen e çështjes së kanonizimit të saj.
Në 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet dhe mrekullitë e bëra. Në vitin 2003 u bënë ritualët e Beatifikimit, si fazë e dytë që i parapriu shenjtërimit. 19 tetor 2003, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali i dytë e shpalli “Të LUME”, misionaren e madhe botërore me origjinë shqiptare, Gonxhe Anjeza Bojaxhiu, e njohur ne botë si Nënë Tereza, mes qindra e mijërave pelegrinëve të ardhur nga gjithë bota.
Nënë Tereza nobeliste…
Salla mbretërore Nobel. Heshtje, pllakosje e madhe. Nobeli dëgjon lehtë letitjen e sandaleve të varfra të një gruaje që ecën drejt sallës për të kumtuar histori nga më të padëgjuarat. Olso pushtohet nga një simfoni e madhe heshtje duke dëgjuar gruan thatime që mbante brenda shpirtit një botë të madhe, një revolucion që kohët s’e kishin përjetuar:
Për kohët që jetojmë duhet të lutemi, të falënderojmë Zotin! Duajeni njeri-tjetrin si në ungjill, siç ju desha unë: “Siç ju dua, ju dua siç më deshi Ati”. Nuk mjafton të themi se Zotin e duam, por jo të afërmin. Si mund të dashke Zotin që nuk e sheh, kur nuk do të afërmin, tjetrin që e sheh që vuan, e prek e jeton pranë tij. Një ditë vizitova një shtëpi pleqsh. Siç më tha motra ime, sytë e tyre drejtohen gjithnjë sa herë porta hapet. Presin, shpresojnë se një ditë, një prej bijve, bijave, të afërmve, ndonjë njeri do t’i shohë. E ndjejnë veten të plagosur, të harruar. Pikërisht këtu duhet të trokas dashuria…
Në mbrëmje gjetëm në rrugë katër vetë në kushte tepër të tmerrshme. Mes tyre një grua. U kujdesa me gjithë dashurinë që kisha në shpirt. E shtriva butë në krevat dhe i pashë në fytyrë një buzëqeshje mirënjohje. Gruaja më mori dorën që akullohej dhe më tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Ç’bëra, e ç’i dhashë unë? Ajo më dha më tepër se sa unë i dhashë? Më dha të fundmen dashuri. Ashtu si burri që gjetëm në kanal, gjysmë të brerë dhe e sollëm në shtëpi. “Jetova në rrugë të madhe si kafshë, por po vdes si engjëll në krahë të dashurisë.” Belbëzoi burri dhe vdiq.
Në një familje me tetë fëmijë prej ditësh nuk kishin ç’të hanin. Në sytë e fëmijëve pashë ethet e urisë dhe mungesë dashurie. Dhurova me sa mundësi kisha oriz si ushqim për to. Për pak çaste ngela si e hutuar, se gruaja më humbi nga sytë. Por mësova gjënë më të madhe që nuk kisha përjetuar ndonjëherë. Nëna kishte ndarë urinë, kishte dhuruar gjysmën e orizit për fëmijët e një familje tjetër, të mjerë myslimane. Lexova gëzimin e madh në sytë e saj: “Dhembjen e ndau me dashuri me të tjerët”.
Prelud madh përulësie dhe jo lavdie si që gjithë të tjerët nobelistë. Të pagëzuar nga rrëfimet, bëma që si në përrallëza mund të ndodhin, një zë, një mëkatar do të prishë heshtjen dhe do t’i drejtohet gruas, që në ato çaste e shkruajte një histori të patreguar: Nga vini e nga jeni ju?
“I përkas një populli, atdheu im është një vend i vogël, Shqipëria”
Gruaja thatime, e vogël, e vuajtur por krenare për gjenezën e saj, kombin, popullin e saj epiriot, pushtoi botën. Simfonia e madhërishme, magjepse e nobelit kapërceu kufijtë, detet, oqeanet, shtetet dhe planetet. Ngjalli zjarr dhe dëshirë për ta bërë gjithkush të sajën, të tijin. Në sallë iu afrua pasaportë dhe shtetësi amerikane. Gruaja me përulësi, modesti fisnike puthi flamuri dhe shkabën e zezë dy krenare të flamurit tonë kombëtar.
