Samuel Eto ka qenë në fillimin e viteve 2000 një prej sulmuesve më të mirë në botë. Kamerunasi bëri një karrierë të shkëlqyer dhe la shenjë me golat e tij në skenat më të rëndësishme të futbollit botëror. Por jeta pas futbollit të luajtur, si president i Federatës së Futbollit të Kamerunit, po tregon një anë të errët të tij që ka detyruar FIFA-n të ndërhyjë.
Që kur erdhi në pushtet, Eto është akuzuar në vendlindje për korrupsion, ndikim të paligjshëm apo edhe manipulim ndeshjesh. FIFA nuk mund të ndërhynte ndaj këtyre akuzave në Kamerun, por më në fund e ka kapur me ”presh në duar” në një aktivitet të sajin, duke çuar në pezullimin për 6 muaj nga të gjitha aktivitetet futbollistike.
Dënimi ka ardhur pasi ai ka thyer rregulloret në Botërorin U20 të femrave, ku po ndiqte përfaqësuesen e vendit të tij, në rangun e presidentit të federatës. Ai është dënuar pasi është vlerësuar se ka kryer “sjellje ofensive dhe shkelje të parimeve të lojës së pastër”, si dhe “sjellje të parregullt si zyrtar”. Nuk shpjegohet me detaje se çfarë ka ndodhur, por i referohej çerekfinales së Botërorit që u zhvillua në Bogota, ku Kameruni u eliminua nga Brazili.
Pak kohë më parë Eto u bë protagonist në një tjetër episod shumë të diskutueshëm, teksa kërcënoi para kamerave trajnerin e përfaqësueses, Mark Brys, duke e paralajmëruar të bënte çfarë thoshte ai. Edhe gjatë Botërorit në Katar, Eto sulmoi një tifoz i cili po e filmonte teksa po largohej nga stadiumi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al