Përvujtjet mishërimi i Zotit…
Pas 30 viteve do të duheshin që Nënën Tereza do të takohej me të vëllanë Lazerin. Kur nënë Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe në Shqipëri, qysh para luftës së dytë botërore, Nënën Tereza këtë gjë do ta merrte vesh vonë, pasi censura ishte e tillë nga diktatura e egër që nuk lejonte besimin. Ne vitin 1959, Nënë Tereza dhe vëllai i saj Lazer në Romë, që të dy të brengosur pasi kishin pa parë nënë dhe motrën e tyre. Në fillim të viteve ’70, Nënë Tereza mësoi për gjendjen e keqe shëndetësore të nënës së saj. Edhe pse shumë letra iu drejtuan Enver Hoxhës nga personalitete të mëdha, si ish gruaja e parë e SHBA, Zhaklin Kenedi, Presidenti De Gol i Francës etj, përsëri ajo nuk mund të shihte loken e saj dhe në një ditë të keqe do të drejtohej duke i shkruar motrës së saj:
“Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm të lutem për ju.”
Më 4 korrik të vitin 1972, vëllai i saj Lazeri lajmin e kobshëm se nëna e tyre vdiq me dhimbjen në zemër që nuk arriti të shihte të birin në Itali dhe bijën saj Nënën Terezën. Motra e saj, Age do të vdiste një vit pas nënës së saj.
Për 60 vjet kam vizituar gjithë botën, por vendin tim ende se kam parë…
Në vitin 1989 pasi i kishte dërguar 3 letra Komitetit Shqiptar për marrëdhëniet me jashtë, Nënë Tereza do t’i drejtohej edhe Presidentit të kohës të Republikës së Shqipërisë Ramiz Alisë, duke i thënë:
“Për 60 vjet kam vizituar shumë vende jashtë atdheut tim, por vendin tim, Shqipërinë, ende se kam vizituar ende se kam parë”.
U desh të vinte viti 1989 kur Europa po përjetonte valët e fuqishme te demokracisë , që të kujtohej qeveria shqiptare, t’i jepte një pasaportë diplomatike, bijës së popullit të vet, për të vizituar popullin e saj.
Nënë Tereza hap misionin e parë të bamirësisë në Shqipëri…
Pas shumë përpjekjesh, bisedimesh, me udhëheqësit e shtetit komunist Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën etj., duke i bindur se kishte ardhur koha për të hapur misionin e saj si një mision bamirësie, arriti ta hapë atë.
Nënë Tereza hap Kryegjyshatën Botërore Bektashiane
Në proboninë hyjnore, Nënë Tereza shfaqi dashuri, jo vetëm për të varfrit, por etja e saj për të mbushur etjen e dashurisë së Jezusit me apostolimin dhe martërizimin që kish fituar, ndjente dhimbje e vuajtje për vëllezërit e saj bektashian, që edhe pse agu i lirisë kishte flladitur tokën tonë, ende nuk kishin shtëpinë e Zotit, faltoren e tyre, ku t’i faleshin e luteshin Zotit. Nënë Tereza do të luftonte dhe do ti kërkonte pushtetit komunist të kohës, personalisht Ramiz Alisë që të lirohej shtëpia e Zotit, e vëllezërve bektashian, e cila u rihap në 22 Mars 1991, ditën e shenjtë të Sulltan Novruzit.
Mes pjesëmarrësve, Kryegjyshit Botëror Dede Reshat Bardhit, Baba Bajram Mahmutaj, Baba Selim Kaliçani, nismëtarëve të komisionit Skënder Gazheli, Hysen Ibrahimaj, Musa Mara, Ibrahim Hasnaj, sekretar i Komisionit Nismëtar, të riut Edmond Ibrahimaj, si promotor dhe pjesëmarrës në përurim, besimtarëve e të tjerë foli dhe përshëndeti shenjtorja Nënë Terezë.
“Jam shumë e lumtur dhe e gëzuar që ndodhem sot pranë jush në hapjen e kësaj qendre fetare, shtëpinë tuaj të Zotit, qendër ku humanizmi, dashuria njerëzore zë vendin e parë. Gëzuar shtëpinë tuaj të Zotit! Gëzuar festën tuaj, Sulltan Novruzin!”
Në fjalën e saj ajo do të vlerësonte Dede Reshat Bardhin si një bari i përvuajtur, apostul i vërtetë i besimit, dishepull i dashurisë dhe provonisë hyjnore të Zotit. Shqiptarët kudo përjetuan këtë jubile të madh me bijën e tyre të lëvduar Nënë Tereza, si simbol të dashurisë njerëzore të gjithë botës.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al